Nga Prof.Gazmend Shpuza
Sami Frashëri e tha fjalën e vet me mjeshtri, me kompetencë, jo vetëm në fushën e mendimit politik shoqëror, në fushën e filologjisë shqipe dhe turke por edhe në atë të botimeve enciklopedike.
“Kamus-ul alam-i” apo fjalori universal i historisë dhe i gjeografisë i Sami Frashërit në gjashtë vëllime, çka vlen të theksohet, arrin në gati 5000 fq. të formatit të madh me rrjeshta të dendura, të shkrura me alfabetin arab, në të cilin, për më tepër, mungojnë, siç dihet, edhe shumë zanore. Për hartimin, plotësimin e korrektimin e veprës është dashur shumë mund dhe djersë për 16 vjet me radhë. Shumë nisma të tilla të ndërmarra në Turqi apo në vende të tjera kishin mbetur përgjysmë apo kishin dështuar që në hapat e para, pa e parë ende mirë dritën e botimit. Gjithë kjo flet jo vetëm për përmasat e prodhimit shkencor, por dhe për karakterin e këmbënguljen e shkencëtarit tonë të madh.
– Në debatet që behen tek ne rreth rrugëve të zhvillimit të vendit dhe të mbarë popullit tonë në të ardhmen është e natyrshme që njerëzit t’i drejtohen mendimit politik, shoqëror dhe iluminist te së kaluarës dhe, në mënyrë të veçantë, mendimit te rilindësve tanë. Në këtë mes vërehet një njëanshmëri mjaft e theksuar. Vihet në pah me plot të drejtë orientimi i tyre kah qytetërimi më i përparuar i kohës, drejt qytetërimit perëndimor. Porse ky orientim, sikur absolutizohet dhe paraqitet, gati-gati, një mohim i qytetërimeve të tjera, qytetërimeve lindore, në rastin tonë të qytetërimit islam. Me këtë mënyrë injorohet formimi kulturor i shumicës së rilindësve tanë dhe, në radhë të parë, i rilindëesve tanë më të shquar Pashko Vasëri, Hasan Tahsini, Vëllezërit Frashëri e të tjerë. Në gjithë rrugën e përgatitjes së tyre kulturore dhe shkencore ata përvetësuan ç’farë kishte më të mirë qytetërimi lindor. Me këtë ata krijuan një mbështetje solide për t’u orientuar në arritjet më të mira të botës perëndimore dhe të përvetësonin dhe prej andej çfarë kishte më të mirë qytetërimi europian. Gjithë ky proçes kryhej në funksion të idealit të tyre kombëtar. Gjithë bagazhin kulturor dhe shkencor të përfituar rilindësit e vunë në shërbim të çështjes kombëtare. Idetë e reja dhe racionale të qytetërimit lindor dhe të atij perëndimor ata i panë të lidhura ngushtë me detyrat politike, kulturore dhe ekonomike e shoqërore që qëndronin para vendit të tyre. Për më tepër, ata i përpunuan këto ide dhe arritje nën kendvështrimin e realitetit shqiptar, çka i dha shkrimeve të tyre një karakter të theksuar sa origjinal po aq dhe aktual.
Që në krye vlen të theksohet, se qëndrimi i rilindësve ndaj qytetërimit islam nuk ka qenë qëndrim nihilist. Pasi përqafuan idetë perëndimore, ata nuk kaluan në mohimin e çdo gjëje të trashëguar nga kultura lindore, siç mund të krijohet një përshtypje e gabuar nga mënyra, se si i drejtohemi ne sot mendimit politik dhe shoqëror të rilindësve për të argumentuar miratimin apo mosmiratimin tonë të disa qëndrimeve politike të sotshme. Trashëgimi rilindës flet për të kundërtën. Madje, trajtimi, që ata i kanë bërë zhvillimit të qytetërimeve në historinë e njerëzimit, mbetet aktual dhe mësimdhënës dhe sot e kësaj dite. Për t’u bindur për këtë mjafton t’u drejtohemi pikëpamjeve të shprehura nga Shemsedin Sami Frashëri për këtë problem.
Midis veprave, të botuara nga Samiu ynë i madh dhe të njohura deri më tani, janë dhe shkrime dhe vepra të posaçme kushtuar këtij problemi, çka nuk është aspak e rastit. Përveç a-rtikujve të shumtë lidhur me këtë temë, ai ka shkruar dhe librin “Qytetërimi islam” (Medeniyeti islàmiye). Këtë dukuri madhore dhe me rrjedhime të ndjeshme në jetën e njerëzimit ai e ka parë të lidhur ngushtë me qytetërimet paraardhëse dhe sidomos me qytetërimin europian, për të cilin mendonte të shkruante dhe të botonte gjithashtu një libër të veçantë.
Analiza, që Sami Frashëri i bën qytetërimit islam dhe qytetërimeve të tjerë, mbështetet në një koncept të plotë dhe të qartë të këtij fenomeni. Me fjalën qytetërim ai kupton përpjekjet e njeriut për të zbuluar gjithnjë dhe më shumë sekretet e natyrës, arritjet në këtë drejtim të mbështetur në mendjen e njeriut, gjithashtu përpjekjet e tij për t’i vënë në shërbim të vet, të mbarë njerëzimit këto arritje me synimin për t’ia lehtësuar vetes jetesën. Siç shihet kemi të bëjmë me një kuptim modern të këtij fenomeni, kuptim i cili i ka rezistuar kohës. Edhe sot në ditët tona, pa dashur të hyjmë në hollësira, vështirë se mund të shtohet apo të saktësohet gjë, të thuhet ndonjë gjë e re lidhur me këtë koncept. Në të janë pasqyruar qartë dhe plotësisht elementët thlbësorë të çdo qytetërimi në të kaluarën dhe sot, elementët bazë mbi të cilët vendoset dhe tërësia e atyre fenomeneve shoqërore (kulturorë, shkencorë, fetarë, moralë, estetikë e tjerë) që plotësojnë konceptin në fjalë.
Në suazën e ketij konceptimi mjaft të plotë dhe modern të dhenë për qytetërimin Sami Frashëri arrin të vlerësojë drejt jo vetëm qytetërimin grek dhe atë europian, por dhe qytetërime të tjera të lashta, të cilët çuan në qytetërimin modern. Ai u kundërvihej koncepteve sempliste mbi zhvillimin historik të qytetërimeve botërore, duke e ngushtuar spektrin e tyre vetëm në qytetërimin grek dhe atë europian. Sipas Samiut, deri para lindjes së qytetërimit grek shumë popuj si haldejasit, asirianët, hindianët, egjyptianët e të tjerë kanë dhënë ndihmesën e vet të vyer në zhvillimin e kulturës botërore, pra, dhe të qytetërimit, në përgjithësi. Dhe pas grekëve pati popuj, të cilët e çuan më tej zhvillimin e kulturës antike, duke i bërë një shërbim të veçantë lindjes dhe zhvillimit të qytetërimit europian. Këtu ai e ka fjalën për një qytetërim që ai e konsideron jo pa të drejtë të ndritshëm, siç është qytetërimi islam, i cili ka dhënë kontributin e vet në krijimin e qytetërimit europian, duke shënuar një shkallë më të lartë se qytetërimi grek.
Sami Frashëri në trajtimin e vet sqaron dhe drejtësinë e përdorimit të termit “qytetërim islam” në vend të termit “qytetërim arab”, çka nuk është pa interes edhe për sot. Në zhvillimin e këtij qytetërimi dhanë ndihmesën e vet edhe mjaft përfaqësues të popujve jo arabë, të cilët kishin përqafuar fenë myslimane. Gjuhë shkence për të gjithë këta dijetarë ishte dhe mbeti për shumë kohë gjuha arabe. Për Samiun kjo nuk ishte përcaktuese përsa i takonte emërtimit të kulturës në fjalë. Ai kujton me këtë rast që përfaqësues të shquar të kësaj kulture si Ibn Sina (Avicene) ishte persian, al-Farabi ishte turk, pra nuk qenë arabë, e shumë të tjerë si këta.
Samiu thekson, se qytetërimi islam në krahasim me atë grek nuk mbeti i kufizuar në pak qendra, ai u përqafua nga disa popuj. Autori parashtron, se si u përvetësua dhe u zhvillua më tej kultura greke nga dijetarët islamë, si trashëgimi kulturor i grekëve të lashtë iu transmetua Europës nga këta dijetarë. Emrat e mjaft dijetarëve grekë u bënë të njohur për herë të parë përmes shkollave islame të Spanjës, ku studjonin dhe mjaft europianë.
Një vend të veçantë në librin e Sami Frashërit “Qytetërimi islam” zënë arritjet e përfaqësuesve të kulturës islame të popujve myslimanë, në përgjithësi, në fusha të ndryshme të dijes, të kulturës dhe të shkencës, në disiplina të veçanta si astronomia, kozmografia, matematika, fizika, kimia, gjeografia, shkenca natyrore, mjekesi, filozofi, jurisprodencë, letërsi, historiografi, duke u ndalur në zbulime të ndryshme, siç ishin zbulimi i letrës, i barutit, i busullës e të tjera.
Duke përshkruar shkallët e zhvillimit të qytetërimeve të ndryshme, Samiu, jo rastësisht, sqaron dallimin midis diturisë dhe qytetërimit. Ai shkruan që në Aleksandrinë e lashtë u ngjall dituria dhe jo ndonjë qytetërim i ri. Aty u kultivua, siç shkruan Samiu, një filozofi që i thonë e “skolaksur edhe e cila mundon shumë dhe mëson pakë”. Merita e kësaj shkolle, po, sipas Samiut, është, se nuk la të humbasin dijet e antikitetit grek, por pa a arritur t’i zhvillojë dhe t’i çojë më tej ato. Dijet e ruajtuara nga shkolla e Aleksandrisë u morën dhe u çuan më tej nga qytetërimi islam për t’ia transmetuar qytetërimit të sotëm europian, të cilin autori e vlerëson shumë lart. Sami Frashëri shkruan:
“Mundimë të themi që shërbim’ i vetëmë q’i ka bërë njerëzisë shkoll’e Aleksandrisë është ky që s’la diturinë e Grekëve të vjetërë të humbasë edhe mbajti, në një vent, q’është quajturë edhe dot të quhetë gjithë jetënë mez’i dheut, nënë një hi filozofie të skolaksurë, ca kongjinj të ndezurë prej qytetërisë së Grekërvet e ng’ata kongjij u ndes një qyteteri e re, qytetëri e Arabëvet prej së cilësë qe për të ndezurë një ditë qytetëri e vërtetë, qytetëri pa anë e funt, e cila ditë më ditë po shtohet’e po përhapetë, edhe shpejt a vonë, një ditë do të mbulonjë gjithë dhenë e të ndritonjë gjithë kombet e dheut!”
Nën mbretërimin e Harun Rushidit dhe të birit të tij, Memunit, u përkthyen arabisht veprat e autorëve klasikë grekë si Aristoteli, Platoni, Ipokrati e të tjerëve. Porse arabët nuk u mjaftuen me një transmetim mekanik të dijeve të autorëve antikë, të cilat ata i çuan shumë përpara në të gjitha fushat si në gjeometri e degë të tjera. Në ndonjë drejtim, siç është algjebra, ata hapën rrugën në një fushë të re të shkencës të panjohur deri më atëherë, të cilën siç shkruan Samiu e shpikën rishtazi, çka e tregon dhe vetë emri i saj në arabisht.
Zhvillimin e qytetërimit islam Samiu nuk e ndan nga zhvillimi ekonomik i kohës, i botës së atëharëshme, që pasqyrohej, sipas tij, në tregëtinë e gjërë, që bëhej aso kohe përmes karvanesh të shumtë dhe të mëdhenj që përshkonin territoret që nga mesi i Azisë e deri në mes të Afrikës.
“Një ngjallje, një shpirt, një fuqi, një pasje, një dituri mbretëronte në gjith’ato anë, në ato kohëra që (kur) vend’i Sokratit e i Platonit kishin mbeturë si të shkretë, dhe Evropa, Evrop’e ndriturë e ditëvet tona ish një vendt i papunuarë me njerëz gjysëm të egërë” – kujtonte jo pa të drejtë Samiu i madh, duke u përpjekur të vinte në vend ndihmësen e çdo populli, të çdo breznie në zhvillimin e qytetërimit modern.
Qytetërimi islam, i cili lulezoi për pese gjashtë shekuj ra nën sulmet e egëra të mongolëve, nga njëra anë, dhe të europianëve, nga ana tjetër. Të dy palët “u hodhën me fuqira të mëdha mi ta, i vranë, i copëtuan, u shuanë dritën’e diturisë që kishin e i lanë në një errësirë e padije, nga e cila gjer më sot nuk kanë shpëtuarë dot. ” Kështu autori i librit “Medenijeti islamije” kërkon të vërë në pah shkaqet e rënies së qytetërimit të popujve myslimanë. Lidhur me këtë ai thekson gjithashtu: “Dritat e tyre u hapnë udhënë Evropianëvet, ata vetë mbetnë në t’erëtë”.
Në të gjithë trajtesat e veta rreth zhvillimit të qytetërimeve të ndryshme Samiu ka vënë në pah karakterin historik dhe progresiv të tyre. Si rrjedhim ai është në gjëndje të bëjë vlerësimin relativ të tyre, duke theksuar, që qytetërimi europian shënon kulmin e zhvillimit të qytetërimit botëror. Por se ky kulm do të ishte i pamundur pa arritjet e mëparshme të kohërave dhe të popujve të ndryshëm.
Duke folur në një shkrim të veçantë për qytetërimin europian, Sami Frashëri i ndohur përballë qëndrimesh nihiliste të mbajtur ndaj qytetërimeve të herëshme dhe mbivlerësimeve të pa vend të qytetërimit europian në kurriz të atyre qytetërimeve paraardhëse, nënvizon vlerën që kanë arritjet e herëshme të njerëzimit, rëndesinë që kanë patur ata aso kohe për t’i hapur rrugën rezultateve më të larta të më pastajshme. Ato arritje, në përqasje me arritjet e sotme të qytetërimit europian, do të dukeshin, sipas Samiut, si foshnje të dështuara. Porse çdo gjë që është më e parë dhe më e vjetër eshtë, sipas tij, më me vlerë, sepse ka shënuar një hap më përpara në kushtet e një zhvillimi më të ulët. Prandaj ato qytetërime përbejnë rrënjën e qytetërimit të sotëm, rrënjë të cilat shtrihen deri thellë në kohëra të vjetëra dhe të harruara. Prej këtej Samiu arrin në një konkluzion tjetër me shumë interes, se qytetërimi është një dhe i pandarë. Zhvillimi i qytetërimeve të ndryshme ka ra nga një dorë në një tjetër, nga një komb tek një tjetër. Nga një herë ka qenë, si shkruan Samiu “e vrejtur ‘e veniturë, po kurrë s’ka qenë e shuar fare”. Më tej ai vazhdon: “edhe me qenë që të parëtë kanë qenë kurdo mjeshtërit’ e mësonjësit’ e të pastajmët, çdo qytetëri e më pastajme ka pasur qënë më e gjërë e më e plotë nga më e para… ” Në këtë raport kanë qenë qytetërimi grek ndaj qytetërimeve të vjetra të Azisë dhe të Egjyptit, qytetërimi arab ndaj atij grek e keshtu me radhë për të arritur tek “qytetërim e Evropianëvet”, e cila “eshtë m’e mbarë nga të tëra të shkuaratë”.
Përvetësimi i qytetërimit islam nuk u bë, siç vëren Samiu, pa pengesa dhe vështirësi, të cilat e kishin bazën tek qëndrimet obskurantiste të kohës. Si pasojë e tyre u dogjën jo vetëm librat, që silleshin nga vendet arabe, por edhe njerëzit që i sillnin ato. Megjithatë, bashkë me tregëtinë apo, siç e thotë më mirë Samiu, pas saj erdhi dhe dituria.
Në këtë mënyrë filluan të “ndritoheshin me dituri” edhe europianët. Porse për shumë kohë, siç konstaton, me të drejtë, Samiu, ata nuk bënë asnjë hap përpara në krahasim me arabët. Vetëm pas zbulimeve të Galileut, Keplerit, Kopernikut, Njutonit dhe të tjerëve, europianët e kapërcyen këtë prag, këtë shteg edhe e zgjeruan shumë horizontin e dijeve ekzistuese.
Nëpër këtë rrugë të gjatë dhe shumë të mundimshme njerëzimi arriti në këtë shkallë zhvillimi dhe qytetërimi. Pas përshkrimit real të tij, tingëllon dhe më bindës dhe vlerësimi që Sami Frashëri i bën qytetërimit modern të kohës së vet, në fund të shekullit XIX çka i takon dhe qytetërimit të sotëm, në këtë fillim të ketij shekulli të XXI.
“Kjo është qytetëri e vërtetë, e përgjithshme, e përjetëshme, e pavdekur, – shkruan si përfundim Samiu, – Si lum ato kombe që janë ndrituarë a që përpiqen të ndritohenë me këtë qytetërim”.
Konceptin e tij shkencor mbi karakterin unik dhe progresiv të zhvillimit të qytetërimeve në historinë e njerëzimit Sami Frashëri e materalizoi me kulturë dhe me mjeshtëri në veprën e vet madhore, Enciklopedinë e tij gjashtë vëllimeshe, në Fjalorin universal të historisë dhe të gjeografisë, tek Kamus-ul-alami i i tij i mirënjohur jo vetëm në Shqipëri dhe në Turqi, në një rreth shumë gjerë studjuesish, kryesisht orientalistë qënga Kina e Afrika e Veriut dhe në për Europë.
Afirmimi i plotë i vlerave qytetëruese të popujve të Lindjes në “Qytetërimi islam” dhe në “Kamus-ul-alam” i shërbente forcimit të besimit dhe të optimizmit të tyre në luftën për liri dhe një jetë më të mirë. Njëkohësisht, Samiu me orientimin përparimdashës që e karakterizonte, shfrytëzoi me mjeshtëri arritjet e qytetërimit perëndimor dhe i vuri ato në shërbim të luftës së popujve të Lindjes kundër shtypjes së huaj, kundër regjimeve despotike dhe koloniale dhe kundër prapambetjes shekullore të këtyre vendeve.
Enciklopedia e Sami Frashërit shënonte në të gjithë drejtimet një hap shumë të madh përpara në krahasim me botimet e bëra para saj në turqishten osmane nga Ali Suavi dhe Ahmet Rifati, apo edhe nga Mehmet Syreja-i. Gjithashtu kjo vepër madhore, si përsa i përket kohës së botimit, përmasave, kritereve të përpilimit dhe karakterit origjinal, nuk mbetej prapa botimeve të këtij lloji të ndërmarra në vendet ballkanike e në vende të tjera. Keshtu shohim që në vitet 1869-1890 të dalë në Stamboll greqisht fjalori i historisë dhe i gjeografisë i Vutira-s në 9 vëllime. Më 1887 e 1890 doli enciklopedia kroate, nën redaktimin e Ivan Zoch. Më 1896 botohet në Hermanshtad enciklopedia rumune e Diakonoviçit. Në vitet 1899-1907 shohin dritën e botimit tre vëllimet e fjalorit enciklopedik bullgarisht. Fjala është për autorë, vendet e të cilëve kishin kohë, që kishin fituar lirinë. E, megjithatë, botimi i disa prej këtyre veprave u bë jashtë shteteve të tyre të pavarur. Për hartimin e tyre, siç është rasti i Enciklopedisë kroate, u mobilizuan rreth 30 bashkëpunëtorë, profesorë, priftërinj e mësues. Në këtë punë të madhe ndihmoi edhe profesori austriak Mencin.
Një punë të tillë titanike Samiu ynë i madh, megjithëse në kushte shumë të rënda, e përballoi edhe e çoi deri në fund i vetëm. Ai ia doli mbanë me sukses, megjithë vështirësitë që paraqiste kjo ndërmarrje me karakter poliedrik e përgjithesues, çka kërkonte një horizont shumë të gjerë. Vështirësitë materiale dhe financiare nuk qenë më të pakta dhe më të vogla. Vlen të theksohet ky fakt për të bërë më të qartë motivet nga është udhëhequr autori në këtë punë kolosale, motive këto të karakterit thellësisht politik-atdhetar-kulturor-iluminist e shkencor.
Përkundrejt ndonjë pohimi banal, që thotë, se Samiu, sikur qe nisur nga interesa thjesht materiale, mjafton të përmendim këtu faktin, se honorari i kësaj pune 16 vjeçare nuk hapte as shumën e rrogës jo të madhe të 3 vjetëve të autorit të saj.
Në kushtet kur shërbimi bibliotekar në Turqi as që ekzistonte, si bazë për këtë punë të madhe enciklopedike ka shërbyer biblioteka personale e Samiut, e cila kishte të paktën 12000 libra, e sipas një të dhëne tjetër, arrinte në 20000 libra. Për pasurimin e saj S. Frashëri nuk kurseu asgjë. Ekziston një listë librash prej 25 titujsh e përpiluar nga vetë Samiu, me çmimet përkatëse që kapin një shumë prej afro 350 franga. Ndërkohë ai kishte hyrë borxh te një librashitës gjerman në Lajpsig, 1500 lira ar, shumë kjo më e madhe se sa gjithë honorari që mori nga të 6 vëllimet e Enciklopedisë së tij. Botuesi rrallë herë i dha ndonjë paradhënie për të kapërcyer përkohësisht gjendjen e rëndë financiare. Për më tepër, ai nuk i pagoi as honorarin e vëllimit të fundit dhe gjysmën e vëllimit të parafundit. Ndërkohë shtëpia e re e sapo ndërtuar e Samiut qe vënë peng për 500 lira borxh. Vazhdimisht të zotin e saj e kërcënonte rreziku i shitjes në ankand, çka u realizua sapo Samiu vdiq, duke e lënë familjen e tij në mes të katër rrugëve. Honorari i papaguar i gati dy vëllimeve të “Kamus-ul alam-it” do të mjaftonte për shlyerjen e këtij borxhi, për nxjerrjen e shtëpisë prej pengut, për ta shpëtuar atë nga shitja në ankand. E, megjithatë autori i dha për botim, pa asnjë shpërblim, të dy vëllimet me qëllim që vepra e tij të shihte dritën e botimit të plotë dhe t’i shërbente e tëra çështjes së cilës i qe përkushtuar: ndricimit të mendjeve të njerëzve, çlirimit ekonomik-shoqëror e politik-kombëtar të popujve të të Perandorisë Osmane, përfshijë këtu në radhë të parë popullin e vet shqiptar dhe vetë popullin turk.
Për hartimin e veprës së vet ai mori si model, siç është shkruar, fjalorin Enciklopedik të Historisë dhe të gjeografisë të Buje-së (Bouillet, 1798-1864) botim i mirënjohur në atë kohë dhe i rishtypur 7-8 herë. Që më 1876 Samiu kishte shkruar në gazetë për nevojën e shkrimit të librave në formë fjalori, pra, të librave me karakter enciklopedik. Madje, kishte shprehur mendimin për përkthimin e veprës së Bujesë. Kjo ide nuk u realizua. Me kalimin e kohës u pa, që ajo vepër nuk përputhej plotesisht me synimet shkencore, iluministe dhe sidomos patriotike të Sami Frashërit. Për këtë arsye atdhetari dhe shkencëtari ynë i madh i hyri punës për të përpiluar, mund të thuhet pa e tepruar, një enciklopedi origjinale. Dhe jo vetëm origjinale, por edhe shqiptare, pavresisht nga gjuha në të cilën u botua.
Për t’ia arritur këtij synimi autori nuk mund të mbështetej vetëm në botimet enciklopedike ekzistuese. Botimet perëndimore të këtij lloji jepnin një pasqyrë të zbehtë të gjeografisë së vendeve të Lindjes dhe sidomos të historisë e të zhvillimit kulturor të popujve të tyre, të kontributit të tyre në thesarin e kulturës botërore. Në botimet fare të pakta turko-osmane ngjarjet revolucionare e përparimtare të kohëve më të reja dhe ndryshimet, që kishin ndodhur në Evropë, -ose zinin një vend të vogël ose nuk përmendeshin fare, si për shembull në fjalorin historik dhe gjeografik të Ahmet Rifatit. Ndërsa “Sixhili-osmani” (Shënime biografike osmane) i Mehmed Syriait përfaqësonte një punim me karakter krejt të njëanshëm. Ai qe një fjalor biografik i personaliteteve shtetërore ushtarake dhe fetare turko-osmane, ku për personalitetet shkencore, letrare e kulturore, kryesisht teologë e juristkonsultë, kishte jo shumë vend.
Për më tepër, botimet enciklopedike, qofshin ato perëndimore qofshin ato lindore, me njoftimet e tyre krejtësisht anemike e të pasakta për botën shqiptare nuk mund të kënaqnin kurrsesi, atdhetarin e madh shqiptar. Ahmed Rifati në veprën e vet ven në pikpyetje origjinen pellazgjike të shqiptarëve, injoron lidhjet shqiptaro-ilire, shkruan pa kurrfarë simpatie dhe me mjaft lajthitje për Skënderbeun tonë. Mehmet Syrjaj në shkrimet e tij biografike për personalitetet osmane, ndërsa nuk ka lënë grua sulltani, princ osman e dhëndërr të familjes sulltanore pa përmendur dhe ndërsa rreshton të dhëna për dhjetra e dhjetra Skënderbej të dalluar në jetën politike dhe ushtarake të Perandorisë osmane, harron, apo si ta quajmë, të shkruajë për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun.
Pra, botimet enciklopedike ekzistuese perëndimore e lindore nuk përputheshin me kriteret shkencore turkologjike e politike, shumë të përparuara për kohën e sidomos atdhetare të Shemsedin Sami Frashërit. Prandaj ai qe i detyruar t’i drejtohej drejtpërdrejti burimeve, literaturës, çka donte kohë, mund, e mbi të gjitha kulturë, horizont e njohje gjuhësh, të Lindjes e të Perëndimit. E Samiu këto i kishte, mund të themi pa e tepruar, në shkallë sipërore. Para së gjithash ai qe pajisur me shprehitë e punës shkencore, me vullnet, pasion e këmbëngulje. Ishte shumë sistematik në punë. Ndryshe nuk mund të çohej deri në fund dhe me sukses një vepër e tillë madhore. Nuk duhet të harrojmë, që ai i hyri kësaj pune me përgjegjësi, mjaft i përgatitur. Puna e tij për një kohë të gjatë në fushën e gazetarisë, ku ai trajtoi me aftesi probleme nga më të ndryshmet, jo vetëm të aktualitetit Osman, por sidomos botimet e shumta shkencore të përgatitur prej tij për tokën, qiellin, e njeriun e plot të tjera qenë një shkollë e madhe përgatitore për enciklopedistin e ardhshëm.
Për realizmin e veprave të tilla madhore si fjalorët gjuhësorë dhe sidomos enciklopedinë tij prej gjashtë vëllimesh për të siguruar përdorimin e njëkohshëm të disa librave në disa gjuhë ai porositi, sipas skicës së tij, një etazher special. Ajo gjendet e ekspozuar në Muzeun tonë Kombëtar në Tiranë dhuruar bujarisht nga nipi i Samiut zoti Emin Erer.
Për të pasur një përfytyrim qoftë edhe të pjesshëm rreth mbështetjes bibliografike të Sami Frashërit në punën e tij shkencore mjafton t’i hedhim një sy dy-tre listave të përgatitur prej tij dhe të ruajtur nga trashigimtarët, rreth 150 tituj, ku shumë prej tyre përbëheshin prej më tepër se një vëllimi. Midis tyre është një listë botimesh perëndimore kushtuar qytetërimit arabo-islamik, prej afro 50 titujsh. Krahas botimeve më të reja, më të fundit i takojnë vitit 1881, ka edhe botime mjaft të vjetra, me siguri të rralla, të fillimit të shekullit të 18-të (1728). Nuk ka diskutim që kjo listë si dhe listat e tjera, është përpiluar në prag të fillimit të punës për enciklopedinë. Në një listë tjetër të literaturës frëngjisht prej më se 70 titujsh janë rreshtuar vepra të autorëve si Volteri, Kanti, Fihte, Lesingu, Lamartini, Monteskjë, Madam de Stal, Lajbnici, Prudoni, Kont, Gizo, Herder, Byfon e plotë të tjerë. Në të përfshihen literaturë historike, filozofike, sociologjike, ekonomike, psikologjike, pedagogjike, etike, juridike, çka flet për horizontin dhe interesat shumë të gjëra të Samiut dhe përgatitjen e tij si enciklopedist. Atij, veç të tjerash, i interesonte historia e shkencës, problemi i reformave shoqërore, problemet e organizimit të punës, tema e demokracisë, jeta e Dekartit e deri te çështja e stilit.
Me këtë përgatitje shkencore dhe mbështetje bibliografike Shemsedin Samiu i hyri punës për hartimin e Enciklopedisë së vet. Se sa ka përfituar autori nga botimi i Bujesë apo i ndonjë tjetri mbetet detyrë për t’u sqaruar. Porse pavarësisht se ndonjë zë Samiu e ka marrë që andej tekstualisht ai me punën e vet, siç pohon edhe prof. Omer Faruk Akyn, autori i zërit kushtuar Shemsedin Samiut në Enciklopedinë Islame; e ka kapërcyer e tejkaluar modelin, që mori si bazë, jo vetëm përsa i takon vëllimit, por, do theksuar, edhe përsa i takonte përmbajtjes se veprës së tij madhore. Në gjithë këtë punë të madhe ai udhëhiqej nga formimi i tij ideologjik antifeudal, antiabsolutist, e demokratik udhëhiqej nga ideali i tij i lartë kombëtar. Pra, janë të gjithë këta premisa dhe faktorë që i dhanë kësaj vepre të madhe karakter origjinal dhe fytyrë shqiptare. Gjithë kjo ishte fryt jo vetëm i aftësive dhe i punës së madhe të Samiut, por edhe i kurajos civile dhe i guximit patriotik e përparimtar të tij.
Në enciklopedinë e S. Frashërit, nuk mungojnë edhe jetëshkrimet e mbretërve dhe perandorëve të kohëve të kaluara dhe të fundit të shekullit të 19-të, në radhë të parë, të Turqisë. Porse krahas tyre, më mirë të thuhet, përballë tyre mbizotërojnë jetëshkrimet e letrarëve, shkencëtarëve, piktorëve, skulptorëve, arkitektëve, kompozitorëve dhe, sidomos, bien në sy jetëshkrimet e luftëtarëve të lirisë e të drejtësisë, të përparimit shoqëror, të mendimtarëve përparimtarë të të gjitha kohërave. Sa për ilustrim mund të përmenden këtu zërat kushtuar Spartakut, që vdes burrërisht me armë në dorë, të Zhak Bonhomme, udhëheqës i kryengritjes fshatare në Francë të njohur me emrin Zhakeri, Zhan d’Arka, Fra Diavolo-Mikel Roza, Kromvelli, Aleksandër Nevski, Guljelm Teli, udhëheqësit e revolucionit francez Robespier, Danton etj. Në jetëshkrimet e shumë mendimtarëve ai do të vejë në dukje se si luftuan apo u shprehën kundë privilegjeve të klaneve e të kastave, se si u ndoqën nga reaksoni obskurantist, që nga Galileu, Rabële-ja, Xhordano Bruno-ja, Erasmi i Roterdamit e deri te prifti skoces Xhon Skot. Në këtë konceptim Guljelm Telin autori ia kundërve Geslerit.
Një vend jo të vogël midis zërave kushtuar personaliteteve të të gjitha kohrave e zenë figurat e luftëtarëve kundër regjimeve tiranike për drejtësi e barazi shoqërore që nga Aristogitoni e Aristidhi i lashtësisë e deri tek Garibaldi, socialistët utopistë Oven dhe Sen Simon. Simpatia e autorit është haptaz nga ana e personaliteteve përparimtare, në një kohë kur jeta e shumicës së mbretërve dhe perandorëve, përfshijë këtu edhe sulltanët, përshkruhet, në rastin më të mirë, në mënyrë “objektiviste”. Në këtë rast, kjo mënyrë të shkruari përfaqëson një tendenciozitet të paramenduar mirë e të shprehur qartë. Samiu nuk trembet të demaskojë tiraninë dhe krahas saj shpejton të vejë në pah qëndrimet realiste të ndonjerit prej mbretërve qoftë ky edhe cari i Rusisë. Trajtime të tilla, po të shihen në përqasje me Perandorinë Osmane nën sundimin despotik të sulltan Abdyl Hamidit të Dytë janë mjaft të guximshme. Qendrime të tilla nuk vërehen në botimet turke të po këtij karakteri të mëparshëm apo të njëkohshme me Enciklopedinë e Samiut.
Një vend të konsiderueshëm në veprën e Samiut zenë përafqësuesit e arteve figurative që nga kohët e lashta e deri në kohët më të vona, që nga Fidia e Praktisteli deri te Rembrandi e Delakura. Nga një shikim i shpejtë i Enciklopedisë të krijohet përshtypja që autori i saj i ka kushtuar një vëmendje të posaçme kësaj fushe të artit, çka nuk është një rastësi. Me këtë ai i kundërvihej me guxim obskurantizmit të thellë, të mbjellur nga klerikë fanatikë, që mbretëronte, mund të thuhet, në Perandorinë Osmane. Mos të harrohet që Samiu jetonte dhe punonte në kryeqytetin e një shteti teokratik, feja e të cilit ndalonte me ligjin e saj të shenjtë vizatimin e pikturimin e qenieve të gjalla, në radhë të parë, të njeriut. Në këtë mënyrë Samiu ynë luftonte me të gjitha forcat që të hiqej bllokada e egër që ekzistonte mbi artet figurative. Prapambetja e popujve të vendeve islamike në këtë fushë e në fusha te tjera nuk e shtyu atë në pozita nihiliste. Përkundrazi ai punoi me ngulm për të nxjerr në pah vlerat kulturore të lashta të këtyre popujve, ndihmesen e tyre në thesarin e kulturës botërore. Për pasojë në Enciklopedinë e Samiut, ballafaqohen frontalisht e në shkallë të gjerë, mund të thuhet, për herë parë kultura perëndimore dhe kultura lindore. Më mirë të thuhet, e dyta është vënë denjësisht përkrah së parës.
Në veprën e vet madhore Samiu iu kundërvu asaj tradite të ndërtimit të enciklopedisë dhe të fjalorëve enciklopedikë mbi bazën e koncepteve eurocentrike. Sipas këtyre koncepteve, në qendër të zhvillimit të qytetërimit qëndronte Evropa, ndërsa popujt e vendet e tjera qëndronin, shume shumë, në marzhet e historisë, duke mohuar kështu kontributin e tyre në kulturën dhe qytetërimin botërore. Ndërsa Sami Frashëri i shërbente luftës së popujve të Lindjes, shqiptar, turk arab, etj. për të shpëtuar nga zgjedha e huaj, cilado qoftë ajo, si dhe nga ndërhyrja politike ekonomike e fuqive kolonialiste. Ky ideal i lartë emancipues nuk e bëri atë të humbiste drejtpeshimin e të mbivleresonte arritjet e popujve të Lindjes në fushat e ndryshme të kulturës apo të nënvleftësonte kulturën perëndimore. Prandaj ai nuk eci në rrugën e botimeve enciklopedike të Lindjes e të perëndimit me karakter të ngushtë, që i kushtoheshin vetëm botës turko-osmane apo arabo-islamike. Duke u nisur nga kritere të shëndosha ideore dhe shkencore ai përpiloi një vepër në të cilën afirmohen plotësisht vlerat kulturore të popujve të Lindjes, çka i shërbente forcimit të besimit e të optimizmit të tyre në luftë për liri e një jetë më të mirë. Në të njëjtën kohë ai shfrytëzoi me mjeshtëri arritjet e kulturës perëndimore, historinë e revolucioneve borgjeze në luftën e madhe kundër regjimeve despotike dhe kundër prapambetjes shekullore të këtyre vendeve.
Pikëpamjet antidespotike, madje, republikane të Sami Frashërit përshkojnë gjithë veprën e tij gjashtë vëllimeshe. Në të vihet në pah republikanizmi i Agripës, i Robespierit, i Dantonit e i Tierit. Vehen në pah regjimet republikane, analizohen sistemet e tyre shtetërore, vehen në dukje dallimet midis një regjimi republikan e një tjetri, në vartësi të kompetencave të presidentit.
Samiu nuk ka qënë vetëm për shndërrime në superstrukturën e një vendi, por edhe për shndërrime në bazën e tij ekonomike-shoqërore. Duke pasur parasysh shkallën e zhvillimit të Shqipërisë dhe të të gjithë Perandorisë Osmane, ai kërkonte, në radhë të parë, shndërrime në fushën e bujqësisë, në çështjen e pronesise mbi tokën, në përmirësimin e pozitës së bujqeve çifçinj. Këto probleme ai i ngriti qoftë edhe tërthorazi, duke i bërë jehonë edhe masave me karakter gjysmak, siç qe reforma e vitit 1861 në Rusi. Me këtë reformë fshatari rus shpëtoi nga zgjedha feudale e timarit, siç e quan Samiu, nga robërimi i pronarëve të tokave, që i konsideronin bujqit mall sikurse edhe kafshët e çiflikut, shprehet ai.
Bie në sy, po të vërehet me kujdes, se ai nuk ven në dukje në Enciklopedinë e tij ndonjë reformë tjetër të këtij lloji. Autori i bën jehonë pikërisht kësaj reforme, që kishte pak më shumë se një çerek shekulli që qe zbatuar, jo rastësisht. Megjithatë ajo përfaqësonte një shembull të freskët. Për më tepër ajo qe realizuar në Rusinë cariste, armike e Perandorisë Osmane. Megjithëse ishte vetë e prapambetur, Rusia kishte dalë fitimtare në luftë me Turqinë. Me sa duket, autori i “Kamusit” don të tërheqë vëmendjen e zyrtarëve të lartë të Perandorisë mbi shkaqet e thella e thelbësore të gjendjes akoma më të prapambetur të këtij shteti.
Nuk përjashtohet fakti që kjo reformë të përputhej, ndoshta edhe me zgjidhjen e menduar nga Samiu të çështjes agrare në Shqipëri e në të gjithë Perandorinë. Siç e dëshmon edhe publiçistika e tij, ai nuk qe dhe nuk mund të ishte për një zgjidhje radikale të saj.
E gjithë vepra e Samiut në tërësinë e saj është një kundërvënie e fuqishme ndaj realitetit ekonomik-shoqëror dhe politik kulturor-arsimor të Perandorisë Osmane në rënie e shpërbërje. Përballë kësaj gjendjeje Samiu, megjithëse për sa i takon bindjeve ishte ishtar i flaktë i republikës, momentalisht ishte për vendosjen e monarkisë kushtetuese në Turqi. Kjo duket qartë edhe në përshkrimin që ai i bëri regjimit politik të shteteve të ndryshme në “Dheshkronjen” (gjeografinë) e tij. Ai qe për “gjithëurdheronjën” (republikën) e të paktën për “njëurdhëronjën e këshilluare” (monarkinë kushtetuese), kundër “vetëurdhëronjës” (absolutizmit).
Samiu theksonte që Aleksandri i dytë, cari i Rusisë, urrehej jo vetëm nga popujt jo rusë të Perandorisë, por edhe nga vetë ruset liridashës, të cilët i bënë edhe atentat dhe e vranë. Konkluzioni i këtij pohimi të guximshëm ishte, se një fat i tillë i priste te gjithë tiranet. Aluzione të tilla bëheshin në kohën e sulltanit të “kuq”, dmth, gjakatar, siç quhej në atë kohë Abdyl Hamiti i dytë nga kundërshtarët e tij të shumtë brenda dhe jashtë Turqisë.
Në kushtet kur brenda në Turqi mungonte një lëvizje e fuqishme antiabsolutiste, S. Frashëri priste me padurim vdekjen e këtij sulltani, duke shpresuar në përmirësimin e gjendjes së popujve të nënshtruar nga ndërrimi i tij. Vdekja e Sulltanit dhe zjarret e shpeshta që binin në Stamboll lajmëroheshin aso kohe me të shtëna topash, e para me shtatë të shtëna, dhe rastet e dyta me më shumë. Sa herë që degjoheshin të shtënat e topave Samiu i numëronte ata me vëmendje dhe kur numri i tyre kalonte numrin e caktuar për rastin e shumëpritur prej tij, ai, siç kujtonte vajza e madhe e tij Samia, bërtiste i dëshpëruar. : “Ejvah, Abdylhamiti nuk paska vdekë, këto topa nuk lajmërojnë ndrrimin e sulltanit, por janë topa zjarresh”.
Pavarësisht nga iluzionet që mund të kishte te ndryshimet që mund të ndodhnin në Jëlldiz Qoshk, me vdekjen e Sulltanit, iluzione këto që e kishin burimin te dobësia e forcave demokratike, S. Frashëri nuk qe nga ata që priste në pasivitet zhvillimin e ngjarjeve. Ai qe nga të paktët që punoi me të gjitha forcat për përmbysjen e sulltanit autokrat dhe për shkëputjen e Shqiperisë nga sulltanati. Ai me veprat e tij të shumta, me idetë e përparuara që i përshkonin ato, ndihmoi në edukimin e brezave për luftën kundër absolutizmit. Numri i të shtënave të topave dëshmon se ai dëshironte t’i shihte për të gjallë të tij dhe sa më parë frutet e punës së vet dhe të shokëve të tij të idealit për ta future Turqinë në rrugën e përparimit..
- Frashëri e ka pasur shumë të vështirë t’i shprehte lirisht pikpamjet e tij shumë përparimtare për kohën. Veprat e tij prej kohësh qenë vënë në censurë paraprake. Kështu ka shumë mundësi që mjaft zëra të jenë hequr nga botimi e shumë të tjerë të jenë cunguar rëndë. Megjithatë idetë më përparimtare të kohës në Perandorinë Osmane gjallojnë në të gjithë Enciklopedinë. Kjo shpjegohet me personalitetin që kishte formuar autori i saj si dhe me faktin që në komisionin e censurës punonin njerëz si i vëllai i tij, Naimi.
Me sa u tha më sipër, mund të krijohet bindja e plotë që enciklopedia e Sami Frashërit eshtë një vepër origjinale që përshkohet nga mendimi politik shoqëror e shkencor më i përparuar shqiptar dhe turk i kohës. Njëkohësisht ajo është një vepër me fytyrë shqiptare, me karakter të mirfilltë shqiptar. Hartimi i saj në gjuhën turke dhe botimi në kryeqytetin e Turqisë nuk aritën kurrsesi t’i jepnin asaj karakter ngushtësisht turko-osman, sado që autori e pati mirë parasysh faktin, që tokat shqiptare bënin pjesë në shtetin osman. Për këtë ai u detyrua të bënte, natyrisht, edhe mjaft lëshime. Ndër këto leshime nuk kemi parasysh zërat kushtuar personaliteteve përparimtarë turq në fushën e letërsisë, të shkencës e të politikës, të hartuara në përputhje me konceptet e përparuar mbi të cilat është ngritur e gjithë enciklopedia. Për më tepër, këto zëra janë shkruar nën ndikimin e ndjenjave miqësore, që ushqente populli ynë edhe përfaqësuesit e tij më përparimtarë ndaj popullit turk, me të cilin prej shekujsh i kishte lidhur një fat i përbashkët. Pra, qëndrimi i Samiut ndaj popullit turk është, cep më cep, i kundërt nga qëndrimi i tij ndaj qarqeve sunduese reaksionare osmane e klerit fanatik abskurantist, jo vetëm në veprat e tij në gjuhn shqipe, por edhe në gjuhën turke.
Karakteri thellësisht shqiptar i veprës së Samiut duket qartë në zërat e shumtë që i kushtohen gjeografisë dhe historisë së Shqipërisë, gjuhës dhe letërsisë shqipe, lashtësisë së tyre, në përmasat në të cilat jepet secili prej tyre. Mund të thuhet, se nuk ka ngelur personalitet politik, shkencor e kulturor shqiptar apo me prejardhje shqiptare i njohur prej Samiut, që nuk ka zënë vend në Enciklopedinë e tij. Porse duhet vënë në dukje që atdhetarizmi i flaktë i autorit nuk e ka cënuar sado pak objektivitetin e shkencëtarit, rigorozitetin e tij. Ai nuk ngutet për t’i dhënë popullit të vet vlera e merita që nuk i ka. Ai vetëm, kur është i sigurtë dhe ka krijuar bindje të plotë, pohon prejardhjen shqiptare të personaliteteve të ndryshme. Për këtë mjafton të sillet këtu fakti, që ai nuk shprehet lidhur me origjinën e arkitekt Sinanit, rreth së cilës diskutimet vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Përgatitësit e botimit të vepravet të Samiut në Tiranë (1988) janë treguar tejet të kursyer për përfshirjen në të të këtyre figurave, por dhe botimi i fundit i tyre i para shumë viteve në Prishtinë dhe madje dhe ai, i fundit , në Shkup kanë nevojë për ndonjë plotësim.
Zërat kushtuar Shqipërisë në Enciklopedinë janë trajtuar ashtu sikurse janë trajtuar këto probleme në veprat e Samiut në gjuhën shqipe, për të cilat lexuesi ynë ka një përfytyrim të qartë e të plotë. Në këtë rast interes të veçantë paraqet raporti i zërave kushtuar botës shqiptare me zërat e tjerë.
Zërat e shumtë rreth gjeografisë së Shqipërisë u kushtohen edhe toponimeve fare të vogla si Peqini, Gruda, Shëngjini, lumi Kalama e deri te ishulli i Sazanit. Këto vihen përballë toponimeve gjeografike të vendeve të tjera të përmasave të pakrahasueshme me këta. Për të përcaktuar vendndodhjen e toponimeve të vendeve të tjera autori ka parasysh gjeografinë politike të kohës. Ndërsa për të përcaktuar vendndodhjen e maleve, lumenjve e qyteteve tona shpesh herë ai i drejtohet Shqipërisë, si një vend i pavarur. Kështu, psh, ai shkruan për Beratin, Belgradi i Shqipërisë; thekson që Korfuzi ndodhet përballë bregdetit të Shqipërisë etj. etj. duke kapërcyer keshtu përkatësinë politike-shtetërore të vendit të vet aso kohe dhe ndarjen e tij administrative në kuadër të Perandorisë Osmane.
Të tërheqin menjëherë vëmendjen përmasat e zërave që i kushtohen Shqipërisë, sidomos po të krahasohen ata me zërat që u kushtohen historisë e gjeografisë së vendeve të tjera. Shqipërisë e shqiptarëve u kushtohen njëmbedhjetë faqe ndërsa Amerikës shtatë faqe; Gjermanisë vetëm pesë faqe etj. Qendra e krahinës së Çamërisë Ajdonati, zën po atë vend që zën edhe qyteti i Ajdinit që aso kohe kishte 40000 banorë.
Të krijohet bindja, se janë zërat e shumtë kushtuar Shqipërisë dhe përmasat e tyre të gjëra, që u dha atyre autori, të cilët e detyruan atë të hartonte një vepër kaq voluminoze, kur dihet që fillimisht ishte menduar që ajo të përpilohej në dy vëllime. Në një botim të tillë dy vëllimesh bota shqiptare, aq e dashur për autorin, do të dukej e hipertrofizuar.
Që këtej arrihet në përfundimin, se, në përpjestim me zërat kushtuar Shqipërisë, u shtuan dhe u rritën edhe zërat e tjerë, duke filluar me ato që trajtonë vende e personalitete të Perandorisë Osmane.
Atdhetarizmi i enciklopedistit tonë të madh duket jo vetëm në zërat kushtuar Shqipërisë e në krahasimin e tyre me zërat e tjerë. Ky atdhetarizëm përshkon gjithë veprën. Figura si Garibaldi, vende si Italia e Greqia e shumë të tjera lidhen natyrshëm me botën shqiptare. Nuk ka dyshim, se zëra si Kalabria janë futur në vepër, vetëm e vetëm, sepse ata lidhen me botën shqiptare. Aty, shkruan Samiu, banojnë ende 150 mijë shqiptarë, që kanë shkuar atje pas vdekjes së Skënderbeut, duke ruajtur gjuhën e tyre dhe karakterin kombëtar.
Shemsedin Samiu për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun nuk shkruan vetëm në zërin kushtuar posaçërisht heroit tonë kombëtar, por edhe në shumë zëra të tjerë edhe atëhere, kur bën fjalë për sulltanët me të cilët ai luftoi. Samiu thekson se sulltan Murati i dytë udhëhoqi vetë personalisht fushatën kundër Shqipërisë dhe luftoi me Skërnderbeun, që kishte ngritur flamurin e pavarësisë në ato anë. Ndërsa i biri i tij, Mehmedi i dytë, po sipas Samiut, luftoi vendosmërisht kundër Skënderbeut, i cili u qendroi sulmeve të fuqishme të ushtarëve osmanë. Vetëm me vdekjen e Skënderbeut mundi ta shtijë plotësisht nën administrimin e vet Shqipërinë, ky sulltan, konkludon autori, duke ia aneksuar perandorisë së vet. Evokimi i epokës së Skënderbeut nuk bëhej vetëm për erudicion. Ballafaqimi i heroit tonë kombëtar me dy nga sulltanet më të mëdhenj, që kishte nxjerrë Turqia, u frymëzonte bashkëatdhetarëve të autorit, jo vetëm krenari të ligjshme, por edhe besim e optimizëm. Ajo tingëllon si thirrje për luftë për çlirimin e atdheut të vet nga autokracia hamidiste por edhe të popullit turk.
Edhe zërat, ku Samiu nuk i zë në gojë fare Shqipërinë e shqiptarët, ai i ka gjithnjë parasysh ato. Edhe kur shkruan për Poloninë apo për Rusinë, mendon i shqetësuar për fatin e ardhshëm të atdheut të vet. Vë në dukje privilegjet që cari i Rusisë u dha përkohësisht polakëve, siç qe e drejta që ata të kishin një këshill shtetëror të veçantë dhe e drejta e përdorimit të gjuhës kombëtare në shkolla. Nuk ka dyshim që përvoja botërore i ka shërbyer shumë Samiut gjatë hartimit të projektit të tij për bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm, ide këto që ai i zhvilloi më tej në veprën “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e cdo të behet”. Samiu dënon politikën e egër të rusifikimit të popujve të shtypur të Perandorisë cariste nga Aleksandri i dytë, pengesat që u nxirrreshin atyre në përdorimin e gjuhës kombëtare, dënon suprimin e privilegjeve që u qenë dhënë polakëve etj. Duke lexuar këto zëra të Enciklopedisë menjëherë të shkon mendja te politika e Abdyl Hamidit e identifikimit të fesë me kombësinë. Me këtë politikë synohej të thellohej përçarja fetare e shqiptarëve, u mohoheshin atyre të drejtat kombëtare më fillestare dhe i hapeshin dyert ndërhyrjes së fuqive të huaja e të shteteve shoviniste ne çështjen shqiptare, u vihej në ndihmë pretendimeve të tyre aneksioniste.
Në çdo zë të Enciklopedisë ne ndeshim me iluministin e patriotin e madh antifeudal e demokrat, shqiptarin Shemsedin Sami Frashëri.
Enciklopedia, si një pasqyrë gjigante e mendjes së ndritur e të palodhur të mjeshtrit të madh, nuk mund të mos nxjerrë në pah dhe humanizmin e tij. Demokrati antifeudal e republikani Sami nuk e miraton terrorin revolucionar të jakobinëve, e dënon atë. Këto qëndrime deri dje janë parë si kufizime edhe pse janë bërë përpjekje të shpjegohen me kohën në të cilen jetoi, në kushtet në të cilat ai punoi.
Këto qëndrime nuk lidhen, siç eshtë thënë, vetëm me përkatësinë e tij klasore, me prejardhjen e tij shoqërore, me faktin se ai qe përfaqësues i një borgjezie të dobët ekonomikisht, të paorganizuar politikisht, e cila nuk arriti të shkëputej nga aleanca me çifligarët. Nuk është vetëm shprehje e këtyre lidhjeve, fakti që figurat e pashallarëve e vezirëve shqiptarë në shërbim të Turqisë zënë një vend të gjerë në Enciklopedinë e Samiut. Duke evidentuar figura të tilla, autori i kundërvihej, në të njëjtën kohë, pretendimeve të reaksionit antishqiptar osman, ballkanik apo europian qoftë mbi, gjoja, paaftësinë e shqiptarëve për t’u vetëqeverisur. Në Enciklopedi vihet qartë në dukje që nga gjiri i tyre kishin dalë drejtues të shquar civilë dhe ushtarake jo të një por të disa perandorive të mëdha.
Sado që Samiu është kundër përdorimit të dhunës në zgjidhjen e problemeve shqorore, ai nuk qe në parim kundër luftës atdhetare me armë, në përgjithësi. Ai shkroi me simpati për luftetarët e lirisë e të drejtësisë shoqërore kundër pushtuesve dhe despotëve. Mund të thuhet me plot gojën, se, duke e krahasuar me paraardhesit e, madje, dhe me bashkëkohësit e tij, Shemsedin Sami Frasheri mbetet përsëri i madh, e në disa drejtime e për mjaft kohe, mund të pohohet pa e tepruar, se ai mbetet edhe i paarritshëm.
Shembujt e sjellë dhe arsyetimet e bërë besohet, se lejojnë të pohohet, që vepra e Samiut është një enciklopedi origjinale me fytyrë thellësisht shqiptare, sepse bota shqiptare jo vetëm zë vendin e merituar në të, por edhe sepse e gjitha ajo është ndërtuar në funksion të luftës kundër regjimit sulltanor, kundër obskurantizmit për çlirimin e popullit shqiptar. Në këtë luftë ai përdori të gjitha armët dhe mjetet, letërsinë artistike, gazetarinë, filologjinë, botimet shkencore, qoftë në gjuhën shqipe, qoftë në gjuhë turke. Përdori edhe armë, siç u tha që në fillim, të kalibrit të rendë, siç qe Enciklopedia e tij e madhe në gjashtë vëllime. Këtë armë të fuqishme ai e përdori vetëm në gjuhën turke. Kjo rrethanë nuk ia ndryshon dot karakterin kombëtar kësaj vepre. Hartimi i saj turqisht nuk u diktua vetëm nga mundësitë shumë të kufizuara për botimin e saj në gjuhën shqipe. Për më tepër, nevojat dhe kërkesat për botime shkencore në gjuhën shqipe asokohe ishin, shumë shumë, më modeste. Shqipëria kishte nevojë për shkolla shqipe, për abetare, për libra leximi. Parë me këtë sy, mos vallë një botim enciklopedik, sidomos në këto përmasa, del tepër i parakohshëm, ishte një luks i madh për shqiptarët, aq më tepër se botohej në gjuhën turke. Në të vërtetë, botimi i saj jo në shqip, por në gjuhë të huaj, në këtë rast në gjuhën turke, që ishte gjuhë zyrtare e perandorisë, kishte disa avantazhe për atë kohë. Një botim i tillë i shërbente më mirë popullarizimit të historisë së lavdishme të popullit tonë, lashtësisë së tij, vlerave të tij kulturore. Duke e paraqitur këtë histori dhe këtë kulturë në përqasje me historinë dhe kulturën e popujve të tjerë, vepra e Samiut fiton vlera të veçanta si në pikpamje patriotike, ashtu edhe në pikpamje shkencore. Përshkrimet e hollësishme dhe të sakta gjeografike dhe demografike të qendrave dhe të krahinave shqiptare i kundërviheshin mbi baza shkencore vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit për copëtimin e trojeve shqiptare si dhe pretendimeve absurde të qarqeve shoviniste fqinje mbi të ashtuquajturën “Serbi e vjetër” apo “Epiri i veriut” etj., për realizimin e programeve të parashikuara nga qarqet shoviniste balkanike, siç janë “Naçertania” apo “Megaliideja” etj. për krijimin e Serbisë së Madhe, të Greqisë së Madhe, të Bullgarisë së Madhe apo edhe të një Mali të Zi të Madh.
Kështu, Enciklopedia e Samiut i ka shërbyer afirmimit të kombit shqiptar, argumentimit të të drejtave të tij kombëtare, luftës për të fituar këto të drejta. Gjuha në të cilën ajo u botua nuk ishte gjë tjetër, në këtë rast, veçse një mjet. Në kushtet, kur shumica e shqiptarëve të shkolluar të kohës qenë arsimuar në shkollat turke, enciklopedia shërbeu për rritjen e ndërgjegjes kombtare të kësaj shtrese mjaft të gjërë për kohën. Kur nuk arrinin ta siguronin këtë botim, shqiptatët nuk përtonin dhe kopjonin pjesë të tëra të tij.
Aq i madh është Shemsedin Samiu si turkolog sa që shumë autorë turq edhe sot e kësaj dite, edhe përballë faktesh kokëfortë, e kanë të vështirë të pranojnë, çka vlen të ritheksohet, që autori i “Kamus-i turki” dhe i “Kamus yl alam”, ishte jo vetëm një shkencëtar dhe enciklopedist i madh, por në radhë të parë ishte një patriot i madh shqiptar. Madje, si patriot, ishte më i madh se sa si shkencëtar. Patriotizmi dhe humanizmi e iluminizmi i tij përfaqëson atë forcë të pallogaritshme që vuri në lëvizje mendjen e tij të madhe e dorën e tij të palodhur jo vetëm në dobi të popullit që e lindi, e rriti e edukoi, por edhe në të mirë të popullit vëlla turk, për të mirën e përbashkët.
Idetë e përparuara që përshkonin veprën e Samiut në turqisht e që drejtoheshin kundër despotizmit të Abdyl Hamidit ndihmonin në krijimin dhe forcimin e frontit të përbashkët antisulltanor, antiabsolutist të popullit turk si dhe të popujve të tjerë të shtypur të Perandorisë. Ky front u realizua në praktikë katër vjet pas vdekjes së këtij luftëtari të madh të lirisë me revolucionin e korrikut të vitit 1908.
Pra, vepra madhore e Samiut nuk qe e parakoshme dhe jo rastësisht u botua në gjuhën turke. Ajo i parapriu ngjarjeve të mëdha: revolucionit xhonturk në Perandorinë Osmane dhe revolucionit kombëtar shqiptar të viteve 1910-1912.
Duke bërë fjalë për jetën e poetit italian, Viktor Alfieri (1749-1803), Samiu, pasi thekson, se ai ka shkruar shumë vepra për lirine dhe republikën, vë në dukje, se ai vdiq 54 vjeç nga puna e shumtë. Sigurisht që është një rastësi, por nuk mund të mos kujtohet me këtë rast se edhe Samiu ynë i madh vdiq edhe ai po në atë moshë, 54 vjeç, po nga puna e shumtë, e cila i shkurtoi jetën organizmit të tij të brejtur nga turbekulozi. Jo rastësisht autori i “Kamus-it” thekson shkaqet e vdekjes së këtij poeti. Ai ishte i qartë për gjendjen e vet shëndetësore dhe për pasojat e punës shkencore intensive. Megjithatë ai i vetëdijshëm për misionin e tij si ideolog i Rilindjes sonë Kombëtare dhe si shkencetar përparimtar, në radhë të parë, si filolog dhe enciklopedist, nuk rreshti së punuari deri në minutat e fundit të jetës së tij. Ai la pas vepra që e bënë atë të pavdekshëm si mendimtar përparimtar, si turkolog, si enciklopedist i madh i kohës së tij, si publiçist, pa bërë fjalë për fusha të tjera të dijes e të letërsisë. (Milosao)