Ministra e deputetë socialistë janë dakord për t’u dhënë të drejtën e votës emigrantëve që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë, por edhe për ngritjen e një ministrie të Diasporës, siç ata e kanë kërkuar. E drejta e votës ka qenë edhe një nga premtimet e socialistëve kur morën pushtetin, ndërsa krijimi i një ministrie për Diasporën ka qenë një kërkesë e përsëritur ditët e fundit nga një grup shoqatash shqiptare që veprojnë në Itali, të cilat zhvilluan takime me Presidentin Bujar Nishani e kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.
“Diaspora vazhdon të mbetet shumë e rëndësishme për një vend ku është emigruar këto vitet e fundit dhe unë besoj se propozimi do të konsiderohet me seriozitetin që i takon diasporës shqiptare, që ka ndihmuar kaq shumë që vendi të përparojë, familjet e tyre të përparojnë dhe besoj që është një zë i rëndësishëm edhe për zhvillimet brenda vendit. Edhe për të drejtën e votës po ashtu”, u shpreh Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli për “ABC News”.









