Nga Ilir Yzeiri
Ajo që po ndodh me protestat, por sidomos urrejtja që shfaqin në rrjetet sociale shumë adresa shqiptarësh kundër Edi Ramës, është joproporcionale, jo korrekte dhe, në një masë të madhe, shpreh një paradoks. Dhe ky paradoks është vetë kryeministri i Shqipërisë.
Edi Rama e feston ditëlindjen e tij më 4 korrik, ditën e Pavarësisë së Amerikës dhe, pikërisht me këtë fuqi të madhe ose për shkak të kësaj fuqie të madhe, është vënë dy herë përballë shqiptarëve në mënyrë masive. Ata ia kundërshtuan planin e tij për të marrë mbetjet e armëve kimike në nëntorin e largët të vitit 2013. Ai manifestim zgjoi te shqiptarët ndjenjën sublime të atdheut, madje në parrullat e atëhershme u arrit deri atje sa të shkruhej që «Shqipëria nuk do të bëhet Hiroshima e Europës» duke përzier narrativën e bombës atomike në Hiroshimë me antiamerikanizmin europeist majtist. E njëjta gjë po ndodh edhe sot. Protesta që nisi me kundërshtimin e drejtë të organizatave mjedisore ndaj projektit të zhvillimit të zonës Pishë-Poro -Nartë, u transformua në një lëvizje antiamerikane dhe antisioniste me qenë se në qendër të këtij projekti ishte dhëndrri dhe vajza e Presidentit Amerikan, Donald Trump. Ashtu si edhe në protestat për ndalimin e ardhjes së armëve kimike, edhe tani, një pjesë e frymëzimit vinte e vjen nga Kosova dhe nga shqiptarët e Maqedonisë të cilët kujtohen për Shqipërinë sa herë që vjen në pyetje Amerika. Edi Rama shenjon më mirë se cilido tjetër lider i këtij vendi tipin e drejtuesit liberal, postmodern dhe pa referenca historike. Modeli i zhvillimit që ai i ka imponuar këtij vendi me drejtimin afatgjatë, është paradoksi. Ata që kanë qeverisur para tij dhe, mes tyre Berisha, sidomos, mund të veçohen për principialitetin regresiv të shpallur e të mbrojtur. Berisha hyri në politikën shqiptare si aktori kryesor që krijoi kaosin me tokën dhe ligjin e saj. Siç dëshmonte tani në fund ish-Presidenti Bamir Topi, ligji famëkeq 7051 për ndarjen e tokës bujqësore është bërë me këmbënguljen e Berishës.
Socialists në atë kohë nuk donin që toka që do t’u shpërndahej fermerëve, të jepej me tituj pronësie, por në përdorim. Berisha është autori i masakrave dhe luftës civile të vitit 1997, por ai asnjëherë nuk ka qenë i urryer sa ç’është Edi Rama sot. Edhe Enver Hoxha, ai që aplikoi luftën famëkeqe të klasave, nuk është i urryer në rrjetet sociale sa Edi Rama sot.
Paradoksi është se edhe shqiptarët e Kosovës, në masë të madhe, e quajnë Edi Ramën tradhtar dhe Sali Berishën që i shiste naftë Milosheviçit apo që zhduku Remzi Hoxhën, e quajnë patriot. Edi Rama si postmodernist nuk i kushton vëmendje referencave. Ai pati kurajon që në vizitën e parë në Beograd dhe të dytën në historinë e marrëdhënieve mes Serbisë e Shqipërisë ta përmendte pavarësinë e Kosovës atje në krah të Vuçiçit, ashtu si, po me të njëjtën lehtësi, ta bënte Vuçiçin aleat për të demokratizuar Ballkanin, madje të botonte bashkë me të një artikull për promovimin e Ballkanit në BE.
Edi Rama ishte i pari që me lehtësinë më të madhe shpalli moratoriumin për gjuetinë, ndaloi projektin shkatërrues të ndërtimit në Kalivaç. Po ashtu, anuloi edhe dhjetëra e dhjetëra leje që Sali Berisha kishte dhënë për të shkatërruar Valbonën me ndërtime hecesh mbi ata lumë e të tjerë lumenj. Pastaj, me po atë lehtësi që anuloi ato leje, i hapi rrugë ndërtimit të një kompleksi në Manastir në parkun e Butrintit.
Duke qenë postmodern dhe idhtar i liberalizmit, ai i ndërpreu lidhjet me zhvillimin arkitektonik të Tiranës dhe me semantikën e sintaksën e saj. Në vend të tyre ndërtoi një sintaksë tjetër duke e bërë Tiranën laborator për eksperimentet e gjithë arkitektëve të Europës. Me këtë rast ai harroi një thënie të njohur që, nëse do ta shkatërrosh një vend, gjej një ekonomist të mirë që kërkon vetëm fitim dhe një arkitekt që kërkon vetëm ndërtim. Duke qenë nga natyra krenar dhe egocentrist në disa raste, Rama zgjodhi paradoksin dhe konfliktin si forma të qeverisjes.
Ai nuk u interesua kurrë që të ishte vetë në qendër të projekteve madhështore që do të konsolidonin shtetin demokratik. Rasti më flagrant ishte Reforma në Drejtësi, e cila u krye dhe u realizua larg vëmendjes strategjike kombëtare dhe në liri të plotë të atyre që shkatërruan një sistem për të ndërtuar një korporatë, e cila, sot, në shumicën e rasteve, është kthyer në dëm të lirisë së qytetarëve dhe në mbrojtje të padrejtësisë.
Ky paradoks lidhet gjithnjë me natyrën e Edi Ramës si postmodernist që ka në themel gjithnjë ndërtimin e diçkaje të re pa lidhje me të shkuarën, madje duke e shkatërruar atë. Vizioni i tij postmodern ka sjellë një ndryshim të dukshëm të Shqipërisë dhe këtë nuk mund ta mohojë askush, por paradoksi qëndron pikërisht te zhvillimi kontradiktor.
Njeriu që u dha gjithë pushtetin prokurorëve dhe gjytarëve, është masakruar prej tyre dhe ata ia arritën që në këta vjet të ndërtojnë, ku me të drejtë, ku pa të drejtë, narrativën e një vendi që ka një qeveri të kriminalizuar e të korruptuar. Dhe falë kësaj lehtësie, sot janë harruar Gërdeci dhe 21 janari.
Duke ndërtuar institucione të dobëta dhe në dukje demokratike, Edi Rama nuk arriti të ndalonte e të kontrollonte fluksin e parave të pista që ushqenin zhvillimin në këtë vend.
Në emër të lirisë dhe të ndarjes së institucioneve dhe mosndërhyrjes së pushtetit ekzekutiv, u krijuan paradokse të mëdha. Konsorciumi që do të ndërtojë në qendër të Tiranës kullën me emrin Mali i Tiranës, është në hetim për para të ardhura nga trafikimi i drogës. Mesa duket, zhvillimi i lirë dhe pa asnjë kontroll nuk sjell gjithnjë paqe dhe demokraci. Protesta e këtyre ditëve nisi vërtet nga Zvërneci dhe pati në fillim frymëzim ambientalist, por, përditë e më shumë, ajo po nxjerr në pah se modeli postmodernist dhe ai liberal nuk mund të jenë të suksesshëm në një vend që vjen nga shtypja e gjatë dhe nga barazitizmi.
Urrejtja që ka shpërthyer këto ditë ndaj Ramës, por edhe ndaj atyre që mbështesin projektin e tij, është ajo që thoshte filozofi Byung Chul Han se njeriu postmodern vjen një moment dhe kalon nga përtacia mendore në zemërim të thellë. Zemërimi i thellë është shenja që ajo shoqëri nuk ka vdekur.
Ndaj edhe Edi Rama i ka provokuar shqiptarët më shumë se Berisha që dogji Shqipërinë, por sot pretendon se protestat janë kundër Ramës dhe më shumë se Albin Kurti i cili dashurohet në Kosovë sepse është kundër Amerikës dhe Europës dhe se mbyll bizneset shqiptare të Kosovës në mëngjes dhe pasdite nis protestuesit në Tiranë.











