Në fund të viteve 1960, familja Duvalje që ishte në pushtet në Haiti, u nda me dysh nga një konflikt i ashpër mes dy burrave të familjes. Fransua “Papa Doc” Duvalje, patriarku i familjes dhe udhëheqësi i egër i vendit, arrestoi 19 miqtë e njërit prej dhëndurrëve të tij.
Ai pastaj urdhëroi dhëndrin, Maks Dominik, bashkëshortin e vajzës së tij, Mari-Denis, t‘i bashkohej të tjerëve 19 në një udhëtim të gjatë. Mari-Denis ishte e sigurt se burri i saj po shkonte drejt vdekjes. Ajo e ndoqi karvanin me makinën e saj, dhe u betua me vete që nëse burri i saj do të vritej, ajo do të “qëllonte të atin me një pistoletë, të cilën e kishte fshehur në sediljen e pasme”.
Dominik mbijetoi, edhe pse u detyrua të merrte pjesë në vrasjen e miqve të tij. Libri i Xhej Nordlinger “Fëmijët e përbindëshave”, shqyrton jetën e fëmijëve të 20 diktatorëve brutalë, duke zbuluar se ndërsa disa ndoqën gjurmët e babait të tyre, të tjerët jetuan mes normalitetit dhe privilegjeve të mëdha.
Nikolae Çaushesku, Rumani (1965-1989)
Djali i tij, Valentini, u bë një fizikant i respektuar; ndërsa vajza, Zoia, një matematikane. Të dy u burgosën më vonë me akuzën e “shkatërrimit të ekonomisë kombëtare” dhe “korrupsionit”. Zoia ishte gjithashtu një nimfomaniake, e fiksuar pas seksit, dhe që “pinte alkool si një peshk”.
Të dy fëmijët, u distancuan nga dhuna e tmerrshme e babait të tyre. Por jo djali më i vogël i Çausheskut, Niku. “Nga mesi i adoleshencës së tij, ai ishte shndërruar në një të alkoolizuar dhe përdhunues, të dalë jashtë kontrollit”- shkruan Nordlinger.
“Ai përdhunonte me vullnet të plotë, dhe vullneti i tij ishte i egër dhe i papërgjegjshëm. Ai kishte liri të plotë të bënte gjithçka, pa asnjë lloj ndëshkimi”. Niku nisi të përfaqësonte Rumaninë në takimet zyrtare me Korenë e Veriut dhe Kinën, dhe në mënyrë të pashpjegueshme, u emërua udhëheqësi i vitit në Konferencën Ndërkombëtare të Rinisë, të organizuar nga OKB në vitin 1985.
Kur Çaushesku u rrëzua nga pushteti në vitin 1989 – ai dhe bashkëshortja u vranë nga një skuadër pushkatimi – Zoia dhe Valentin u arrestuan, por u liruan pas 10 muajsh. Niku, që i kishte kaluar të gjitha ato vite me abuzime, u dënua me 20 vjet burg. Por bëri vetëm 3 vite, dhe vdiq nga ciroza e mëlçisë në moshën 45-vjeçare.
Mao Ce Dun, Kinë (1945-1976)
Mao kishte zyrtarisht 10 fëmijë. Disa vdiqën në moshë të re, dhe mjeku i tij personal shkroi më vonë: “Unë nuk e pashë kurrë, të shprehë ndonjë emocion për këto tragjedi!”. Mao pati 3 tre djem me gruan e tij të dytë, Jang Kaihui, e cila u vra në rrugë në moshën 29-vjeçare, pasi nuk pranoi të ndahej prej tij.
Djemtë u zhvendosën në Shangai, ku jetuan thuajse rrugëve. Më i riu vdiq nga dizenteria kur ishte vetëm 4-vjeç, ndërsa të tjerët shisnin gazeta për të mbijetuar. Ata emigruan më pas në Bashkimin Sovjetik, ku Stalini i përdori si një mjet presioni kundër Maos për 10 vjet me rradhë.
Më i madhi, Anying, iu bashkua të atit kur ishte 23-vjeç. Mao e dërgoi atë në një kamp pune, në mënyrë që ta bënte “një njeri më të mirë të proletariatit”.
Duke u gjendur shpesh në lëvizje, për shkak të rivaliteteve dhe luftrave, Mao krijoi një model edhe më të tmerrshëm me gruan e tij të tretë, He Zizhen, duke e detyruar të lindte fëmije dhe më pas t’i braktiste ato. Gjatë viteve 1929- 1935, ajo lindi 4 herë.
Njëri vdiq, të tjerët u braktisën. Me kalimin e kohës, Mao mori një grua tjetër, pa i thënë asgjë gruas që kishte. Mao pati këtë herë 2 vajza, Li Na dhe Li Min, të cilët treguan se sa të ndryshëm mund të jenë fëmijët e një diktatori. Li Na, ishte vajza e babait të saj, pasi ajo “hakmarrej ndaj cilitdo që konsiderohej si jo shumë i bindur”.
Gjatë Revolucionit Kulturor, Nordlinger vëren se një mik i Li Na u plagos në një kamp torturash pas një zënke. Li Na u dërgua nga babai i saj në një “institucion ridedukimi”, ku “puna e vështirë bujqësore, kombinohej me studime ideologjike”. Nga ana tjetër, Li Min, u përpoq të bënte jetën më normale në rrethanat e mundshme.
Ajo ishte e përulur, e butë, e martuar pa bujë, dhe kishte 2 fëmijë. Ajo u përpoq të kishte një farë marrëdhënie me babanë e saj, por pa asnjë dobi. “Li Min shkoi disa herë tek dera e kompleksit rezidencial të babait të saj, por ai refuzoi ta takonte. Ajo pësoi një shok nervor, dhe vuajti për vite më rradhë nga depresioni”.
Benito Musolini, Itali (1922-1943)
Benito Musolini, kishte zyrtarisht 5 fëmijë. Aq e madhe ishte dashuria e Musolinit për fëmijën më të madh, vajzën Eda, sa që kur ajo u martua me Galeaco Çianon, Musolini “e ndoqi deri tek makinën e tij, ndërsa të porsamartuarit po niseshin për muajin e mjaltit”. Ajo në fund e ndali, dhe i kërkoi të kthehej pas.
Në fund të luftës, kur humbja e forcave të Boshtit dukej e pashmangshme, Çiano, asokohe një anëtar i Këshillit të Madh fashist, iu bashkua një nisme për të larguar Musolinin nga drejtimi i vendit. Më vonë, kur Hitleri e rivendosi përkohësisht në krye të Italisë Musolinin, njerëzit që votuan kundër tij, duke përfshirë Çianon, u dënuan me vdekje.
Eda bëri gjithçka për të shpëtuar jetën e burrit të saj, duke iu lutur babait ta falte, por kur Musolini pati mundësi të merrej më çështjen e tij, Çiano u pushkatua nga gjermanët më 11 janar 1944. Lidhja midis babait dhe vajzës u thye. Eda i shkroi:“Ti nuk je më babai im. Unë heq dorë nga mbiemri Musolini!”.
Udhëheqësi Italian, u trondit, dhe disa njerëz pretendojnë se ai nuk e mori kurrë veten, nga ai episod. Por ka edhe raste, kur fëmijët e diktatorëve bëjnë një jetë normale. Për shembull, djali i Musolinit, Romano, u bë një pianist i muzikës xhaz. Ai u martua me motrën e Sofia Loren, dhe vizitoi mbarë botën me grupin e tij “Romano Mussolini All Stars”, duke luajtur përkrah këngëtarëve të famshëm si Ela Ficxherald, Djuk Elington dhe Dizi Zhillespi./ Larry Getlen NYPOST/ Bota.al