Ngjitja e Neymar në podiumin e tre finalistëve në garën për “Topin e Artë” do t’i kushtojë Barcelonës rreth 2 milionë Euro.
Katalanasit duhet t’ia paguajnë këtë shumë klubit të Santosit për shkak të marrëveshjes që ekziston në klauzolën mes skuadrave. Neymar u bashkua me Barcelonën në vitin 2013 për 57.1 mln Euro por në një klauzolë të kontratës theksohet se klubi katalanas duhet të paguajë 2 milionë Euro nëse Neymar ngjitet minimalisht në treshen e parë.
Por ndërkohë që Neymar po shkëlqen në fushën e lojës, i ati i lojtarit që është edhe agjenti i tij, është shprehur se e ardhmja e sulmuesit në këtë klub mund të vihet në dyshim nëse çështja e ngritur kundër familjes për evazion fiskal, do ta nxjerrë fajtor lojtarin.
Një gjykatë braziliane ka ngrirë të gjitha pasuritë e famljes me vlerë 42 milionë Euro pasi Neymar akuzohet për evazion fiskal me vlerë 14 mln Euro gjatë viteve 2011-2013.
Kontrata aktuale e sulmuesit me Barcelonën skadon në vitin 2018. Ai përfiton çdo sezon nga 8.8 mln Euro dhe gjatë diëve të fundit ka kërkuar rinovimin me përmirësimin e pagës. Në rast se drejtuesit e klubit nuk bien dakort që lojtari të përfitojë një pagë më të lartë, atëherë Neymar mund të mendojë një destinacion të ri edhe pse kjo është një hipotezë pak e mundshme për momentin. Supersport