Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, u shpreh se si deputetëve të mazhorancës edhe opozitës duhet t’u vijë turp për situatën në parlament. Duke iu drejtuar kundërshtarëve të tij politikë, Sula i pyeti duke i thënë se në burg janë kolegët socialistë.
“Këtu është për të qarë dhe për të qeshur. Nuk kam ndërmend të diskutoj dhe flas për procedurë. Dy fjalë do i them që ta dëgjojnë të gjithë shqiptarët. Ore miqtë e mi, keni vjedhur ju apo kemi vjedhur ne? I keni në burg ju apo i kemi në burg apo ne? Ore ia keni dhënë popullit në gojë ju, apo ua kemi dhënë ne? Çfarë ka ngelur këtu tani? Vetëm të heqim pantallonat këtu në mes të parlamentit. Kjo ka ngelur këtu. Ka turp më të madh se kaq? Të na vijë turp edhe ju edhe ne se ça po ndodh në këtë vend. Të na vijë turp ju dhe ne bashkë sepse jemi kthyer në barsaleta. Çfarë nuk qarkullojnë në TikTok dhe çfarë nuk na thonë. Situata është aq e turpshme sa nuk ka ku të shkojë”, u shpreh Sula.
Po ashtu, Sula u shpreh se mazhoranca gjen gjithmonë artifica dhe justifikime për t’u dhënë mundësi personave që duhet të japin llogari që të fshehin gjurmët dhe të zhduken.
“Për sa i përket raportit kur doni ju si mazhorancë për të futur një projektligj brenda 24 orëve e përgatisni raportin, gjithçka dhe i sillni. Keni 3 raste. Rasti i Saimir Tahirit brenda 24 orëve erdhët ia hoqët imunitetin. Rasti i sotëm keni 1 javë, ça doni më shumë. Keni rastin e zonjës Xhaçka 3-4 muaj që nuk bëni raport. Gjeni artifica, gjithmonë justifikime vetëm për t’u dhënë mundësi personave të interesuar për të dhënë llogari që të fshehin gjurmët, për t’u zhdukur. Ju nuk e bëni sepse ju dhimbset procedura. Nuk po kërkojmë të shkelet procedura. Procedura të bëhet, të respektohet. Nuk thotë rregullorja e vendit që duhen patjetër 7 ditë, 10 ditë. Ma jepni shpjegimin pse u shty dy herë mbledhja? U shty dy herë sepse zotëria në fjalë nuk erdhi. Është faji jonë? Urojmë që të vijë dhe të japë shpjegime. Problematikë më të madhe a ka? Deputetë në burg, ministra në burg”, tha Sula.
/a.r