Çdo vit, afërsisht një miliard njerëz preken nga gripi në mbarë botën. Në fakt, gripi është një virus ”dinak”, që ndryshon vazhdimisht formën për të sfiduar mbrojtjen imunitare të njerëzve.
Simptomat më të zakonshme të tij përfshijnë ethe, lodhje, dhimbje koke, kollë dhe pagjumësi për relativihst një javë, duke lënë miliona njerëz të paftë për të punuar dhe për fat të keq deri në marrjen e jetës të 290 mijë deri në 650 mijë njerëzve në një vit tipik.
“Kjo është arsyeja pse duhet të bësh një vaksinë kundër gripit çdo vit”, thotë Nicholas Heaton, një profesor në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Duke në Karolinën e Veriut, SHBA.
Sipas një artikulli të BBC, vaksinat sezonale kundër gripit parandalojnë shumë vdekje dhe sëmundje serioze çdo vit, por ato janë të papërsosura. Efektiviteti i tyre zakonisht arin rreth 60% dhe kjo përqindje mund të jetë edhe më e ulët nëse vaksina nuk është një përputhje e mirë për virusin që qarkullon në një sezon specifik.
Laboratori i profesor Heaton-it dhe të tjerë në mbarë botën po zhvillojnë të ashtuquajturat vaksina “universale” kundër gripit, të cilat synojnë të ofrojnë mbrojtje më të mirë, më të gjerë dhe më të qëndrueshme sesa vaksinat aktuale sezonale. “Ideja është të mbulohen më shumë lloje ose vaksina të zgjasë më shumë”, ose shpresojmë, të dyja”, thotë Heaton.

“Është një koleksion mjaft i mahnitshëm projektesh, por është një sfidë komplekse. Nuk do të ndodhë brenda natës”, pohon Julie Ostrowsky, një shkencëtare kërkimore në Qendrën për Kërkimin dhe Politikën e Sëmundjeve Infektive të Universitetit të Minesotës, në SHBA.
Sipas saj, gripi nuk është një entitet i vetëm, por shumë viruse të ndryshme që qarkullojnë midis njerëzve dhe kafshëve dhe të cilat janë në zhvillim të vazhdueshëm.
“Gripi ndryshon shumë është thjesht një objektiv që lëviz vazhdimisht”, tha Ostrowsky.
Disa nga komponentët që ndryshojnë formën janë proteinat në sipërfaqen e secilit virus të quajtura hemaglutininë dhe neuraminidazë. Kur ekspozoheni ndaj gripit, sistemi imunitar i njeh këto proteina dhe përgjigjet në të njëjtën mënyrë, duke luftuar infeksionin duke krijuar antitrupa që lidhen me to.
Gjenet virale që krijojnë këto proteina gjithashtu grumbullojnë mutacione, duke rezultuar në forma të reja të virusit, duke u ndarë në klade dhe nënklade. Por me kalimin e kohës, ndryshimet grumbullohen aq sa mbrojtjet imunitare të trupit dalin jashtë përdorimit, duke i detyruar ato të përpiqen të kapin ritmin. Kjo është arsyeja pse është kaq e vështirë të formulohet vaksina e gripit çdo vit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) mbledh një grup ndërkombëtar ekspertësh për të shqyrtuar një mori të dhënash se ku po përhapet gripi dhe si po evoluon.
Për të qënë sa më në avantazh ndaj gripit, disa shkencëtarë po përpiqen të zhvillojnë vaksina që e stërvisin sistemin imunitar të njohë dhe t’i përgjigjet pjesëve të virusit që nuk ndryshojnë, në vend të atyre që ndryshojnë.
Ekipi i Heaton-it po përpiqet gjithashtu ta bindë sistemin imunitar që t’u përgjigjet pjesëve të virusit që mbeten të njëjta nga lloji në lloj, por ata ende nuk kanë filluar provat klinike tek njerëzit.
Ndërsa metodologjitë e kërkimit janë të ndryshme, qëllimi është i njëjtë për studiuesit në të gjitha aspektet, krijimi i një vaksine që nuk varet nga fati i mirë i një përputhjeje të mirë dhe në vend të kësaj mbron nga shumë lloje të ndryshme të gripit.
“Një vaksinë vërtet universale do të ofronte mbrojtje kundër çdo nëntipi të gripit A ose B, çdo lloji, pavarësisht nëse është pandemik, zoonotik apo thjesht një virus gripi sezonal. Universal do të thotë gjithçka” deklaroi Florian Krammer, i cili po punon në hartimin e një vaksine universale kundër gripit në Shkollën e Mjekësisë Icahn në Malin Sinai në Nju Jork, SHBA.
Megjithatë, jo të gjithë shkencëtarët janë kaq optimistë për vaksinat universale. “E urrej këtë term“, pranon Heaton, pjesërisht sepse ai mendon se premton shumë për atë çfarë mund të bënte edhe një vaksinë shumë e përmirësuar kundër gripit.
Sipas tij, duhet parë në një aspekt më realist, një vaksinë gjerësisht mbrojtëse që mund të mos bllokojë plotësisht çdo formë të gripit, por që megjithatë mbron nga shumë më tepër lloje sesa vaksinat aktuale sezonale.
“Një vaksinë e vërtetë universale kundër gripit dhe diçka që do ta merrnit një herë dhe nuk do të duhej të mendonit më kurrë, është shumë larg, nëse do të arrijë ndonjëherë. Por ndërkohë, përparimi i vërtetë është i mundur. Nuk do të habitem nëse do të kemi një vaksinë të përmirësuar kundër gripit në horizontin pesë deri në dhjetëvjeçar.”, thotë Heaton.











