Nga Ilir Yzeiri
Kriza e fundit dhe përplasja mes qeverisë dhe sistemit të drejtësisë në vend, për shkak të kërkesës së tyre për rritje pagash dhe kundërshtimit të qeverisë që ta llogarisë atë shtesë sipas oreksit të punëtorëve të drejtësisë së re, është vetëm ana më e trishtë e panoramës së sistemit të dejtësisë në vend. Tani nuk ka më asnjë dyshim që reforma më e mbështetur nga shqiptarët dhe më e votuara nga parlamentarët, jo vetëm që ka dështuar, por është kthyer në një minë me sahat për demokracinë shqiptare, sepse trupa që e përbën atë ka dalë jashtë çdo kontrolli dhe ata sillen me këtë vend si të ishin pushtues. Edhe vetë kryeministri, që deri vonë e shpallte Reformën në Drejtësi si arritje personale të tijën dhe të forcës politike që ai përfaqëson, po e përmend, herë pas here, në një formë jo eksplicite, dështimin e saj. Po përse ndodhi kështu ? Përse një nga reformat më të kërkuara dhe më të domosdoshme u shfytyrua dhe në vend që ta shëndoshte sistemin, e kalbi më keq atë. Arsyet mund të jenë të shumta, por në këta vjet mjaft ekspertë seriozë dhe të paanshëm, kanë treguar me fakte se çfarë shkoi keq me atë reformë. Gjëja e parë që të bie në sy dhe që duhet korrigjuar menjëherë është se shkatërrimi i godinës së vjetër dhe ndërtimi i godinës së re të drejtësisë iu la sistemit nga brenda, pra iu la magjistratëve, një pjese prej tyre, të cilët duhet të përzgjidhnin pjesën « më të mirë ».
Pavarësisht se në atë proces kishte edhe ekspertë të huaj, prania e njërës palë për të zgjedhur një palë tjetër, në një vend me përqindje të lartë familjariteti, miqësie, klientelizmi e korrupsioni, pra, vetingu i famshëm, siç po del tani, shërbeu në një pjesë të konsiderueshme për të larguar një kastë juristësh e për të promovuar një tjetër në emër të drejtësisë së re. Dhe këtu mes shembujve tronditës mund të përmendim që lihet jashtë sistemit të drejtësisë një nga gjyqtarët më me integritet Gurali Brahimllari dhe promovohet Olsi Dado. Në komisionet e ngritura për të promovuar drejtësinë e re, shtypi ka vërejtur në më shumë se një rast abuzimet e Ina Ramës. Por pavarësisht emrave, ajo që ka rëndësi është të vihet re produkti dhe predispozicioni i institucioneve që u krijuan pas miratimit të Ligjit për Drejtësinë e Re. Në këtë rast vihet re një dukuri. Në kulturën e shtetndërtimit shqiptarët ende nuk kanë krijuar vetëdijen e ndarjes mes shtetit dhe individit. Nëse sot ne duam të krijojmë modelin e Prokurorit apo të Gjyqtarit të Republikës, ne zgjedhim modelin ligjor më të avancuar. Këtë e bëjmë se jemi naivë dhe mendojmë se duke marrë kallëpin e një modeli të përparuar europian, e kemi shëndoshur edhe sistemin. Harrojmë se brenda atyre kallëpeve do të futen magjistratët shqiptarë dhe gjysma e atyre që shpëtuan nga vetingu.
Ka nga ata që kanë edhe integritet moral dhe përpiqen të zbatojnë ligjin. Por, në shumicë, veçanërisht prokurporët e SPAK-ut dhe gjyqtarët e GJKKO-së treguan në këta vjet se modeli për ta është vetëm mburoja për të justifikuar egozmin dhe prapavijat e frustrimit politik apo social. Nëse e drejta për të dyshuar është një mundësi juridike, ajo nuk mund të kthehet në një normë të vetme dhe burgjet nuk mund të mbushen me të dyshuar sepse kështu do të kthehemi ose më saktë jemi kthyer në kohën e Mon Kukaleshit ku po të kishe xhepat e mufatun kishe bomba. Paradoksi me sistemin e ri të drejtësisë është jo vetëm tejkalimi i së drejtës, por edhe protagonizmi përjashtues në emër të pavarësisë institucionale. Në një shtet të së drejtës askush nuk është i pavarur. Në një shtet të së drejtës të gjithë janë të varur nga një zinxhir ndalimesh që i pengon ata të realizojnë me firmën e tyre atë që është në dëm të interesit publik. Me Reformën në Drejtësi, me ndryshimet kushtetuese që u bënë me këtë rast, në Republikën e Shqipërisë vetëm një kategori nëpunësish të lartë janë mbi presidentin, mbi kryeministrin e mbi të gjithë : ai është prokurori i SPAK-ut. Atë askush nuk e heton dhe askush nuk e ndalon nëse ai mund të çmendet një ditë e të bëjë ato që po bën tani.
Po çfarë reforme është kjo ? Si mund të prishet parimi i shenjtë i check and balance ? Ana qesharake e reformës janë institucionet që janë krijuar për ta monitoruar, promovuar e kontrolluar atë. Të gjithë po e shohim se çfarë po ndodh në KLP për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Në atë proces jo vetëm që ka humbur solemniteti që do të duhej të buronte nga reforma e thellë, por po shfaqen më të errërta se më parë dyshimet për blerjen e postit me anë të influencave. Si mund ta luftojë korrupsionin një prokurori që del nga kjo strukturë ? Dhe e fundit është përplasja për pagat. Secili është në të drejtën e tij që të kërkojë të shpërblehet sa më mirë. Por, në një vend që thirret ende i varfër ose më i varfri i Europës, të kërkosh paga të larta mbi të tjerët në një kohë që ti je sistemi më i përfolur për korrupsion, në një kohë që gjyqtarët dhe prokurorët e këtij vendi, nga ’90 e këtej (natyrisht jo të gjithë), por në pjesën më të madhe gëzojnë pasuri e komoditet të mjaftueshëm, pra të kërkosh përsëri rritje page, kjo e tejkalon atë që në ngjarje apo në një tipologji quhet ana subjektive krahas anës objektive. Në sytë e opinionit publik figura e punëtorit të drejtësisë merr një goditje të rëndë, sepse opinioni ka të drejtë të pyesë : çfarë u bë me ata prokurorë e gjykatës që u gjendën nga vetingu me pasuri marramendëse ? Ku janë sot ata ? Disa janë bërë politikanë si Gjin Gjoni, të tjerë kanë mbetur brenda sistemit dhe mesa duket kanë edhe ata vetëm një parim- jo të japoin drejtësi por të bëjnë lekë.
Për fat të keq, Shqipëria nuk ka më heronj as modele për të ndjekur. Ai që merret me biznes, për opinionuin e përgjithshëm, është ai që ka forcën, që i imponohet shtetit dhe që nuk përfill ligjin. Modeli i pasurimit me çdo kusht dhe etja për të fituar promovohen nga çdo anë e hapësirës publike. Ndaj të huajt çuditen me paradoksin se çfarë është private është super luksoze- hotel, restorant, banesë. Sapo del në rrugë pastaj, pra sapo nis hapësira publike fillon kaosi, pluhuri, papastërtia dhe « bjeri t’i biem ». Nëse shtetarët tanë nuk frymëzohen nga shembujt e njerëzve të mëdhenj që kanë bërë reforma të thella në vendin e tyre dhe që kanë promovuar ligjin, mirëqënien, jo pasurimin, nëse nuk ndërtojmë një shtet që ta shohë hapësirën publike si pronë që duhet ruajtur dhe jo si plaçkë që duhet shqyer, atëherë të gjithë do të kërkojnë të ndërtojnë zotërimet e tyre në këtë vend, ashtu siç po bëjnë punëtorët e drejtësisë së re.











