• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, September 30, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Kush po e vret industrinë e mbrojtjes?

by Java News
30/09/2026 13:38
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Asnjë dërgesë, asnjë pagesë, asnjë urdhër shtetëror. Mburrja e një ndërmjetësi, fjala “izraelit” dhe një ministër Mbrojtjeje që nuk ishte kurrë në dhomë. Tri javë më vonë, industria e mbrojtjes e një vendi anëtar të NATO-s është shpallur fajtore nga të tria.

Nga Drizan Shala

Më 19 shtator, në ditën e 112-të të protestës në Tiranë, një aktivist i tha turmës se Ron Yeffet ishte dëgjuar në regjistrim duke pranuar para partnerëve të tij se Edi Rama e kishte pajtuar për punët e pista. Deri atëherë, dy kryetarë partish, një televizion, tridhjetë e nëntë deputetë dhe disa qindra llogari në X e kishin përsëritur atë fjali për dymbëdhjetë ditë. Yeffet nuk e tha kurrë. Ajo që tha, në anglisht, tre kontakteve të huaja të biznesit në një zyrë në Tiranë në janar, ishte: “the government took us over because all the bad thing we could do” (“qeveria na mori në dorë sepse gjithë e keqja që mund të bënim”). Mburrja e një ndërmjetësi, në gramatikën e një ndërmjetësi, për një marrëveshje që nuk ndodhi. Mbi atë fjali, brenda tri javësh, vendi ndërtoi një skandal ndërkombëtar trafiku armësh në një shtet anëtar të NATO-s.

Në këtë regjistrim nuk ka asnjë operacion trafiku armësh. Ka një ndërmjetës që flet, politikanë që e amplifikojnë, media që e shndërrojnë hamendjen në fakt dhe një industri mbrojtjeje vetëm dyvjeçare që damkoset si kriminale përpara se dikush të kishte paraqitur një dërgesë, një licencë, një blerës, një shitës, një pagesë apo një urdhër shtetëror. Në punën e inteligjencës, çdo hap nga informacioni te vlerësimi duhet t’i mbijetojë një pyetjeje: çfarë ndryshoi në prova? Këtu nuk ndryshoi asgjë në prova. Ndryshuan vetëm foljet.

Regjistrimi u transmetua më 7 shtator në Syri TV, i lëshuar nga Zvicra prej Arben Ahmetajt, ish-zëvendëskryeministër nën akuzë nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash në çështjen e inceneratorëve dhe në kërkim ndërkombëtar që nga viti 2023. Ai lëshoi shtatë segmente të prera, me titra, në një rend që në transmetim e përshkroi me fjalët “regjia është përgatitur”. Regjistrimi i plotë zgjat rreth tri orë; publiku ka dëgjuar ndoshta dymbëdhjetë minuta. Kompania në zyrat e së cilës u bë regjistrimi, DEL-CNG, konfirmoi më pas përmes avokatit të saj se takimi ishte zhvilluar në ambientet e saj dhe se regjistrimi ishte bërë pa autorizim. Regjistrimi është autentik. Autenticiteti nuk ishte kurrë pyetja.

Pyetja është çfarë thotë Yeffet, dhe ajo që thotë është fare pak. Një kompani e re do të jetë “80 ose 90 për qind” e kontakteve të tij dhe “10 ose 20” e qeverisë, sipas “të njëjtit koncept, por jo KAYO”. Për kontakt në qeveri përmend një zëvendëssekretar të përgjithshëm të Kryeministrisë, emri i të cilit i kujtohet me vonesë. Ermal Nufi nuk ishte në dhomë dhe asgjë në regjistrim nuk tregon se e dinte që po bëhej ai takim. Emri i një zyrtari, i përmendur para tre të panjohurve, është mjet pune i ndërmjetësit dhe nuk e bën zyrtarin palë në marrëveshje; çdo ndërmjetës në këtë zanat mban një të tillë në repertor. Kontaktet duhet t’i mbajnë pjesët e tyre në “një korporatë amerikane”, që “t’i mbyllim, ambasada amerikane”. Në Afrikë ka “një biznes shumë, shumë të mirë, qindra miliona” në municione; ai ka “tre në Nigeri dhe në Sudan”; kur pyetet se ku do të bëhej paketimi, përgjigjet: “I thought Albania” (“mendova Shqipërinë”); kur pyetet nëse Afrika është “me KAYO, sigurisht”, përgjigjet: “we don’t know that” (“nuk e dimë këtë”). Pas një emisioni televiziv të opozitës, “u bëra ministër”, dhe “thanë se mora 3 milionë euro, më tregoni paratë”. Njërit prej burrave i thotë: “e di që nuk të interesojnë paratë, por je njeri shumë i pasur”, dhe më pas: “por unë dua të bëhem i pasur”. Dhe kur gruaja që përkthen propozon një letër zyrtare drejtuar Ministrisë së Energjisë për një vendburim gazi, ai e ndal: “asnjë letër zyrtare”, “mbështetuni tek unë”, “shkoni në Vlorë dhe bëni çfarë të doni, pastaj merrem unë me ta”.

Atë shkëmbim të fundit Tirana e botoi si provë të ndikimit të tij. Tregon të kundërtën, dhe aty është thelbi i regjistrimit. Një njeri që ka një ministri në xhep bën një telefonatë. Një njeri që nuk e ka, u thotë partnerëve të shkojnë të shohin vetë dhe ta lënë emrin e tij jashtë. Ministria e Energjisë nuk iu përgjigj kurrë Yeffet-it. Dy muaj pas takimit, vendburimi për të cilin ai fliste, Delvina, kaloi 75 për qind te një blerës holandez; administrata tatimore bllokoi transferime të mëtejshme të nesërmen dhe i ngarkuari me punë amerikan vizitoi zonën po atë javë. Çfarëdo që ai po shiste në janar, shteti nuk e bleu.

Në regjistrim: “nuk e dimë këtë”. Në vend: “me KAYO”. Në regjistrim: “mendova Shqipërinë”. Në vend: një linjë e konsoliduar Afrikë–Shqipëri. Në regjistrim: tre persona të thirrur me emër. Në vend, që nga 8 shtatori, dy figura të mbrojtjes ukrainase të përmendura me emër, me dosje korrupsioni në vendin e tyre, të dhëna nga një gazetar në një postim në rrjetet sociale dhe të kopjuara nga çdo portal pa verifikim, derisa “ukrainishtfolës dhe rusishtfolës”, përshkrimi i vetë Ahmetajt, u bë “një ukrainas dhe një rus”. Në regjistrim: një ndërmjetës me pjesë minoritare në një nga gjashtë sipërmarrjet e përbashkëta. Në vend: kapja kriminale e një industrie, brenda së cilës u fut edhe kontrata Elbit, një çështje qeveri me qeveri me problemin e vet real, në mënyrë që “izraelitët” të mund të bëheshin shumës. “Mund” u bë “bëri”. “Mendova” u bë “organizoi”. “Nuk e di” u bë “KAYO”. Një bisedë u bë linjë, linja u bë trafik dhe trafiku u bë politikë shtetërore. Kështu fabrikohet një narrativë, dhe çdo hapi mund t’i vihet data deri në orë: rrëfimi i Ahmetajt më 7; “siguria kombëtare” e Bardhit dhe “Ermal Rraketa” e Këlliçit më 8; tridhjetë e nëntë deputetët më 8, duke pranuar në vetë kërkesën e tyre se materialet “nuk konsiderohen nga kërkuesit si fakte të provuara”; emrat më 8; “pas tyre janë shërbime të fuqishme të vendeve partnere evropiane” më 11; fjalia e Berishës se “një vend anëtar i NATO-s bën një kontrabandë të shëmtuar” javën pasuese; turma më 19; dhe më 23 të njëjtët emra iu ngjitën arrestimit të shefes së inteligjencës, në mënyrë që Yeffet, Ergys Agasi dhe Vlora Hyseni të mund të paraqiteshin sikur kishin të njëjtin përshkrim pune. Asnjë nga këta hapa nuk kërkoi një dokument. Shumica e rrëzoi kërkesën për komision hetimor; SPAK i kërkoi Syri TV audion e papërpunuar, i vetmi veprim institucional i drejtë në gjithë këtë çështje, dhe ajo kërkesë mbetet e hapur.

Edhe diçka tjetër ndryshoi ndërsa ndryshonin foljet. Në regjistrim, Yeffet është një burrë me tri pasaporta, njëra prej tyre shqiptare që nga viti 2018. Në vend, që nga nata e parë, ai ishte “izraeliti”: “sekseri izraelit”, “izraeliti i Ramës”, “mashtruesi izraelit”, dhe në një media “miku hebre i Edi Ramës”. Ahmetaj, në transmetim, e prezantoi një partner të dytë, të paidentifikuar, në sektorin e shëndetësisë si “tjetër izraelit”, dhe modelin e KAYO-s si diçka që do të bëhej “me izraelitin”. Një gazetar, duke identifikuar zërat e huaj, shtoi për gruan e njërit prej burrave se ishte “me origjinë hebreje”, një hollësi që nuk i shërben asgjëje tjetër veç këtij kallëpi. Kontrata Elbit, një kompani e listuar në bursë pa asnjë lidhje të dokumentuar me Yeffet-in, iu ngjit atij vetëm përmes asaj fjale, në mënyrë që “izraelitët” të mund të bëheshin shumës dhe industria e tyre. Për tri javë, askush nuk e quajti asnjëherë ashtu siç thotë pasaporta e tij, ndërmjetës shqiptar, sepse pas një “ndërmjetësi shqiptar” askush nuk sheh dorë të fshehtë. Kjo është gramatika më e vjetër konspirative në Europë: një hebre pas sundimtarit, me një pushtet që nxirret nga origjina, sepse me vepra nuk provohet dot. Klasa politike e Tiranës e huazoi pa e vënë re, në një vend që strehoi hebrenjtë ndërsa fqinjët e tij i dorëzonin, dhe e përdori për tri javë si zëvendësim për provat. Origjina bëri punën që provat nuk e bënin dot, dhe kjo quhet antisemitizëm, çfarëdo qëllimi të kenë pasur ata të cilëve u erdhi për shtat.

Në tregtinë e mbrojtjes, “izraelit” nuk është shenjë rreziku; është markë që e gjen në çdo katalog. Sistemet izraelite provohen në luftë vit pas viti dhe ndreqen sipas asaj që del, prandaj vendet e NATO-s i blejnë hapur dhe me shumicë: Gjermania Arrow 3, Finlanda David’s Sling, Britania Watchkeeper, Greqia Heronët dhe Spike-ët. Një anëtar i vogël, me fabrika të Luftës së Ftohtë, pa bazë projektimi dhe me një angazhim dhjetëvjeçar për të prodhuar municione bashkë me Ukrainën, ka çdo arsye të kërkojë një partner teknologjik izraelit. Një ndërmjetës që thotë se njeh njerëz në Tel Aviv i ofron pikërisht atë që kërkon. Çdo zyrë prokurimi do ta dëgjonte një ofertë të tillë. Konstrukti e ktheu të njëjtën fjalë në provë të një dore të fshehtë.

Nëse skandali është që kompanitë e mbrojtjes punojnë me ndërmjetës, atëherë mbyllni Farnborough-n, Eurosatory-n dhe gjysmën e zyrave rreth Pentagonit. Kjo tregti ecën me përfaqësues, konsulentë, agjentë, ish-zyrtarë dhe njerëz që e zmadhojnë rrethin e të njohurve. Çfarë janë të autorizuar të bëjnë, këtë e pyet zyra e përputhshmërisë. Çfarë transaksioni kanë kryer, këtë e pyet prokurori. Tirana ka tri javë që e merr pyetjen e parë si provë për të dytën.

Ky treg ecën me ndërmjetës. Qeveritë nuk ua shesin mortajat njëra-tjetrës në banak; mes ministrisë dhe fabrikës rrinë agjentë, përfaqësues, oficerë në pension, konsulentë dhe njerëz që e nxjerrin bukën duke ditur kush ua hap telefonin. Ata shesin premtimin se çfarë mund të organizojnë, dhe klienti vendos a do ta blejë. Ky është zanati, i ligjshëm kudo ku ka industri mbrojtjeje. Yeffet është një prej tyre. Ka shtetësi amerikane, izraelite dhe shqiptare, ka bërë biznes në Nju Jork, Dakar dhe Tiranë dhe më 17 qershor 2025 mori 49 për qind të TIMAK-ut, një kompani karrocerish automjetesh, shtatë javë përpara se TIMAK dhe kompania shtetërore KAYO të krijonin Timak Defence. Në janar, në një zyrë në Tiranë, u tregonte tre kontakteve të huaja çfarë mund të organizonte në Shqipëri. Regjistrimi nuk përmban asgjë tjetër veç kësaj oferte. A e bleu kush, është pyetje tjetër, dhe dokumentet thonë se Ministria e Energjisë nuk e bleu.

KAYO është dy vjeç. E ka të gjithën Ministria e Mbrojtjes dhe u krijua për të ringjallur Poliçanin, Gramshin dhe Mjekësin me sipërmarrje të përbashkëta, ku shteti mban pakicën dhe partneri sjell kapitalin dhe know-how-n. Të tilla ka gjashtë. Në njërën hyri Yeffet, dhe nuk duket që dikush të ketë përcaktuar çfarë i lejohej të thoshte në emër të KAYO-s pasi hyri. Kompania është e re dhe nxiton, partnerët i verifikon dobët dhe transparencën e ka për bezdi. Kështu një ndërmjetës mbeti ta përshkruante kompaninë e shtetit me fjalët e veta, ndërsa publiku nuk kishte me çfarë t’i verifikonte ato fjalë. Është dështim menaxherial, dhe në regjistrin e biznesit shihej shumë përpara 7 shtatorit. Audioja nuk i shtoi asnjë fakt.

I shtoi një fjali, dhe fjalia bëri dëmin. Një partner që askush nuk e ka instruktuar është dështim administrativ. Një linjë armësh me Sudanin është krim. Distanca mes të dyjave është distanca mes një ndërmjetësi që flet sikur ndërtesa është e tija dhe faktit që ndërtesa t’i përkasë vërtet atij, dhe në rrëfimin publik ajo distancë u zhduk.

Përgjigjet e qeverisë ishin po aq të dobëta sa akuza. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, duke hyrë në një mbledhje partie: “Çfarë trafiku armësh? A jeni në terezi?”, dhe, kur u pyet nëse e kishte dëgjuar regjistrimin: “Përgjimet e dynjasë do dëgjoj unë?”. Ministrja për marrëdhëniet me Parlamentin tha se i vinte “ndot” t’u përgjigjej deklaratave të një të arratisuri nga drejtësia. Kreu i KAYO-s shpjegoi në televizion se fabrikat kanë prodhim zero dhe, rrjedhimisht, kapacitet zero për të paketuar çfarëdo gjëje. Askush nuk shpjegoi se çfarë lejohet dhe çfarë nuk lejohet të thotë në emër të saj një partner në një sipërmarrje shtetërore të mbrojtjes, e vetmja gjë që një partner serioz donte të sqarohej.

Ministri meriton një fjali më të qartë se ajo që doli nga shkëmbimi me gazetarët te dera. Nufi shfaqet në këtë regjistrim vetëm një herë, si emër që një ndërmjetës ua hedh tre të panjohurve si personi që “do të kontaktojë” pasi diçka të kalojë në qeveri. Ai nuk ishte i pranishëm. Asnjë mesazh prej tij, asnjë takim me të, asnjë veprim i tij nuk shfaqet askund në tri orët. Sipërmarrja e përbashkët ku Yeffet ka pjesë u krijua në gusht 2025, nën paraardhësin e Nufit, gjashtë muaj përpara se Nufi të merrte ministrinë. Marrëveshja për të cilën regjistrimi flet në të vërtetë, një vendburim gazi, i përkiste një ministrie tjetër, që nuk iu përgjigj kurrë Yeffet-it. Nofka me të cilën vendi është zbavitur për tri javë, “Ermal Rraketa”, mbështetet në një anekdotë të vetme anonime të përcjellë nga Zvicra nga një njeri ndaj të cilit ka urdhër arresti, për një bisedë që askush tjetër nuk pretendon se e ka dëgjuar. SPAK, që i ka regjistrimet, nuk ka përmendur me emër asnjë zyrtar. Në bazë të provave, pjesa e Nufit në këtë çështje është se është përmendur nga një shitës dhe ka trashëguar dosjen. Nëse hedhja e emrit nga një ndërmjetës është provë e përfshirjes së një ministri, atëherë asnjë ministër në Aleancë nuk është i pastër, sepse çdo ndërmjetës hedh emra; ky është produkti që shet.

Jashtë vendit, kjo histori nuk ekzistonte. Reuters, AFP dhe AP nuk e publikuan. BIRN, që kishte mbuluar në hollësi dosjen e vetë Ahmetajt në SPAK dhe mbulon nga afër armët izraelite në rajon, nuk e publikoi; përmbledhjet e tij të shtatorit për Shqipërinë hapeshin me arrestin shtëpiak të shefes së inteligjencës dhe me fjalën NATO në titull. Haaretz, që dha i pari lajmin për kontratën Elbit në nëntor, nuk e preku. Në X, historia arriti kulmin ditën e dytë me 31 mijë shikime për një postim dhe më pas u tkurr në një qark prej katër llogarish që lidhnin njëra-tjetrën, ndërsa postimet e partive merrnin pëlqime njëshifrore. I vetmi institucion i huaj që shkroi për të ishte një monitorues ballkanik i dezinformimit, i cili më 25 shtator e renditi çështjen KAYO si një rast “që ka gjasa të ushqejë narrativa konkurruese”, me njërën palë që paraqet pretendimet si fakt dhe tjetrën që i hedh poshtë pyetjet si të fabrikuara. Asnjë media e madhe ndërkombëtare nuk e raportoi materialin si provë se Shqipëria po operonte një rrjet trafiku armësh.

Regjistrimi nuk lindi si provë e një operacioni shqiptar armësh. Sipas rindërtimit që Tirana Examiner i ka bërë prejardhjes së materialit, e regjistroi me telefon njëri nga pjesëmarrësit, ai që dëgjohet më afër mikrofonit se të tjerët nga fillimi në fund. Synimi, sipas këtij rindërtimi, ishte që Yeffet të thoshte se pas qasjes së tij ndaj Delvina Gas qëndronte qeveria, sepse për Delvinën bëhej takimi; porosia erdhi nga pala e pronarit të atëhershëm të vendburimit, Sokol Meqemeja. Meqemeja është mik i vjetër i Ahmetajt, dhe rrethi i tij del në dosjen e SPAK-ut për Ahmetajn, për një hua prej 140 mijë eurosh që u shndërrua në një apartament në Selitë. Nga tri orë fjalë të një ndërmjetësi nuk doli asnjë ministër, asnjë udhëzim, asnjë para; doli vetëm emri i një zëvendëssekretari të përgjithshëm. Sipas të njëjtave gjetje, materiali iu ofrua përmes një ndërmjetësi një shërbimi gjerman dhe u refuzua sepse nuk kishte asgjë të përdorshme në të. Vetëm më pas arriti në një televizion, përmes mikut. Kurthi e humbi objektivin. Rastësisht kapi një ndërmjetës që mburrej për armë para njerëzve të tregtisë së armëve, dhe ky material gjeti treg në ditën e 100-të të një proteste. Një regjistrim i bërë për të provuar se shteti qëndronte pas marrëveshjes së një njeriu u publikua për të provuar se shteti drejtonte një skemë kriminale.

Nuk kam nevojë të di kush e urdhëroi zjarrin për të thënë se çfarë po digjet. Objektivi tani nuk është Ron Yeffet. Objektivi është vetë ideja se Shqipëria mund të ndërtojë një industri mbrojtjeje.

Përfituesit renditen nga më i vogli te më i madhi, dhe secili duket. Më të vegjlit janë palët e një vendburimi gazi dhe një i arratisur të cilit i duhej të ishte dëshmitar, jo i pandehur. Mbi ta, një opozitë që mori dosjen që ia vunë në dorë ditën e njëqindtë të protestës. Jashtë Shqipërisë është konkurrenti i konsoliduar i rajonit: Serbia, që eksporton municione me shumicë, monton në vend dronë izraelitë, mban mbrojtje ajrore kineze dhe po zgjeron me Pekinin bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe transferimin e teknologjisë. Një linjë shqiptare municionesh nuk hyn në një treg bosh; çdo kontratë që humbet Tirana mund ta marrë dikush tjetër. Asgjë nga këto nuk tregon se Beogradi porositi një regjistrim në Tiranë, dhe as nuk ka pse ta tregojë. Efekti strategjik nuk kërkon drejtim qendror. Kjo redaksi di më shumë nga sa publikon për interesat e huaja që do të preferonin që një industri shqiptare e mbrojtjes të mos ekzistonte, dhe për njerëzit në Tiranë që e kanë bërë veten të dobishëm për to. Atë material po e mat me të njëjtin standard që sapo përdori për regjistrimin.

Shqipëria kaloi vite duke bindur aleatët se mund të ishte më shumë sesa konsumator sigurie: se mund të prodhonte, riparonte, furnizonte dhe, me kohë, të eksportonte. Kjo kërkon partnerë teknologjikë, sigurues, banka, licenca dhe qeveri të gatshme të vendosin emrat e tyre pranë fabrikave shqiptare. Pastaj erdhën dymbëdhjetë minuta audio të montuar dhe një makineri politiko-mediatike që e ktheu mburrjen e një ndërmjetësi në akuzën se industria e mbrojtjes e një vendi të NATO-s ishte një ndërmarrje ndërkombëtare trafiku. Një zyrtar i lartë i mbrojtjes i ka konfirmuar Tirana Examiner se partnerët e huaj kanë kërkuar që prej atëherë verifikime shtesë të përputhshmërisë dhe se të paktën një nënshkrim është shtyrë. Departamentet e përputhshmërisë jashtë vendit nuk shohin Syri TV, por lexojnë se një prokuror i ka kërkuar një televizioni regjistrime për një kompani me të cilën ata janë gati të nënshkruajnë, dhe pyetjet e tyre vijnë me datë.

Nuk është treguar asnjë dërgesë. Nuk është treguar asnjë pagesë. Nuk është treguar asnjë dokument i përdoruesit fundor. Nuk është treguar asnjë urdhër qeveritar. Nuk është treguar asnjë linjë Sudan–Shqipëri. Fjalët “trafik armësh” janë shfaqur kudo. Kështu dëmtohet një industri mbrojtjeje pa qëlluar mbi një fabrikë.

Nëse Shqipëria zbulon se partnerët e huaj nuk duan më emrat e tyre mbi derë, njerëzit që fabrikuan bindje nga ky regjistrim nuk duhet të pyesin kush e shkatërroi industrinë. Duhet ta vënë regjistrimin edhe një herë. Këtë herë, të dëgjojnë veten.

Drizan Shala është studiues i sigurisë dhe doktorant në Universitetin e Sarajevës. Ai shkruan për mbrojtjen, sigurinë private dhe arkitekturën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Ky shkrim u botua fillimisht nga Tirana Examiner.

Next Post
Franca dhe Britania në bisedime për t'i dhënë fund marrëveshjes së emigrantëve -

Franca dhe Britania në bisedime për ti dhënë fund marrëveshjes së emigrantëve -

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Tirana, fushëbeteja kryesore për zgjedhjet e 11 Majit/ Çupi: Berisha në Parlament, fyerje për popullin

Çupi për ndryshimet në Kod: Kemi jetuar si në komunizëm, kush shkonte në SPAK konsiderohej fajtor

September 30, 2026
Nis gjykimi i ish-udhëheqësve të UÇK, 312 dëshmitarë dhe 56 mijë faqe me akuza

Specialja pranon pjesërisht kërkesën e Thaçit dhe të tjerëve, shtyn afatin për apel deri më 27 nëntor

September 30, 2026
Çuçi pyet kreun e SPAK: Cila është gjendja e hetimeve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar për sjellje kriminale gjatë vettingut?

Çështja e SHISH, Çuçi: Këshilli i Sigurisë Kombëtare mblidhet sërish pas auditimit të thelluar për Vlora Hysenin

September 30, 2026
Arrestohen 2 persona për zjarrvënie në Kombinat dhe Prush, një prej tyre në “arrest shtëpie”

Arrestohen 2 persona për zjarrvënie në Kombinat dhe Prush, një prej tyre në “arrest shtëpie”

September 30, 2026
Kosova jashtë agjendës së KiE/ Anëtarësimi mungon në axhendë, kushti për qeverinë Kurti mbetet Asociacioni

Kurti: Sejdiu mbetet kandidati për president, pavarësisht tërheqjes së tij

September 30, 2026
Skandali Epstein trondit Norvegjinë, Parlamenti heton marrëdhëniet me politikanët dhe diplomatët -

Skandali Epstein trondit Norvegjinë, Parlamenti heton marrëdhëniet me politikanët dhe diplomatët –

September 30, 2026
Franca dhe Britania në bisedime për t'i dhënë fund marrëveshjes së emigrantëve -

Franca dhe Britania në bisedime për ti dhënë fund marrëveshjes së emigrantëve –

September 30, 2026
Kush po e vret industrinë e mbrojtjes?

Kush po e vret industrinë e mbrojtjes?

September 30, 2026
Drejtori i Përgjithshëm i KE: Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale përafrojnë Shqipërinë me standardet evropiane

Drejtori i Përgjithshëm i KE: Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale përafrojnë Shqipërinë me standardet evropiane

September 30, 2026
Meloni nuk heq dorë nga kampi për emigrantët në Gjadër, qeveria italiane ndryshon gjyqtarët, do të vendosë Apeli

INSTAT: Rritje me 73% e kriminalitetit nga të huajt në Shqipëri, kapërcehet shifra e 1 mijë personave të dyshuar

September 30, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com