• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, September 22, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Opinion

Të kërkosh leje për të drejtat e tua kushtetuese

by Mero Baze
18/06/2026 20:14
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Mero Baze

Televizionet kryesore të vendit i janë drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor për t’i kërkuar transmetimin e seancave gjyqësore të politikanëve të lartë dhe të tjerave që kanë interes të shtuar për publikun.

Arsyeja pse i shkruajnë është më e dhimbshme sesa realizimi i kërkesës së tyre që ka pak gjasa të realizohet. Në vitin 2026 në Shqipëri, televizionet kryesore të vendit i kërkojnë një institucioni burokratik të sistemit të drejtësisë së re t’u japë atyre një të drejtë kushtetuese që gjoja e kanë të garantuar.

Katandisja e medias shqiptare që t’i kërkojë një organi administrativ të sistemit të drejtësisë një të drejtë kushtetuese është standardi i parë i dhunimit të lirisë së shtypit dhe të drejtave themelore kushtetuese për qytetarët shqiptarë. Adresimi i tyre i gabuar për Këshillin e Lartë Gjyqësor tregon se çfarë frustrimi ka krijuar arroganca e SPAK dhe GJKKO për të mos përfillur të drejtat bazike të lirisë së shprehjes dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar për procese gjyqësore që kanë të bëjnë me interesin publik, siç janë gjyqet ndaj politikanëve të lartë.

Gjyqimi i tyre në errësirë forcon akuzat për gjyqe politike dhe i heq mundësinë publikut të gjykojë mbi cilësinë e drejtësisë dhe cilësinë e akuzës.

E vërteta është se asnjë qytetar shqiptar dhe asnjë media nuk duhet të detyrohet të kërkojë leje për të ushtruar një të drejtë që Kushtetuta ia garanton. Kushtetuta është e qartë. Liria e medias është e garantuar dhe e drejta e informimit nuk është privilegj që jepet nga shteti. Ajo është një e drejtë themelore që shteti ka detyrimin ta garantojë.

Kuvendi i Shqipërisë transmeton mbledhjet e tij drejtpërdrejt. Gjykata Kushtetuese transmeton seancat e saj drejtpërdrejt. Këshillat bashkiakë transmetojnë veprimtarinë e tyre. Edhe vetë KLGJ dhe KLP transmetojnë aktivitetin e tyre. Kjo ndodh për një arsye të thjeshtë: pushteti publik nuk u përket institucioneve. U përket qytetarëve. Institucionet janë vetëm ushtruesit e tij të përkohshëm. Prandaj qytetarët kanë të drejtë të shohin se si ushtrohet ky pushtet në emrin e tyre.

Gjykata Kushtetuese, institucioni më i lartë në hierarkinë e gjykatave në Shqipëri, ka dhënë vetë një shembull të shkëlqyer se si zgjidhet transmetimi direkt për të gjitha televizionet i një seance me ndjeshmëri të lartë për publikun. Ajo ka transmetuar sinjalin e seancës së saj me Erion Veliajn duke e prodhuar vetë sinjalin dhe duke e vënë në dispozicion të publikut.

Ky nuk është një favor për median, as një privilegj për publikun, por është një garanci themelore për ushtrimin e drejtësisë, pasi drejtësia nuk është e rëndësishme vetëm të jepet, por duhet të shihet edhe se si bindet një gjykatës për të dhënë drejtësi apo dënim për dikë. Kjo i jep drejtësisë besimin e publikut, ose ia heq atë. Kjo është shumë e rëndësishme në rastin kur gjyqet ndaj zyrtarëve dhe politikanëve të lartë kanë një ndjeshmëri të madhe për publikun.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, institucioni që duhet të garantonte transparencën, ka miratuar në vitin 2023 një mekanizëm që në praktikë prodhon censurë dhe që ka përmbysur standardin kushtetues. Përmes atij rregulli, KLGJ e ka trajtuar transparencën si përjashtim, ndërsa kufizimin e transparencës si rregull.

Media duhet të paraqesë kërkesa, të presë autorizime, të marrë refuzime. Pra, duhet të negociojë një të drejtë që Kushtetuta e njeh paraprakisht.

Në një vend të lirë dhe demokratik që synon Bashkimin Evropian, të drejtat kushtetuese nuk duhet të kërkojnë leje. Ato duhet të ushtrohen. Askush nuk kërkon leje për t’u informuar. Askush nuk kërkon leje për të ndjekur me mjetet e komunikimit një seancë që ligji e ka shpallur publike. Ajo thjesht ndiqet. Ajo thjesht transmetohet.

Kushtetuta e thotë qartë: kufizimet e lirive themelore mund të vendosen vetëm me ligj, vetëm për një qëllim legjitim dhe vetëm kur janë të domosdoshme dhe proporcionale. Por kufizimet që po zbatohen sot nuk burojnë nga ligji. Ato burojnë nga një udhëzim administrativ dhe kjo nuk është thjesht një çështje administrative. Është një çështje kushtetuese.

Një organ administrativ nuk mund të krijojë kufizime të reja mbi të drejta që vetë ligji nuk i ka kufizuar. Aq më pak mund të ndërhyjë në mënyrën se si realizohet një garanci kushtetuese e procesit gjyqësor. Publiciteti i seancës nuk është çështje administrative, por është pjesë e procesit të rregullt ligjor.

Sot jemi në situatën kur mjafton që një punonjës administrativ apo një polic në derën e gjykatës, me një udhëzim administrativ në dorë, të ndalojë ushtrimin e një të drejte që Kushtetuta e garanton. Kështu, ajo që ligji e ka konceptuar si instrument kontrolli publik mbi drejtësinë kufizohet nga vetë institucioni që duhet të garantonte transparencën e saj.

Publiciteti i seancës reduktohet në kufijtë fizikë të sallës së gjyqit, çka është një problem teknik që zgjidhet lehtë, ose duke prodhuar sinjal televiziv për gjithë median, ose duke siguruar salla më të mëdha të posaçme për gjyqe të tilla.

Kur media ndalohet paraprakisht të kryejë funksionin e saj, kjo është censurë paraprake në emër të drejtësisë së re.

E drejta e publikut për ta ndjekur një seancë gjyqësore me interes publik nuk mund të kufizohet me arsyetime komunaleje, për përmasat e sallave apo emocionet e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në rastin më të mirë, kjo është një mundësi për ta për t’u bërë figura publike si dhënës të drejtësisë.

Por problemi është se ata mendojnë të kundërtën kur hyjnë në sallë dhe kur e kuptojnë se mund të gjykohen edhe nga publiku.

Për këtë arsye ata kanë vendosur të bëjnë drejtësi në errësirë, gjyqe me dyer të mbyllura, gjykime kur të pandehurit ende nuk kanë marrë në dorë dosjet e çështjes, dhe mbi të gjitha duan që publiku të dëgjojë vetëm pretendimin dhe vendimin e gjykatësit dhe jo mënyrën se si provohen argumentet dhe vendimet e tyre.

Ky është një minim real i autoritetit të drejtësisë, një shembje me vetëdije e besimit të publikut tek drejtësia e re dhe një tregues i frikës që kanë prokurorët dhe gjyqtarët nga paaftësia e tyre profesionale për të bindur opinionin publik se po marrin vendime të drejta.

Kjo tregon, ndër të tjera, se e vetmja fuqi e tyre është mungesa e transparencës dhe gjykimi në errësirë, larg syve të popullit, por në emër të popullit!

Next Post
Ashpërsohen masat për drejtuesit e rinj të mjeteve, Kuvendi miraton ndryshimet në Kodin Rrugor

Ashpërsohen masat për drejtuesit e rinj të mjeteve, Kuvendi miraton ndryshimet në Kodin Rrugor

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Shqiptari i lopës dhe mëzatit në Gjykatën e Hagës…

Processi ndaj ish-krerëve të UÇK / Avokati britanik zbardh strategjinë për rrëzimin e dënimeve në Apel

September 22, 2026
“Ouest France”: Shqipëria, zgjedhja mesdhetare për një javë pushimesh “all inclusive” me çmime të përballueshme

“Ouest France”: Shqipëria, zgjedhja mesdhetare për një javë pushimesh “all inclusive” me çmime të përballueshme

September 22, 2026
Erdogan kërkon OKB pa veto, Presidenti turk kërkon reformë të Këshillit të Sigurimit dhe përfaqësim më të drejtë

Erdogan kërkon OKB pa veto, Presidenti turk kërkon reformë të Këshillit të Sigurimit dhe përfaqësim më të drejtë

September 22, 2026
Horoskopi ditor për nesër, e hënë 1 qershor 2026

Horoskopi ditor për nesër, e Mërkurë 23 Shtator 2026

September 22, 2026
Shtëpia e Bardhë prezanton “Trump TV”, vendimi vjen pas largimit të tre mediave amerikane

Shtëpia e Bardhë prezanton “Trump TV”, vendimi vjen pas largimit të tre mediave amerikane

September 22, 2026
“Do të harrohet shpejt”, shpërthen skandali 30 vite pas vdekjes së Princeshë Dianës

“Do të harrohet shpejt”, shpërthen skandali 30 vite pas vdekjes së Princeshë Dianës

September 22, 2026
Masa ndaj drejtueses së SHISH, Berisha: Nivel i ulët tradhtie ndaj ligjit e detyrës

Masa ndaj drejtueses së SHISH, Berisha: Nivel i ulët tradhtie ndaj ligjit e detyrës

September 22, 2026
Ermal Nufi në Ministerialin e Mbrojtjes të Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor në Slloveni: Të palëkundur në forcimin rajonal, mbrojtje dhe siguri

Ermal Nufi në Ministerialin e Mbrojtjes të Evropës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor në Slloveni: Të palëkundur në forcimin rajonal, mbrojtje dhe siguri

September 22, 2026
Kina apel Gjermanisë, kërkon bashkëpunim dhe kundërshtim të luftës tregtare! Dy ministrat e Jashtëm flasin në telefon: Zgjedhja e duhur!

Kina apel Gjermanisë, kërkon bashkëpunim dhe kundërshtim të luftës tregtare! Dy ministrat e Jashtëm flasin në telefon: Zgjedhja e duhur!

September 22, 2026
Zv/kryeministrja Koçiu në Lezhë: Dyfishohen pagesat për fëmijët PAK, nga tetori do paguhen kontributet e kujdestarëve!

Zv/kryeministrja Koçiu në Lezhë: Dyfishohen pagesat për fëmijët PAK, nga tetori do paguhen kontributet e kujdestarëve!

September 22, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com