Gjate nje interviste në emisionin “Argument” në SCAN, Jens Reinke, kreu i FMN në Tiranë u shpreh se borxhi publik tashmë është në trajektore rënëse fale reformave nga ana e qeverise shqiptare. Sipas tij, nëse qeveria e ardhshme do që të afrohet dhe do që të bashkëpunojë me ne për të arritur këto objektiva, ne do të jemi të gatshëm.
Si do ta cilësonit marrëveshjen në prag përfundimi ndërmjet shtetit shqiptar dhe FMN?
Jens Reinke: Programi nuk ka përfunduar ende, kemi arritur një marrëveshje në nivel stafi. Përsëri duhet të shkojmë në bord për të nxjerrë përfundimet. Bordi mblidhet në Shkurt, pas saj do të jetë lëvrimi i fundit financiar i programit. Në përgjithësi ka qenë një sukses i madh, ka patur sfida sigurisht, sfida ekonomike të paparashikuara, por kemi arritur një konsolidim fiskal. Borxhi publik tashmë është në trajektore rënëse. Kemi pasur gjithashtu një ndërtim të kapaciteteve profesionale në mënyrën se si agjencitë e grumbullimit të të ardhurave menaxhohen, në mënyrën se si menaxhohen financat publike. Gjithashtu së bashku me partnerë të tjerë kemi ndihmuar në reformat strukturore të cilat janë zbatuar mire. Për shembull në sektorin e energjisë elektrike ku rezultatet kanë qenë inkurajuese, megjithatë është një reformë në proces. Gjithashtu kemi parë se zbatimi i shtetit ligjor dhe trajtimi i sektorit privat në Shqipëri ka përmirësime dhe kjo është pjesë e strategjisë, reduktimit të kredive me probleme. Programi ka patur shumë aspekte, ka patur probleme të ndryshme që janë prekur. Në përgjithësi jemi shumë të kënaqur, kjo nuk do të thotë që puna ka përfunduar. Ka nevojë që reformat të vazhdojnë dhe qeveria është tashmë në pozicionin për të vazhduar më tej.
A kishte disa pika problematike në zbatimin e programit?
Jens Reinke: Një program që nuk ka probleme ndoshta nuk do të ishte një program i mire apo sfidues. Patjetër që reformat hasin rezistencë se për ndryshe nuk janë efektive dhe ka pasur të tilla raste. Në disa pjesë të programit kanë qenë të dhimbshme. Për shembull konsolidimi fiskal, është një proces ku ti përpiqesh të rrisësh të ardhurat apo të menaxhosh më mire shpenzimet, apo disa here t’i shkurtosh ato dhe kjo nuk është diçka e thjeshtë, por është e rëndësishme të shkohet në këtë proces dhe kjo është pozitive. Edhe reformat ë tjera hasin kundërshti, por ka pasur vullnet nga qeveria dhe populli shqiptar për të shkuar para.
Flitet përherë për reforma. Mund të cilësoni ato që mendoni si më të rëndësishme?
Reinke: Me reforma unë kuptoj reformat strukturore, si p.sh aspekte të ndryshme të forcimit të menaxhimin të financave publike, reforma në sektorin e energjisë elektrike. Gjithashtu puna në konsolidimin e financave. Kjo e gjitha ka qenë e mbështetur nga asistenca teknike me bashkëpunimin e Ministrisë së Financave.
A janë këto reformat që i duhen Shqipërisë apo kemi ende të tjera për të implementuar?
Reinke: Të dyja së bashku. Ka reforma të cilat janë në vazhdim, të cilat kanë vazhduar gjatë programit si reforma që bien nën ombrellën e planit të veprimit për zgjidhjen e kredive me probleme. Ka të tjera të cilat sapo kanë filluar si p.sh. reforma në drejtësi. Por gjithashtu ka nevojë për projekte të tjera për reforma strukturore dhe kjo është normale. Çdo vend duhet të shkojë në procesin e reformave strukturore. Reformat bazë apo kyçe janë adresuar apo janë duke u adresuar, por ajo që shikoj unë që ka mbetur është forcimi i shtetit ligjor dhe përmirësimi i klimës së biznesit.
Cilat do jenë dinamikat e vitit 2017? Cilat do të jenë rreziqet?
Reinke: Sfidat e vitit 2017 nuk do të jenë thellësisht të ndryshme nga ato që kemi parë deri më tani në aspektin vendas. Do të shikojmë vazhdimin e reformave që kanë filluar. Është shumë e rëndësishme të forcohet zbatimi i ligjit, parashikueshmëria për investitorët përfshirë edhe investitorët e huaj dhe kjo ka një impakt direkt për vendimet e investitorëve, për të tërhequr investitorët e tjerë. Rreziqe të tjera gjithashtu lidhen me mjedisin e jashtëm. Ju jeni një vend mjaft i integruar me vendet e eurozonës dhe eurozona ende nuk është në atë pjesë të rimarrjes së vetes siç ne kemi shpresuar. Inflacioni është i ulët dhe ndoshta 2017 do të jetë një vit me pasiguri të mëdha dhe rreziqe të mëdha në ekonominë globale. Shqipëria është më pak e lidhur drejtpërdrejt me për shembull daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Rreziqet globale reflektohen tek partnerët tregtarë të Shqipërisë, dhe në mënyrë indirekte edhe tek Shqipëria.
Cfarë mund të thoni për aspektet pozitive të ekonomisë shqiptare në 2017?
Reinke: Potenciali në Shqipëri është mjaft i mire për rritje në të ardhmen. Jo çdo gjë do të materializohet në 2017 por unë mund të them disa gjëra pozitive. Së pari ka akoma shumë hapësirë dhe potencial për të arritur vendet e tjera europiane, ka potencial dhe një force pune të re dhe aktive. Produktiviteti i forcës së punës nga kontakti që kam me investitorët privat është mjaft i mire. Kemi burime natyrore, kemi bujqësinë, turizmi për shembull po rritet fuqishëm tani, gjithashtu ka akoma potencial për t’u rritur edhe në një afat më të gjatë. Ka disa vështirësi për të arritur një potencial të lartë rritje që lidhen me shtetin ligjor. Ka shumë gjëra që bien në ombrellën e shtetit ligjor dhe reformës në drejtësi, të cilat do të ndihmonin në klimën e biznesit dhe do të nxisnin më shumë investitorë për të ardhur. Ndaj ne parashikojmë që rritja ekonomike do të arrijë në nivelet 4 për qind në një afat të mesëm, por nëse do të ketë një ambient edhe më pozitiv dhe më nxitës për investimet, atëherë rritja ekonomike do të jetë edhe më e lartë.
Cilat janë komentet tuaja për tre faktorët më të rëndëishsëm makroekonomik, borxhi publik, deficiti dhe rritja ekonomike?
Reinke: Le të fillojmë me deficitin. Për here të parë kemi një balancë primare pozitive, është një sinjal që vendi është serioz për të ulur barrën e borxhit publik dhe po rikthen financat publike në një rrugë të qëndrueshme. Nëse ke shumë borxh atëherë je shumë i prekshëm ndaj goditjeve të ndryshme ekonomike, kjo është një gjë pozitive në rastin tuaj. Gjithashtu ne shikojmë një trajektore ulëse të borxhit ndaj GDP-së. Rritja ekonomike është duke e rimarrë veten. E di që shqiptarët presin më shumë dhe unë gjithashtu. Po është e rëndësishme të shikojmë që normat e rritjes ekonomike po vijnë duke u rritur. Kjo po ndodh në një mjedis ndërkombëtar që nuk është kaq ndihmues, gjithashtu tregon se diçka po shkon mire. Ka gjithashtu tregues të tjerë, si p.sh. kemi akoma një deficit të lartë të bilancit të pagesave, një deficit të lartë tregtar, që pjesërisht është për shkak të investimeve të huaja direkte, nxitet nga importet e larta që lidhet me investimet. Potenciali për eksporte nuk është shfrytëzuar tërësisht akoma.
Si mund të ndihmohet sektori privat në drejtim të këtyre problemeve?
Reinke: Unë mendoj që sektori privat të marrë drejtimin për të prodhuar mallra, ajo që duhet të ofrojë sektori publik është mjedisi i përshtatshëm, një mjedis të sigurt. Kjo do të thotë që kërkohet zbatimi i ligjeve dhe rregulloreve të tatimeve, rregullimeve ligjore që janë të parashikueshme. Kjo do të thotë gjithashtu që edhe bankat mund ta ekzekutojnë kolateralin më lehtësisht pasi kjo do të ndihmonte gjithashtu në rritjen e kreditimit në sektorin privat, nga ana tjetër kjo do të ndihmonte sektorin privat. Pra ka shumë elemente që do të duhet ta bënin klimën e investimeve në Shqipëri më tërheqës, kjo do të sillte rritjen e eksporteve.
Cili është mendimi juaj për sektorin bankar?
Reinke: Sektori bankar është i mirëkapitalizuar, i mirërregulluar dhe i mirëmbikëqyrur. Nuk ka asnjë shqetësim imediat në sektorin bankar. Kreditimi në sektorin privat nuk është i fortë, këtë e shikon edhe në pasqyrat financiare të bankave. Aktivet e bankave që janë të investuara në portofolin e kredive është i ulët. Kjo është diçka që nëpërmjet politikave duhet ta adresojmë. Mjedisi duhet të jetë nxitës për kreditimin që t’i bëjmë tregjet financiare më eficente.
Si po vijon ecuria e zgjidhjes së kredive me probleme?
Reinke: Në planin e veprimit për të adresuar çështjen e kredive me probleme, fshirja e tyre nga pasqyrat financiare nuk është e vetmja zgjidhje. Ndihmon në fshirjen e bilanceve, por mbetet përsëri për sa kohë që ka një stok të kredive me probleme ende të pazgjidhur. Nga perspektiva e bankave nëse i ke fshirë kreditë e këqija nga bilanci nuk do të thotë që ti mund të parandalosh një gjë të tillë të ndodhë në të ardhmen. Ka shumë aspekte që lidhen me ndryshimet në ligjin e përmbaruesve dhe falimentit. Një tjetër gjë që është ende e papërfunduar, hartimi i një kuadri ligjor për zgjidhjen e problemeve të kredisë jashtë sistemit gjyqësor, pra një zgjidhje vullnetare e cila mund të funksionojë nëse të gjitha hallkat e tjera gjithashtu funksionojnë. Disa nga këto ligje janë kaluar së fundmi, dhe tani sapo kanë filluar të hyjnë në fuqi dhe është ende herët për të pare impaktin e tyre për uljen e kredive me probleme. Unë pres që të shikojmë rezultate pozitive, por gjithashtu duhet të mbajmë mend që një ekonomi e vogël ka ndikime të larta, d.m.th. në qoftë se një kompani e madhe mund të ketë probleme atëherë kreditë me probleme të gjitha rriten pavarësisht se problemi është i izouar. Duhet të shikojmë më shumë si trend ku po shkon se sa lëvizjet periodike lart apo poshtë. Kemi filluar të shikojmë tani që trendi i kredive me problem po ulet. Por me ndryshimet ligjore dhe ndryshimin e kuadrit rregullator unë gjithashtu shpresoj që do të ketë një ekzekutim më të mire të kolateralit, nëpërmjet përmbaruesve apo nëpërmjet një kërcënimi më të besueshëm nëpërmjet ligjit të falimentimit, apo nëpërmjet instrumenteve për t’i ristrukturuar kompanitë insolvente. Duhet të shikohet edhe që stoku i kredive me problemeve të vijë duke u ulur bashkë me fluksin e këtyre kredive.
Politikat e PPP si cilësohen nga FMN?
Reinke: Parimi është i vlefshëm si për Shqipërinë ashtu edhe për vendet e tjera. Ne kemi këshilluar qeverinë që propozimet për PPP të analizohen në mënyrë të hollësishme. Ato duhet të jenë pjesë e kuadrit të përgjithshëm se si vlerësohen investimet publike. Përdorimi i PPP është një mënyrë alternative për të kryer një investim. Duhet parë nëse ja vlen kjo mënyrë përkundrejt investimit nga buxheti. Ka raste kur kjo është shumë avantazhuese, sidomos kur PPP sjell edhe ekspertizë nga sektori privat. Nga aspekti financiar është pak më e vështirë të tregosh nëse është më mire të zgjedhës PPP apo investimin direkt, por është e rëndësishme jo vetëm për PPP po për të gjithë kuadrin e investimeve publike të kemi një analizë të mire, një planifikim, një vlerësim, një zbatim të mire të projekteve.
A duhet të forcohet kuadri ligjor që adreson PPP-të?
Reinke: Nuk është thjesht çështje e ligjeve, ligjet janë forcuar. Gjithashtu qeveria ka ndërtuar mekanizma në MF dhe Ministrinë e Ekonomisë për t’i analizuar projektet e investimeve më afër dhe kjo duhet të çojë në një proces më të mirë. Tani duhet të shohim që këto masa ligjore të zbatohen plotësisht.
Sa rrezik ka “shthurja fiskale” si pasojë e dy proceseve zgjedhore që kemi përpara në 6 muajt e parë të vitit?
Reinke: Unë mund të them se deri më tani gjërat kanë shkuar sipas planit. Qeveria ka marrë një angazhim për të respektuar buxhetin dhe tavanet e shpenzimeve që janë në buxhet. Kemi një buxhet që do të kontribuojë në uljen e borxhit publik. Qeveria është angazhuar për ta mbajtur këtë. A ka risk? Shqiptarët e dine më mire se unë. Por sigurisht institucionet janë më të forta se 4 apo 8 vite më parë. Kemi një ligj organik për buxhetin që imponon limite për shpenzimet. Gjithashtu do të ketë një monitorim të vazhdueshëm nga FMN por edhe nga partnerë të tjerë. Kështu unë mendoj që duhet të kemi një optimizëm të matur.
A do të ketë një tjetër marrëveshje të FMN me qeverinë e ardhshme shqiptare?
Reinke: Nuk duhet të spekulojmë për këtë. Ka zgjedhje, ne vazhdojmë të jemi të angazhuar pas zgjedhjeve me qeverinë e re. Qeveria ka të drejtën për t’u afruar dhe për të kërkuar një program. Mund të jetë një program i një natyre tjetër dhe me kushtëzime të tjera nga ky i fundit. Por në secilin rast do të punojmë shumë ngushtësisht me këtë qeveri apo me qeverinë e ardhshme në shumë fusha në asistencë teknike. Nuk është se ka ndryshime në objektivat në drejtimin makroekonomik dhe do vazhdojmë ta mbështesim qeverinë shqiptare dhe Shqipërinë për ti arritur këto objektiva. Nëse qeveria e ardhshme do që të afrohet dhe do që të bashkëpunojë me ne për të arritur këto objektiva, ne do të jemi të gatshëm.