Rritja e pandalshme e partisë së djathtë ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD) po e çon sistemin politik gjerman drejt një sprove të paprecedentë, ku koncepti tradicional i murit mbrojtës politik, i njohur si Brandmauer, po përballet me erozion dhe shkatërrimin e tij të plotë.
Ky mur politik nuk është një ligj i shkruar, por një marrëveshje joformale e hekurt midis partive kryesore për të mos bashkëpunuar kurrë, për të mos formuar koalicione dhe për të mos u mbështetur tek votat e AfD-së për të krijuar shumicën qeverisëse.
Megjithatë, rezultatet e fundit elektorale në krahinat e Gjermanisë Lindore si në Saksoni-Anhalt, ku AfD ka arritur të marrë pothuajse 44% të votave, treguan se ky izolim procedurial po dështon në mënyrë përfundimtare përballë një mbështetjeje popullore që është dyfishuar me shpejtësi gjatë viteve të fundit.
Gabimi më i madh strategjik i partive të qendrës, veçanërisht i Demokristianëve (CDU), ka qenë përqendrimi obsesiv te mekanizmat e mbrojtjes pasive institucionale dhe te procedurat e izolimit, në vend të hartimit të një ofensive politike me zgjidhje konkrete, që u përgjigjet shqetësimeve të përditshme të qytetarëve.
Arsyeja pse njerëzit po e votojnë AfD-në nuk është thjesht një kthim i papritur drejt ideologjive radikale, por një ndjenjë e thellë braktisjeje ekonomike dhe sociale. Rajone të tëra në lindje, por tashmë edhe qendra të mëdha industriale në perëndim si Baden-Uurttemberg, po përballen me një deindustrializim të rëndë, mbyllje fabrikash, humbje të dhjetëra mijëra vendeve të punës në sektorin e automobilave, rënie demografike dhe një rritje të pasigurisë për të ardhmen.
Kjo shkëputje e elitave politike në Berlin nga realiteti i vështirë i qytetarëve prodhoi një efekt anësor plotësisht paradoksal: muri mbrojtës u dha radikalëve të AfD-së statusin e privilegjuar të opozitarit të vetëm, disidentit të vetëm anti-sistem dhe mbrojtësit të të pakënaqurve, pa u ngarkuar asnjëherë me përgjegjësinë apo llogaridhënien në qeverisje.
Në të njëjtën kohë, përpjekjet e dëshpëruara të partive tradicionale për të kontrolluar këtë valë pakënaqësie duke kopjuar apo huazuar retorikën e ashpër të AfD-së mbi emigracionin apo duke propozuar ndalimin e saj përmes rrugëve gjyqësore po rezultojnë krejtësisht të pafrytshme.
Studimet elektorale tregojnë qartë se sa herë që partitë e qendrës imitojnë agjendën e së djathtës radikale, ato nuk ia marrin votuesit asaj, por thjesht u japin më shumë legjitimitet ideve të saj, duke i shtyrë njerëzit të votojnë origjinalin dhe jo imituesit.
Kriza politike gjermane dëshmon se një mur mbrojtës apo një procedurë ligjore mund ta ruajë një strukturë shtetërore vetëm përkohësisht.
Asnjë mekanizëm juridik nuk mund ta zëvendësojë nevojën për një vizion bindës qeverisës që zgjidh punësimin, sigurinë e jetesën dhe u dëshmon qytetarëve me vepra se pse demokracia mbetet ende sistemi më i mirë për të ardhmen e tyre.











