Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha gjatë një takimi me një delegacion të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, të kryesuar nga Stewart Dikson (Britani e Madhe) ka kërkuar mbështetje maksimale për procesin zgjedhor, standardet e të cilit sipas tij, po komprometohen nga mazhoranca parlamentare.
Gjatë konferencës për shtyp në përfundim të takimit, Kreu i PD-së, duke i bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të votojnë masivisht ditën e zgjedhjeve, theksoi se aleanca e djathtë ka marrë të gjitha masat për të ruajtur votën. Sipas Bashës askush nuk do të ketë mundësi të prek apo cënoj votën e qytetarëve shqiptarë. “Partia Demokratike ka marrë të gjitha masat për ruajtjen e votës, për një proces të rregullt zgjedhor dhe bashkë me partnerët tanë, bashkë me Këshillin e Europës, OSBE, SHBA, BE do të garantojmë një proces ku çdo qytetar të ketë mundësi të flasë me votën e tij apo të saj”, tha Kryetari i Partisë Demokratike.
Lidhur me takimin, Basha tha se gjatë takimit kishte informuar delegacionin e Këshillit të Europës për përpjekjet e përditshme të qeverisë për të zhbërë standardet zgjedhore, si dhe për vendosmërinë e Partisë Demokratike dhe opozitës së bashku me qytetarët shqiptarë që kjo të mos ndodhë.