Juventus-Napoli nuk mund të jetë kurrë thjesht një ndeshje e radhës në kampionat, por këtë herë motivet që e bëjnë atë të veçantë janë të shumta.
Në qendër të vëmendjes është kryqëzimi mes Luciano Spalletti-t dhe Massimiliano Allegri-t, dy teknikë që kanë lënë gjurmë pikërisht në pankinat e kundërta, ndonëse ky i fundit do ta ndjekë takimin nga shkallët e stadiumit për shkak pezullimi.
Mbi trajnerin Spalletti rëndon ndërkohë hija e Antonio Conte-s dhe një rezultat tjetër përveç fitores, mund të sjellë ndryshime në stol. Mos harrojmë edhe zëvendëstrajnerin Landucci që ritakohet me Spalletti-n pas tensioneve të vitit 2023.
Të dyja skuadrat po kalojnë një moment delikat teksa lundrojnë në mesin e tabelës, shumë larg objektivave të fillimsezonit, çka e kthen këtë 90-minutësh në një detyrim për të mos humbur pikë. Ky duel mbart me vete një peshë historike, duke nisur nga fitorja napolitane e vitit 1986 që hapi rrugën e titullit të parë, te goli i ishit Altafini në 1975, apo goditjet e Koulibaly në 2018 dhe Raspadori në 2023.
Përballjet e tyre kanë dhuruar gjithmonë spektakël përmes dueleve legjendare si Platini kundër Maradona-s, apo atyre që kanë veshur të dyja fanellat si Omar Sivori dhe Gonzalo Higuain. Në rrafshin taktik, kjo është edhe një betejë toskane mes dy trajnerëve, të cilët në 16 përballje të mëparshme regjistrojnë gjashtë fitore për Spalletti-n dhe pesë për Allegri-n. Me kaq shumë intriga të së shkuarës dhe nevoja urgjente të së tashmes, kjo super-sfidë premton të jetë një nga ndeshjet më të luftuara të këtij sezoni.











