Kryeministri i Holandës Mark Rutte së bashku me homologun e Luksemburgut Xavier Bettel, nisin këtë të hënë vizitën në Serbi, për të vijuar më pas me qëndrimin në Kosovë.
Ata pritet të takohen me liderët e dy vendeve me synimin për të ulur tensionet.
Vizita e dy kryeministrave do të fokusohet në çështjen e situatës së krijuar në Veri të Kosovës dhe rëndësinë e de-përshkallëzimit dhe përkushtimit të Kosovës dhe Serbisë në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Rutte dhe Bettel fillimisht do të vizitojnë Zagrebin dhe të hënën do të qëndrojnë në Beograd, ku do të takohen me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministren Ana Bërnabiç.
Një ditë më vonë ata do të vizitojnë Prishtinën, ku do të takohen me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Vizita e dy kryeministrave evropianë ishte planifikuar para disa muajsh. Por, ata do ta shfrytëzojnë këtë udhëtim për të dërguarin mesazhin e Bashkimit Evropian dhe NATO-s ndaj liderëve në Kosovë dhe Serbi për nevojën e uljes së tensioneve, qetësimin e situatës në veri të Kosovës dhe kthimin në dialogun që ndërmjetësohet nga Brukseli.
Në këtë vizitë ishte parashikuar të merrte pjesë edhe kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo. Por, ai e ka anuluar pjesëmarrjen për shkak të një krize të brendshme politike.
/a.r