Enti Rregullator i Energjisë ka shtyrë për në 1 korrik 2026 afatin për gazsjellësin TAP që të përmbushë kushtin që i është vendosur si pjesë e licencimit në transmetimin e gazit dhe që ka të bëjë me titujt e pronësisë.
Sipas vendimit të asaj kohe kompania duhet të paraqiste në ERE “Jo më vonë se data 01.07.2024, dokumentacionin e plotë që tregon titujt e pronësisë mbi asetet që ka për të kryer funksionet ose plotësuar detyrimet nën licencën e kërkuar në territorin e Shqipërisë, sipas ligjit nr. 107/2021 “Për bashkëqeverisjen”.
Në një shkresë të korrikut të këtij viti kompania i ka bërë me dije Entit se një pjesë e procesit ka përfunduar por jo plotësisht.
“Në kuadër të plotësimit të këtij kushti, me shkresën e protokolluar në ERE me nr. 1683 prot., datë 26.07.2024, shoqëria ka informuar se ka përfunduar procesin e regjistrimit të të drejtave të tokave të blera dhe servitutit, si për korridorin e tubacionit të gazsjellësit, ashtu edhe për objektet mbitokësore (stacioni i kompresorëve, stacioni matës dhe stacionet e valvulave bllokuese).
Po ashtu shoqëria bën me dije se në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 116/2013 “Për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP), dhe të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, në lidhje me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP)”, dhe kuadrit ligjor për shpronësimin, këto të drejta janë regjistruar në emër të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, përfshirë dhe të drejtat mbi tokën shtetërore të siguruara nëpërmjet Vendimit të Këshillit të Ministrave” bën të ditur Enti në vendimin e fundit të tij.
Sipas parashtrimit të shoqërisë referuar dispozitave të Marrëveshjes, pronësia dhe të drejtat e servitutit, të siguruara nga procesi i shpronësimit, duhet të transferohen në emër të TAP, në përputhje me Shtojcën 1, Pjesa 1, paragrafët (h) dhe (i) të kësaj marrëveshjeje.
Ky proces është i mundur vetëm nëpërmjet Vendimit të Këshillit të Ministrave dhe për këtë shoqëria ka depozituar në ERE kërkesën zyrtare të datës 07.06.2024 drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Financave dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës lidhur me këtë proces, ku ka kërkuar bashkëpunimin e këtyre institucioneve, si institucione përgjegjëse por dhe të specializuara në këtë fushë, në sigurimin e pronave dhe konsolidimin e të drejtave pronësore të ndikuara nga gazsjellësi TAP. Për sa më sipër, shoqëria ka bërë me dije se është në pritje të përgjigjes lidhur me këtë proces.
Po ashtu, shoqëria ka sqaruar, se ndryshimet që kanë ndodhur në procedurat që lidhen me kadastrën, të cilat tashmë kryhen vetëm nëpërmjet portalit e-Albania, kanë shkaktuar vonesa edhe në procesin e përfundimit të regjistrimit të godinave dhe ka theksuar se të gjitha këto procese po i ndjek me institucionet përkatëse në mënyrë të vazhdueshme.
“Për gjithë sa më sipër, shoqëria ka kërkuar nga ERE që të shtyjë afatin e përmbushjes së kushtit të vendosur në pikën 2 të vendimit të bordit të ERE-s nr. 15/2019, i ndryshuar, duke sqaruar se koha e nevojshme për të përgatitur dhe miratuar vendimet e qeverisë është një proces jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të TAP-it, e për këtë arsye ka kërkuar mirëkuptimin e ERE-s për të miratuar një shtyrje të dytë për një periudhe 24-mujore, si në vendimin e mëparshëm” nënvizon Enti në vendimin për shtyrjen e afatit.
/a.r