Presidenti i Rusisë, Vladmir Putin, e ka falënderuar sot shërbimin sekret të vendit për parandalimin e 30 sulmeve të planifikuara dhe zbulimin e më shumë se 320 spiunëve të huaj, vetëm gjatë këtij viti.
“Unë dua të theksoj se këtë vit, në saje të punës së punonjësve të FSB-së, më shumë se 30 krime të natyrës terroriste janë penguar”, ka thënë Putin në një takim në FSB, pasardhës i shërbimit rus KGB. “Shërbimi ynë i antiintelegjencës e ka një përgjegjësi të madhe. Këtë vit ata kanë identifikuar më shumë se 320 oficerë tradhtarë dhe agjentë të shërbimeve të huaja”, ka thënë Putin, dikur agjent i KGB-së dhe udhëheqës i FSB-së para ngritjes në pushtet në 1999-en.
Gjatë fjalimit të tij, Putin e ka përmendur edhe Sirinë, vend në të cilin në muajin shtator Rusia e ka nisur një fushatë ajrore kundër terroristëve dhe në mbështetje të regjimit të presidentit Bashar alAssad. Ai tha se Rusia mund të përdorë edhe kapacitete shtesë të armatimit në Siri, nëse një gjë e tillë është e nevojshme.