Rama theksoi se aspirata europiane e Ballkanit ka ndryshuar perspektivën e popujve të tij, por sërish rajoni sot jeton disa paradokse.
“Dialogu mes Kosovës e Serbisë vazhdon. Serbia po negocion, ndërsa Kosova është i vetmi vend në të gjithë kontinentin, njerëzit e të cilit e kanë të ndaluar të lëvizin lirisht pa liberalizimin e regjimit të vizave. Njerëzit me të drejtë pyesin: Si ishte e mundur të shkonim në Gjermani pa viza, me pasaportë jugosllave, kur ishim nën diktaturë dhe tani që jemi një vend i pavarur nuk mund të dalim jashtë kufijve tanë?!”
Kryeministri foli për rëndësinë e integrimit europian për Shqipërinë dhe Ballkanin, si instrument modernizues dhe forcë e paqes dhe stabilitetit në Ballkan.
“Ne nuk jemi duke rendur drejt anëtarësimit, por jemi gjithmonë e më shumë të dëshiruar për të mos humbur perspektivën europiane, si i vetmi horizont në sytë e njerëzve tanë, sepse do të ishte tepër vonë, nëse forcat antieuropiane do të zinin rrënjë në rajon. Mund të pyesni, – vërtet e keni seriozisht që jeni kaq shumë pro europianë sot, kur çdokush do që të dalë, ju do doni të hyni?! Por, mendoj se, është pak më shumë e ndërlikuar dhe më pak sipërfaqësore se kaq. Për ne, Europa ka të bëjë me diçka shumë më shumë të rëndësishme, ka të bëjë me të ardhmen, paqen dhe sigurinë. Për ne do të thotë të ndërtosh të ardhmen mbi të pamundurën e të shkuarës.”
“Kushdo është i vetëdijshëm, nënvizoi Kryeministri, se nuk mund të jesh pjesë e BE-së, nëse nuk je në gjendje të flasësh me fqinjin, të bashkëpunosh me fqinjin, të rregullosh çështjet e së kaluarës në frymën e dialogut dhe të mirëkuptimit. Në këtë kuptim, Europa në rajonin tonë është një forcë shtytëse ende e fortë. Mund të thuash gjithçka për BE-në, por askush nuk mund të mohojë fuqinë e BE-së për ta mbajtur fort paqen dhe të parandalojë konfliktet.”
“Nën rrugëtimin e përmbushjes së kritereve dhe standardeve të integrimit, Shqipëria ka ndërmarrë reformat më të mëdha europianizuese, duke veçuar reformën në drejtësi. Ne e dimë, – theksoi Kryeministri, – njerëzit tanë e dinë se, nuk mund të jemi anëtarë krenarë të BE-së, nëse kemi një sistem drejtësie që nuk funksionon.”
“Lufta kundër korrupsionit ka të bëjë me modernizimin e vendit, ndërtimin e institucioneve dhe të mekanizmave që e bëjnë shtetin imun nga subjektiviteti i njerëzve. Pjesa ku deri tani nuk ka pasur asnjë progres është pjesa e gjyqësorit, pandëshkueshmëria. Pra, përsa i përket kësaj pjese, ne jemi ende të dobët. Por, më lejoni t’ju tregoj anën tjetër të medaljes. Sipas Barometrit Europian, në vitin 2013 Policia sëbashku me gjyqësorin ishin institucionet më të diskredituara, të korruptuara dhe të pabesueshme në sytë e publikut në Shqipëri. Ndërsa, sipas Barometrit Europian të vitit të kaluar, Policia ishte institucioni më i besueshëm në sytë e publikut në Shqipëri. Në tërësi, është e rëndësishme të kuptojmë se, pikërisht për këtë kemi nevojë për rrugën e integrimit europian, sepse progresi që kemi bërë ka qenë i lidhur me këtë rrugë dhe me këtë trysni. Nuk mund të imagjinoj ku do të shkonim nëse nuk do të kishim pasur rrugën e integrimit. Kemi këtë mundësi fantastike që jemi në zemër të Europës dhe që kemi këtë perspektivë dhe këtë instrument modernizimi që është procesi i integrimit.”
Reformat në ekonomi shmangën kolapsin ekonomik. Rezultat i tyre është rritja e pagave dhe pensioneve, edhe përkundër tendencës së sotme në shumë vende.
“Ekonomia jonë po rritet në 3.5% krahasuar me 0 disa % që ishte në 2013. E dyta, ne kemi arritur, jo vetëm që të mos ulim rrogat dhe pensionet, siç na kërkoi FMN-ja, sepse borxhi publik po dilte jashtë kontrollit, ndërsa kishim dhe një borxh të fshehur prej 720 milionë dollarësh, të cilin e zbuluam kur morëm detyrën, një borxh vërtet shumë i madh për Shqipërinë, për shkak se nuk ishin paguar punët publike, shërbimet, kontraktorët. Tani kemi rritur rrogat dhe pensionet, pasi bëmë reformat dhe nëse rroga e administratës publike në Shqipëri ishte më e ulëta në rajon, tani pagat mesatare janë rritur.”