Shqipëria po pret çdo vit e më shumë turistë dhe punonjës të huaj.
Paralelisht me këtë fluks, është rritur ndjeshëm edhe numri i të huajve të përfshirë në krime.
Raporti i fundit i INSTAT tregon se gjatë vitit 2024 u evidentuan 1,020 shtetas të huaj të dyshuar.
Kjo shifër shënon një rritje prej 38.4% brenda një viti.
Krahasuar me vitin 2022, rritja arrin në 73.2%.
Rritja e kriminalitetit nga të huajt po ecën me ritme shumë më të shpejta se sa ecuria e përgjithshme e krimeve në vend.
Tashmë, rreth 1 në çdo 40 persona të dyshuar nga Policia e Shtetit është shtetas i huaj.
Numrin më të lartë të shkeljeve e mbajnë rregullat e qarkullimit rrugor me 132 persona.
Në vend të dytë renditen krimet në fushën e drogës me 110 persona.
Rritje e fortë është regjistruar edhe te shfrytëzimi i prostitucionit, nga 3 persona në vitin 2023, në 59 persona gjatë vitit 2024.
Kategoritë e tjera përfshijnë mashtrimet, vjedhjet dhe krimet kibernetike.
Ekspertët e lidhin këtë tendencë me praninë e mbi 21 mijë të huajve me leje qëndrimi dhe miliona hyrjeve turistike në kufi.











