Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka zbardhur vendimin përfundimtar lidhur me kërkesën e Kryeministrit mbi sqarimin e parimit të balancës së pushteteve, pas vendimit të të GJKKO për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres, njëherësh ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Gjykata nuk doli me një vendim përfundimtar për rastin, pasi nuk u arrit kuorumi i duhur i votave, ku gjyqtarët u ndanë 4 me 4.
Në argumentin e Gjykatës, pezullimi nuk kërkon autorizim paraprak nga Kuvendi dhe nuk përfshihet në garancitë kushtetuese të imunitetit. Sipas Gjykatës, Kushtetuta parashikon qartazi vetëm arrestimin, heqjen e lirisë në çdo formë, kontrollin personal dhe kontrollin e banesës.
Gjykata vlerëson gjithashtu se pezullimi nga detyra synon individin dhe jo institucionin. Sipas saj, efektet e kësaj mase nuk përbëjnë, në vetvete, cenim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, për sa kohë që kompetencat institucionale mund të ushtrohen përmes mekanizmave kushtetues të zëvendësimit dhe vijimësisë së funksionit.
“Në përmbledhje të argumenteve të mësipërme, masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës publike, sipas nenit 242 të KPP-së, ndaj një ministri nuk mund të kërkojë autorizim paraprak të Kuvendit dhe nuk përfshihet në garancitë e imunitetit, pasi: a) nuk përfshihet në listën e masave të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës; b) normat për imunitetin interpretohen ngushtë dhe nuk lejojnë zgjerim ose krijim të normave të reja nëpërmjet interpretimit; c) arkitektura aktuale kushtetuese ofron garanci të mjaftueshme kundër ndjekjes penale arbitrare për motive politike; ç) efektet faktike për ushtrimin e funksionit nuk synojnë institucionin, por individin që dyshohet se nëse vijon kryerjen e detyrës mund të dëmtojë rëndë hetimin penal dhe nuk përbëjnë, në vetvete, cenim të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Për këto arsye, interpretimi i zgjeruar i mbrojtjes kushtetuese përtej rasteve të parashikuara shprehimisht në nenin 73, pika 2, nuk gjen mbështetje në tekstin, frymën dhe arkitekturën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Në respekt të epërsisë së Kushtetutës dhe të kufijve që ajo vendos për ushtrimin e pushtetit publik, shtimi ose zgjerimi i rasteve kur kërkohet autorizim paraprak i Kuvendit nuk mund të realizohet nëpërmjet interpretimit gjyqësor, por vetëm nëpërmjet një ndërhyrjeje të shprehur në nivel kushtetues’, thuhet në vendim
Gjithashtu lidhur me argumentin se një ministër mbrohet nga Imuniteti, Gjykata Kushtetuese ka theksuar se anëtari i Këshillit të Ministrave nuk përjashtohet nga llogaridhënia dhe përgjegjësia. Sipas Gjykatës, ministri mban edhe përgjegjësi penale individuale nëse gjatë ushtrimit të detyrës kryen vepër penale. Edhe pse Kushtetuta parashikon një regjim të veçantë imuniteti për ministrat, ky regjim ka për qëllim vetëm garantimin e ushtrimit të lirë dhe të pavarur të funksionit publik, duke i mbrojtur ata nga ndërhyrje ose sulme të padrejta me natyrë politike.
Gjykata thekson se imuniteti nuk përbën privilegj personal, por një garanci funksionale. Ai synon të sigurojë ushtrimin e detyrës pa presione të jashtme, por nuk mund të interpretohet si mburojë ndaj zbatimit të ligjit penal.
“Gjykata çmon se regjimi i imuniteteve, si i deputetit, ashtu edhe i ministrit, përcaktohet drejtpërdrejt në normat kushtetuese. Kjo do të thotë se nuk përjashtohet nga llogaridhënia dhe përgjegjësia as anëtari i Këshillit të Ministrave (ministri). Ai mban përgjegjësi politike përpara Kuvendit për ushtrimin e funksioneve të tij qeverisëse, e cila konkretizohet përmes mekanizmave të kontrollit parlamentar të parashikuar në Kushtetutë dhe që mund të çojë në shkarkimin e tij. Njëkohësisht ai mban edhe përgjegjësi penale individuale, në rast se gjatë ushtrimit të detyrës kryen vepër penale. Gjykata thekson se, ndonëse ndaj ministrave parashikohet një regjim i veçantë imuniteti, ky i fundit ka si qëllim vetëm garantimin e ushtrimit të lirë dhe të pavarur të funksionit publik, duke i mbrojtur ata nga ndërhyrje ose sulme të padrejta me natyrë politike. Edhe pse ndaj ministrave parashikohet një regjim i veçantë imuniteti, ky regjim nuk përbën privilegj personal, por një garanci funksionale që synon të sigurojë ushtrimin e lirë dhe të pavarur të detyrës publike. Ai nuk përbën dhe nuk mund të interpretohet si një mburojë ndaj zbatimit të ligjit penal, pasi ministri, si çdo individ, mbetet subjekt i përgjegjësisë penale dhe është i detyruar t’u nënshtrohet rregullave dhe sanksioneve penale përpara organeve kompetente në rast të kryerjes së një vepre penale”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese
vend.826











