“Koha fton çdo shqiptar të mos qëndrojë opozitar në letra. Të bashkohemi dhe t’i çjerrim çdo maskë regjimit”, u shpreh kreu demokrat Sali Berisha, në fjalimin që i drejton çdo pasdite mbështetësve të tij nga ballkoni i banesës ku prej 30 dhjetorit ndodhet në arrest shtëpie me vendim të GJKKO-së.
Berisha ka ftuar qytetarët që të qëndrojnë të pamposhtur.
“Cilido që beson se sot Shqipëria ka rënë në një diktaturë të bazuar në aleancën me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve me në krye Edi Ramën.
Cilido që beson se Edi Rama është antishqiptari shqipfolës më i egër i të gjitha kohërave, pasi ka përzënë me regjimin e tij mbi 1 milion shqiptarë në 8 vite.
Cilido që beson se Shqipëria është një vend me pasuri të pafundme natyrore, por që ato janë kthyer në një mallkim për qytetarët, sepse Edi Rama, zyrtarët e tij, ministrat e tij vjedhin, vjedhin me pamëshirësinë më të madhe.
Cilido qytetar që mendon se duhet t’u japë përgjigjen e merituar Edi Ramës, që me sojin dhe sorollopin e tij vjedh qindra milionë dhe më shumë në tendera, në koncesione, në PPP.
Cilido që beson se Shqipëria duhet të jetë një shtet ligjor dhe jo narkoshtet, gazi i dheut, e ftoj të ndjekë shembullin tuaj.
E ftoj të qëndrojë i pamposhtur, të qëndrojë, të sakrifikojë si ju dhe ju garantoj se nuk ka forcë në botë që të na mposhtë ne”, tha Berisha.
Ai tha se shqiptarët duhet të bashkohen për të përmbysur regjimin, duke shtuar se kush prek votën, duhet të lërë kokën.
“Nuk ka gjë më të pafalshme se kur e sheh me sytë e tu se Edi Rama me patronazhistë, me aktivistë, me dhjetëra milionë euro, me banditë nga të katër anët e vendit, me përjashtime nga listat, të vjedh zgjedhjet, të vjedh votën dhe ti nuk ngrihesh.
Vetëmashtrohesh, flet për zgjedhje, flet për votë, flet për kandidatë me xhelatin e zgjedhjeve në pushtet.
Me xhelatin e votës së lirë në pushtet.
Qytetarë dhe qytetare, koha është t’u kthehemi himneve tona të lirisë. Himnet e lirisë thonë, ja të vdesim ja të rrojmë për liri.
Ja të vdesim ja të rrojmë për votën e lirë. Votën e lirë nuk ta sjell njeri. Ai që prek votën, duhet të lërë kokën. Kush prek votën, duhet të lërë kokën. Votën e lirë nuk ta mbron njeri”, tha Berisha, duke ripërsëritur kërkesën për një qeveri teknike që sipas tij do të garantojë zgjedhjet e lira.