Pas reshjeve të ditëve të fundit dhe prurjeve të shumta, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka nisur që prej ditës së djeshme shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës në Kaskadën e Drinit.
Deri në këto momente situata është nën kontroll. Megjithatë shkarkimet kanë reflektuar në territor sa i përket rritjes së niovelit të lumenjve, më konkretisht të lumit Buna dhe Drin.
“Situata paraqitet disi më problematike në Njësinë Administrative të Anës së Malit në rrugën e Obotit ku është shfaqur uji në rrugë. Megjithatë qarkullimi vijon të bëhet me mjete të vogla dhe nuk janë nevojitur mjetet e ushtrisë deri në këto momente”, raportoi gazetarja Emi Kalaja.
Në zonë janë dërguar dy mjete të larta të ushtrisë, por që deri në këto momente nuk është dashur ndërhyrja e tyre.











