Ndojtja mjedisore e shkaktuar nga djegjet e mbetjeve në landfillin e Elbasanit, ka arritur përmasa shqetësuese dhe mjaft të rrezikshme për banorët që jëtojnë afër vendgrumbullit dhe zonat përreth.
Eksperti i mjedisit dhe planifikimit të territorit, Imeldi Sokoli, ishte i ftuar në Report Tv, ku foli për nivelin e ndotjes të shkaktuar nga djegia e mbetjeve në landfill.
“Dhe në këtë rast, sidomos në afërsi të zonës së landfillit, është e këshillueshme që lëvizjet të jenë sa më të pakta dhe të lëvizet me maska dhe mjete mbrojtëse për aparatin respirator. Kjo për sa i përket zonës kryesore aty ku ka ndodhur ndotja e ajrit apo vatrat aktive të zjarrit. Jo vetëm kaq, por edhe gjatë periudhës së ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, është një periudhë që nuk këshillohet që njerëzit të jenë të ekspozuar afër kësaj zone. Pas rënies së zjarreve dhe procesit të fikjes së zjarreve në landfill, kemi realizuar disa matje, rreth 500 metra nga landfilli, të cilat janë edhe distancat ku metodologjia e matjes lejon dhe matjen e parametrave të ndryshëm të cilësisë së ajrit”,- tha Sokoli.
Eksperti tregoi se 2 stacionet matëse të cilësisë së ajrit tregojnë se kjo e fundit është ulur ndjeshëm, duke rrezikuar më së shumti qytetarët me probleme respiratore, por edhe personat e shëndetshëm.
“Kemi edhe matjet që janë pamjet e stacionit ku ne marrim të dhëna në kohë reale në 24 orë në ditë për sa i përket cilësisë së ajrit. Në qytetin e Elbasanit kemi dy stacione matëse. Gjatë zjarrit, parametrat kanë kaluar nga ndotje e moderuar apo lëvizje e pashëndetshme për personat e ndjeshëm ndaj problemeve respiratore. Është e këshillueshme që të kemi sa më pak ekspozim në zonë’,- tha Sokoli.
“Sa i përket problemeve shëndetësore, unë nuk jam ekspert, por mund të ndikojë edhe personat që janë të shëndetshëm, duhet të kenë kujdes për ekspozime të tilla, sidomos për periudha kritike që tashmë ka kaluar”,- shtoi ai.
Përveç cilësisë së ajrit, djegja e mbetjeve në landfillin e Elbasanitm mund të ndotur edhe tokën e ujin në që kalon afër asaj zone, ndaj bëri thirrje për matje të shtuara.
“Këtu duhet përmendur edhe diçka tjetër, që landfilli në përgjithësi në shkallën e piramidës së menaxhimit të mbetjeve, është vendi i fundit, ku ne i çojmë mbetjet që asgjësohen. Nuk është e këshillueshme të jetë afër trupave ujore, sepse mbetjet e këtij depozitimi mund të depërtojnë në shtresat ujëmbajtëse dhe shtresa nëntokësore”,- tha eksperti.