Nga Artan Fuga
Historia e parë: E pashë me një telefon celular në dorë, kishte hapur kapakun e kabinës elektrike te shkallët e ndërtesës dhe diçka përpiqej të lexonte te ekrani i sahatit të tij matës. “Më ka ardhur fatura e energjisë 240 mijë lekë!” E pashë që e kishte humbur fare. Kjo ishte në vend të fjalës “mirëmbrëma”. Dukej që e kisha komshi. U afrova dhe i thashë: “E sheh si të ecën disku?” Hapi sytë dhe mbeti i hapur. Vërtitej si rrotë veture e ndonjë të forti që terrorizon lagjen. “Uaauuu” – bërtiti. “Po unë harxhokam sipas këtij sikur të jem fabrikë! Cfarë bëhet kështu, më paskan vendosur sahat të prishur!” Unë nuk mund të bëja më shumë për të. Se mos ka ndonjë shërbim ku ti merr në telefon në ora tetë të darkës dhe ata vijnë e rregullojnë menjëherë problemin tënd. Asnjë shenjë ku mund t’a kontaktosh faturistin a teknikun mbi faturën mandat. Jo mandat – pagesë jo! Mandat mo! “Ik o zhduku budalla i dreqit! – duken sikur të thonë. E çfarë se ti paguan kontratë shërbimi. Seriosht e merr që ke të drejta? Gabel! Historia e dytë: Te njësia tregtare e rrugicës, hyra për të blerë ca makarona. I doja të zeza. Te veshi dëgjova një zë : Mos kujto se i ke me grurë a thekër sepse me bojë i kanë lyer. “Pusho, vesh budalla, i thashë vetes”.
Vajta të shihja për ndonjë kavanoz reçel. Veshi filloi përsëri të më fliste:”Jo këto kavanozat o burrë naiv, se i kanë hedh xhelatinë artificiale brenda!” E fshika llapën e veshit me dorë, por e dëgjova ama. Te sallamrat e pulave nuk e durova dot më sepse veshi diçka më pështyu brenda tij duke thënë: “I kanë mbushur me fasule të bluara, mos kujto se kanë mish pule brenda!” Aty u nxeha. “Ik vesh i dreqit!” – bërtita. Ktheva kokën për ta parë veshin drejt e në sy. Ishte roja i njësisë tregtare që më shihte me sy të dhimbshur. Por, një hak e kishte. Asnjë mall nuk tregon sesa i besueshëm është informacioni i gjendur te etiketa e tij. Ika pa blerë, por sot do kthehem përsëri atje, se vdes urie pastaj. Historia e tretë:”I nisa Profesor!” – më bërtit Asllani nga cepi i një dyqani në ora nëntë pa pesë minuta të darkës.
“Cfarë nise o burrë?” e pyeta dhe nuk i hoqa dorashkat nga duart as kapuçin e xhupit nga koka se po më thante i ftohtit afrikan. “Dy çunat o burrë. Njerin e nisa në Zelandën e Re, sepse kam tezen e gruas atje! Kurse të dytin, atë më çamarokun e nisa për në Groelandë, sepse kishin nevojë për shqiptarë si drejtues punimesh në ndërtime sheshesh qytetesh.” E pashë me dashuri mikun tim. Mu kujtua një djalë nga Mirdita që e takova një natë dimri në Vlorë në vitet ’90! Po priste skafin që të merrte detin me dallgë për të shkuar në Itali. Kur e pyeta se përse po rrezikonte, pasi i thashë se jam pedagog, m’u përgjigj:” : Ja nga ti, sepse nuk u shpjegon mirë studentëve!”
U ktheva në shtëpi menjëherë. Po të vazhdoja të sorollatesha nëpër lagje mbrëmjes kushedi se çfarë historirash të tjera do të dëgjoja. U ktheva në shtëpi dhe pasi e nxorra nga frigoriferi ku e kisha lënë në ngrirje të thellë, ndeza arkën me ekran. Në një studio dikush bërtiste duke mbrojtur poezinë e realizmit socialist. “Tutkun i mjerë ky xhaja që flet!” – dëgjova veshin që më tha fjalinë e fundit përpara sesa të dremisja mbi ekranin e dhunshëm.