Deputeti i PD për Durrësin, Ferdinand Xhaferraj është i vetmi deri tani nga grupimi i Alibeajt, që pohon publikisht se i është bashkuar nismës së Ervin Salianjit për largimin e Enkelejd Alibeajt si kryetar grupi. “Për një vit, nuk ka bërë asgjë të mirë zoti Alibeaj.”- tha Xhaferaj për emisionin “Pa Censurë”, por refuzon ta quajë firmën e tij si firmë për shkarkim.
“Kam firmosur dhe do të firmos çdo shkresë që nuk vjen për shkarkime, por për fuqizimin e opozitës. Risistemimet brenda grupit parlamentar që shkojnë për fuqizimin e opozitës, nuk kanë të bëjnë me shkarkime. Asnjëherë nuk kam votuar për të përjashtuar askënd. Firmos për çdo iniciativë që hap rrugën për bashkim dhe fuqizimin e opozitës.”- u shpreh deputeti Xhaferaj, i cili nuk e sheh zgjidhjen as tek zoti Berisha. “Problemi kryesor i zotit Berisha nuk është tek non grata. Problemi kryesor është se ai nuk prodhon dot më një alternativë fituese. Edhe në 6 mars, megjithëse doli shumë mirë karshi grupimit tonë, që ishim rreth zotit Basha, nuk u kthye dot dukshëm në alternativë fituese.
Ai mobilizon në mënyrë fantastike pjesën militante të PD, por jo të gjithë PD dhe më keq akoma, nuk arrin të bashkojë dot elektoratin gri. Më 6 mars ne nuk reflektuam dhe të gjitha lëvizjet tona kanë çuar në rrudhje të faktorit opozitar.”- është arsyetimi i ish kryetarit të degës PD Durrës. Ferdinand Xhaferaj e bën përgjegjës Berishën edhe për mbështetjen e Lulzim Bashës që në 2013-ën dhe më pas, megjithëse ishte humbës. “Ai mori pjesë edhe në Kuvendin Kombëtar në Korrik 2021. Vetëm kur doli vendimi për non grata, doli kundër Bashës, që tregoi që është në një axhendë personale. Për fatin tonë të keq, siç e konfirmoi 6 marsi, nuk është më alternativë fituese.- tha Ferdinand Xhaferraj për RTSH.
Ndër të tjera Xhaferaj i ka dhënë zgjidhje krizës në PD.
“Në 6 mars dolëm më keq se grupimi i zotit Berisha, që tregon se nuk jemi zgjidhja. Ne duhet të bëhemi nismëtarët për krijimin e një harku të gjerë opozitar, që duhet të shkojë përtej grupimit tonë, përtej grupimit të zotit Berisha. Pra ne të gjithë na ka brenda, por duhet diçka plus. Figura të spikatura nga diaspora, nga media apo shoqëria civile. Ka produkte mediatike që për vite me radhë kanë impaktin e tyre në shoqëri dhe janë shprehur që kanë lidhje me të djathtën. Pra lideri duhet të kërkohet këtu, sepse deri tani, ky lidership brenda PD-së nuk është zgjidhje.
Më i miri ndër ne është zoti Berisha dhe prapë mendohet që nuk na çon në fitore. Atëherë, edhe zoti Berisha ka një rol për të luajtur brenda këtij grupimi, edhe Alibeaj, edhe të tjerët, por ky grupim duhet të shkojë përtej vetes. Pasi, edhe Berisha, dhe Basha u mundën nga Rama. Nuk ka zgjidhje tjetër. Po nuk dolëm nga vetja, po nuk lamë lojën personale, që nga Berisha i pari, nuk do të prodhojmë dot zgjidhjen që duan qytetarët.“- u shpreh Ferdinand Xhaferaj për emisionin “Pa Censurë”.
Deputeti i Durrësit foli edhe për kandidatë të përbashkët në zgjedhje, duke artikuluar qartë se mund të ketë përfaqësues më të mirë përtej disa kandidatëve të primareve. Por për këtë duhen negociata. “Deri në mars kemi të gjithë instrumentet e domosdoshëm që të bëjmë investimin maksimal për të qenë të gjithë bashkë. Deri në mars ka plotësisht gjëra për të negociuar.
Nuk e kam për rastin konkret në Durrës. Nëse ka kandidatë që opozita e bashkuar merr mesazhin se mund të performojnë më mirë sesa kandidatët e primareve, në mënyrë te padisktuueshme, duhet gjetur zgjidhje. Edhe primaret u bënë shumë problematike. Nëse pjesa kryesore e opozitës nuk do që të dëgjojë dhe të qëndrojë si një mur, atëherë është problemi i tyre.”- u shpreh Xhaferaj./m.j