Nga Tidita Fshazi/
Ngjarja e vrasjes së dy turistëve Çek në Dukagjin, shokoi, tronditi, indinjoi si rrallë herë pothuajse në një zë të gjithë opinion publik Shqiptar. Shkaku i indinjatës varionte nga ata që e gjykonin këtë si një krim të “pabesë” duke dalë në konluzionin se miqt ishin prerë në besë. Koncepti i “besës” u lakua shumë në media, portale online e rrjete sociale, ku një pjesë e mire konkludonin se Shqiptari e aq më pak ai nga zona e veriut nuk e njohin dhe respektojnë besën. Edhe vetë Lek Dukagjini do t’a kishte pasur zili këtë turrje publike në një koncept sa arkaik aq edhe kompleks në historinë Shqiptare.
Një pjesë tjetër e opinionit publik indinjohej sesi kjo prishi imazhin e Shqipërisë, shkatërroi mundin për ndërtimin e një turizmi tërheqës për të rinjtë Europiane që kërkojnë aventurë në Shqipëri si edhe zhgënjeu pa fund ata që sinqerisht e kishin rekomanduar Shqipërinë tek miqt e tyre si një vend të sigurt dhe shumë mikpritës. Ky kompleksitet ndjenjash kishte kapluar thellësisht popullatën në këto ditë, aq sa ngjante si një dramë kombëtare që për nga pesha që mori ja kaloi edhe shumë ngjarjeve që prishën qëtësinë në javët që shkuan, si ajo e Lazaratit dhe vrasjes së një efektivi të RENEAS, apo vrasjes së ndodhur në Lezhë një ditë më pas. Asgjë nuk dukej të kishte thithur kaq shumë opinionin publik Shqiptarë edhe pse lajmet shokuese nuk mungojnë, të paktën në periudha ciklike prej një herë në tre apo gjashtë muaj (për të qenë optimiste).
Psikanaliza sociale e kësaj gjendje është e vështirë të bëhet, po aq sa është e vështirë të dalësh në shumë konkluzione mbi pse-në e shokut të pangushëllueshëm publik. Sigurisht nuk ka asgjë të vështirë për të kuptuar në lidhje me dhimbjen që shkakton humbja e jetës së dy të rinjve. Gjithsesi, ky nuk është trishtimi i zakonshëm që ne shprehin kolektivisht kur humbin jetë njerëzish, të paktën jo publikisht dhe në një zë. Duke filluar nga katër njerëz të vrarë në Bulevard para kamerave e deri tek vrasjet makabre të vajzave apo të miturve, nuk mbaj mend një reagim kaq të plotë, kaq unanim e kaq të thellë.
Peshën e dhimbjes koletive në orët e para të lajmit dukej se e shtonte edhe mosdijenia e “si, kur e për çfarë ndodhi krimi”. Secili mund të krijonte historinë e vet të “prerjes në besë”. Kur nuk kaloi shumë dhe pyetjet morën përgjigje, ai, krimineli për të cilin gati njëzëri të gjithë trumbetonin se duhej rikthyer dënimi më vdekje ishte një 20-vjeçar. I ftohtë, si për të provuar dhe shtuar urrejtjen publike, ai u vetdorëzua dhe dëshmoi se kishte vrarë dy të pafajshëm për një makinë (që më pas se kishte rrëmbyer dot), por ama ja kishte dalë të rrëmbente dy celularë. Si një ujk mbijetese, ai ishte i ftohtë ndaj jetëve të pafajshme, i ftohtë ndaj opinionit publik, i ftohtë ndaj fatit të turizmit Shqiptar. Shpejt urrejtja e opinionit publik u largua për pak nga “mostrua” i Dukagjinit, për të shkuar tek ata që tashmë të gjithë kanë zët, të gjithë duan ti dënojnë, e më në fund erdhi një mundësi tjetër e artë për të shfryrë mllefin. E kush më shumë se gjyqtarët arrijnë të kenë mbi supe mllefin publik, politik e madje ndërkombëtarë. Janë ata fajtorët e vrasjes-kështu gati-gati vendosi populli mbarë! Shpejt në bazë të verdikti popullor ju përvesh punës edhe institucionet shtetërore dhe padyshime edhe media. Nuk dihet cila palë influencon më shumë tjetrën, por një gjë është e sigurt, asnjë prej palëve nuk mori kohë të reflektojë. Është aq i madh presioni publik, saqë askush nuk mund të lërë të shpëtojë mundësia-është koha për veprim!
Ndërkohë që Tirana vlon, vepron, flet, mallkon, propozon dhe rrëmujshëm jeton nga lajmi në lajm, nga emocioni në emocion, “mostrua” i Dukagjinit, vijon ashtu i ftohtë akull të shikojë gjithë dramën që shkroi vetë. Ai mbase s’di as të lexojë. Mbase po mendon se burgu do jetë një kohë e mirë për t’u ushqyer rregullisht. Gjasat ka që e vetmja gjë me të cilën e ka lidhur, sunduar, përplasur jeta është një seri krimesh. Është aq i regjur, saqë plumbi në kokën e dy të rinjve Çek nuk e shkund krahasur me kokën që përplasej në gurë të një 13 vjeçari. Ai se di as vetë pse u përfshi në gjithë këto. Kështu i erdhi jeta, kështu e mori, kështu vijoi…me siguri kur dëgjon se gjykata e korruptuar e dënoi pak para 5 vitesh, qeshën. Sepse mendon sikur në të vërtetë në jetë të kishte aq shumë para sa të korruptonte gjyqtarë kush e di çdo bënte. Gjithsesi i bindur që sapo të dalë do mund t’í bëjë ato para mbasi e di mirë se atje jashtë ka plot banda me të cilat mund të shtysh mire kohën. Burgu është një derë nga e cila po hyre që 15 vjeç mund të ndihesh komod të hysh e të dalësh kurdo. Në burg ka shokë, jashtë do rekrutojë të tjerë, që po si ai, s’dinë asgjë tjetër përveç kësaj jete.
Me siguri diku ka dëgjuar se afër Dukagjinit, na paskish qenë dikur nje qytet. Një qytet me shtëpi kulture, me sport, me teatër e shkollë arti ku paraardhësit e tij gjenin mundësi e bëheshin artist e sportist të shquar. Pastaj mendon se me një kallashnikov në dorë je shumë më zotni sot se duke kompozuar këngë apo shkuar në teatër. Babagjyshat e atij qyteti, asaj legjende, le të rrojnë me kujtime, sot kohët janë ndryshe dhe modelet e suksesit të tjera.
Gjyqtarët (ata pak) po shpresojnë se “çudia më e madhe tre ditë zgjat”. Janë mësuar me kolegë që merren në pyetje për mijëra Euro dhurata e prona kushërinjsh, ndaj gjasat ka që kolegu i Shkodrës, nëse mjaftueshëm i ndershëm, ta pësojë vërtet keq. Kanë mbetur pak të habitur. Vallë mendojnë, t’í përvishen një gjyqtari që dënoi një të mitur e të lënë në paqe ata që nuk dënojnë banda kriminale? Apo mos vallë gjërat po precipitojnë seriozisht? Gjithsesi, sa kohë ka lajme të tilla dhe opinion publik s’ka kohë të marre frymë, jo më të mendojë nën gjendje shoku, çdo gjë është e qetë. Cikli i një vorbulle të së keqes, e cila përfshin të gjithë nën frymën e vet, aq sa vështirë të dallojmë çka është e mira dhe e keqja tashmë, ka një fill jetim, diku atje, në malet e pabesa, në malet që i diskutojmë me mite e fjalime boshe. E vërteta është që malet vështrojnë heshtur, grushti Migjenit është i thekur dhe asnjë godtije e klithëm inati nuk i shkund. Nuk shkund një brez 20-vjeçarësh që ideologji lahutash nuk e dinë dhe nuk i interesojnë. Nuk i shkund as cigarja e mendueshme e bllokut të Tiranës. Nuk i shkund as shikimi i ashpër i gardianit të burgut, shkopi i gomës i policit, apo edhe pistoleta e tij. E pra, për zhgënjimin e të gjithëve, vorbullën e së keqes nuk e shkund as dënimi me vdekje, sepse dënimi me vdekje për Sokolin dikur 15 vjeç e sot 20 ka ndodhur me kohë. Ka ndodhur kur nuk ishte në shkollë, kur nuk ushqehej, kur rekrutohej nga bandat e katundit dhe padyshim, ai duke ekzekutuar dy turistë, dy jetë njerëzish para së gjithash, ka ekzekutuar një pjesë të vetes dhe një pjesë tonën, sepse një potencial i kësaj shoqërie iku ashtu si dy jetë të rinjsh, ndërkohe që ne teorizojmë besën.
Me siguri vjen Gushti e të gjithë përqëndrohen në foto plazhi… Vjeshta e përgjumur e romantike sjell harresën. Ikën vapa me Gushtin, ikën çudia për tre ditë dhe avash avash atje në fusha e male kërkojnë mbijetesën 15 vjeçarë të tjerë. Atje në salla gjykatash rifillojnë proceset gjyqësore dhe të gjithë disi, për një arsye ndihen fitimtarë. Sigurisht, përveç gjyqtarit që nuk dënoi ashpër një të mitur…









