Kur në fillim të viteve 1990 sociologia e njohur amerikane, në atë kohë profesoreshë në NYU (New York University), do të shprehej se “Fatos Tarifa ka një sens shumë të fortë bindës për probleme të rëndësishme teorike dhe empirike, si dhe imagjinatën sociologjike për t’i trajtuar ato në një mënyrë të re e kreative”, dhe se “analizat e tij mbi ngjarjet dhe zhvillimet politike në Shqipëri janë gjithnjë profetike”, pak njerëz mund t’i kishin besuar fjalët e saj në atë kohë.
Heyns, e cila e ka pagëzuar Tarifën si “the father of Albanian sociology”, e ka vlerësuar atë “pothuaj mbi të gjithë studiuesit e tjerë të brezit të tij që [ajo] ka njohur nga Europa Lindore dhe si një ndër analistët më të mirë të çdo moshe që kanë shkruar për periudhat e tranzicioneve politike”.
Refleksionet e mëposhtme, botuar për herë të parë nga Fatos Tarifa në gazetën Koha jonë, në shkurt të vitit 1994, dëshmojnë më së miri vërtetësinë e gjykimeve të Prof. Heyns. Vlerësimet dhe parashikimet e më shumë se tridhjetë viteve më parë nga Prof. Tarifa rezonojnë tërësisht aktuale në kushtet e sotme të Shqipërisë.
Gazeta Dita i riboton si një tribut ndaj autorit, një bashkëpunëtor i ngushtë i kësaj gazete, në tridhjetëvjetorin e botimit të tyre.
Koha kur me fatet e vendit nuk mund të luhet më
Refleksione mbi fillimet e demokracisë në Shqipëri, shkruar në vitet 1991, 1992 dhe 1994
NGA FATOS TARIFA
7 maj 1991
Pluralizmi politik është bërë tashmë një realitet i jetës shqiptare. Në politikë, në ekonomi, në filozofi, në art, në kulturë, në fushën e fesë, idetë dhe praktikat pluraliste i kanë zgjeruar dukshëm hapësirat krijuese të individit dhe dimensionet e demokracisë në vendin tonë. Demokracia shqiptare, sidoqoftë, mbetet të sendërtohet çdo ditë e më mirë në një legjislacion modern që t’i hapë rrugë krijimit e konsolidimit të shtetit ligjor dhe institucioneve e praktikave demokratike.
Mjaft procese e zhvillime të vrullshme politike e shoqërore kanë ndodhur në Shqipëri që nga ngjarjet e dhjetorit 1990. Në një periudhë kohe kaq të shkurtër vendi ka përjetuar ndoshta më shumë ndryshime se ç’janë bërë për dekada të tëra gjatë këtij gjysmë shekulli të fundit. Nga njëra anë, është shkatërruar shumë, është rrënuar edhe ajo ekonomi jo shumë e zhvilluar që ekzistonte. Kjo ishte absolutisht e panevojshme. Madje, në gjëndjen që ndodhet vendi sot, me një ekonomi të rrënuar dhe me një shkallë të lartë papunësie, rrezikohen seriozisht si rivendosja e rendit dhe e qetësisë publike, ashtu edhe rehabilitimi e shfrytëzimi efektiv e racional i potencialeve ekonomike, çka do të pengojnë konsolidimin e shpejtë të një rendi demokratik dhe realizimin e reformës ekonomike. Nga ana tjetër, kanë filluar të hidhen bazat ligjore të një sistemi të ri dhe duket se, përgjithësisht, është arritur një marrëveshje popullore, ndonëse ende jo edhe një marrëveshje politike, mes forcave të ndryshme politike të vendit.
Vendosja e pluralizmit politik i ka përshpejtuar së tepërmi ato procese reformuese të tipit Gllasnost—edhe pse jo të sinqerta e josubstanciale—që nisën të kryhen në fund të viteve 1980. Ndërkohë, dëgjojmë shpesh të flitet për një përshpejtim të mëtejshëm të reformave politike dhe ekonomike. Sado që një ecje më e shpejtë në këtë drejtim është e domosdoshme, këtu duhet bërë shumë kujdes. Ajo çka sot konsiderohet si një “terapi shoku” (shock therapy), mund të sjellë nesër një gjendje shoku, së cilës nuk mund t’i ndihmojë asnjë terapi. Polonia është vëndi ku një terapi e tillë po aplikohet sot më gjerë se kudo, por është pikërisht një ndër akademikët më të shquar polakë, që sot jeton e punon në Shtetet e Bashkuara, Viktor Osyantyski, që sugjeron se “përshpejtimi më i mirë i reformave është vazhdimi i politikave të nisura”.
Sidoqoftë, Shqipëria nuk është Polonia, as Hungaria, as Çekosllovakia. Në krahasim me Shqipërinë, këta vende të Europës Qendrore kanë qënë dhe janë shumë më të industrializuar dhe me një ekonomi shumë më të zhvilluar, së cilës, kohët e fundit i janë injektuar disa miliardë dollarë ndihma dhe investime të huaja nga Perëndimi.
Një “shock” në ekonominë shqiptare, së cilës i mungon edhe oksigjeni më i nevojshëm për të marë frymë, për ta shndërruar atë “brenda natës” nga një ekonomi tërësisht e centralizuar dhe e komanduar në një ekonomi të lirë tregu, mund të na zërë frymën të gjithëve e të çojë në krijimin e një tregu pa ekonomi. Një sistem ekonomik nuk është një mekanizëm i thjeshtë Teknik, që mund të ndërrohet, si motorri i një automobile, kur ky nuk punon më siç duhet. Përkundrazi, ai karaterizohet nga është një strukturë shumë e ndërlikuar dhe marrëdhënie tepër komplekse mes institucionesh, rregullash formale e joformale, vlerash dhe modelesh sjelljeje, që janë zhvilluar me kohë në përputhje me një mjedis ekonomik e shoqëror të dhënë.
Nga ana tjetër, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjerë të Europës Qendrore e Lindore, çështja e strategjisë së reformave ekonomike—nëse duhet një “big bang” apo një reformim gradual—duket se nuk është shoqëruar njëkohësisht me analiza politike të gjendjes aktuale dhe të zhvillimeve perspektive të afërta në vende të veçantë.
Proceset dhe dukuritë sociale që shoqëruan lindjen e partive të reja politike dhe garën e tyre në fushatën e parë elektorale dhe pas saj, për fat të keq, nuk ndikuan pozitivisht në stabilizimin e gjendjes ekonomike në vend. Ato, përkundrazi, duke e ngritur në maksimum temperaturën politike në Shqipëri, jo vetëm rritën tensionet sociale, por gjithashtu krijuan një amulli të përgjithshme, paralizuan ecurinë normale të jetës, i thelluan pasojat negative të krizës ekonomike, që sot është bërë më e rëndë se kurrë.
Natyrisht, shkaku i krizës së sotme ekonomike nuk është krijimi i partive politike të opozitës, pra ndryshimi i rendit politik dhe ekonomik. Rrënjët e krizës janë të thella dhe ato, pavarasisht disa analizave që janë bërë deri më sot, duhen zbuluar e kuptuar më mirë. Vendosja e pluralizmit politik, përkundrazi, ka krijuar një klimë të re shoqërore, potencialisht të shëndetshme, jo vetëm për zhvillimin e mendimit të lirë dhe zgjerimin e dimensioneve humane, por edhe për ndërtimin e një arkitekture të re politike dhe të një baze të re ekonomike në shoqërinë shqiptare. Pa vendosjen e pluralizmit politik, fati i vendit, sot e në të ardhmen, nuk mund të dihet se si do të ishte.
3 prill l992
Në historinë e vjetër dhe të re, rrallë herë mund të ketë ndodhur që forca ose organizata politike opozitare ndaj një regjimi në fuqi të kenë ardhur në pushtet brënda një periudhe kaq të shkurtër nga krijimi i tyre, siç është rasti i Partisë Demokratike në vendin. Është tjetër gjë—dhe nuk ka pse të habitemi—se sa shpejt, brenda disa ditëve apo javëve, në Shqipëri, si kudo në Europën Qendrore e Lindore, u bënë më shumë ish-komunistë se sa komunistë.
Fatkeqësisht, siç shkruan një autor çek, në rrethana të tilla, askush nuk ka zbuluar dot deri më sot një instrument që të mund të “maste” e të “provonte” dallimin mes komunistëve dhe ish-komunistëve. Pavarësisht kësaj, me fitoren e thellë në zgjedhjet e 22 marsit 1992, Partia Demokratike jo vetëm u provua se është një forcë politike kryesore në shoqërinë e sotme shqiptare, por edhe u bë forcë drejtuese e shtetit dhe e shoqërisë. Ajo tashmë është një parti në pushtet.
Gjatë gjithë këtyre ditëve është folur shumë për rezultatin e zgjedhjeve të 22 marsit 1992. Të shumtë janë ata që rrahin gjoksin duke thënë se këtë rezultat e kishin parashikuar me kohë. Është e vërtetë se fitorja e opozitës pritej, por asnjëri prej analistëve politikë, vendas ose të huaj, nuk kishte mundur të parashikonte një fitore kaq të thellë të Partisë Demokratike dhe një humbje kaq të rëndë të Partisë Socialiste. Nuk dua të arësyetoj këtu mbi shkaqet pse humbi njëra parti dhe pse fitoi tjetra. Këtë le ta bëjnë ata që I drejtojnë këto parti. Fakti është se këto dy parti ndodheshin, deri në prag të zgjedhjeve të fundit, përpara verdiktit: ta mbajmë pushtetin (Partia Socialiste), apo ta marrim atë (Partia Demokratike). Rezultati i zgjedhjeve të 22 marsi tregoi se ndërsa PS, për shkaqe dhe arësye nga më të ndryshmet, që i shtjelloj veçanërisht në një shkrim tjetër, nuk ishte në gjendje ta mbante pushtetin dhe nuk i ndihmoi këtij qëllimi as me fushatën elektorale që ajo zhvilloi, PD u tregua e aftë ta merrte atë.
Pavarësisht nga rrethanat që përcaktuan rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 22 marsit, fitorja e opozitës, në mënyrë te veçante fitorja e Partisë Demokratike, është një realitet që duhet pranuar dhe që, në të vërtetë, është pranuar nga të gjithë. Në fund të fundit, rezultati i zgjedhjeve, sado i papritur për shumë njerëz, shprehu vullnetin e shumicës së popullit shqiptar.
Ardhja e opozitës “antikomuniste” në pushtet, sidoqoftë, nuk do të thotë se i dha fund periudhës së tranziconit politik dhe ekonomik në Shqipëri, as se me këtë ngjarje u zgjidhën, ose u garantua zgjidhja të gjitha problemet e vendit e të shoqërisë shqiptare. Fitorja e opozitës në zgjedhjet e 22 marsit përbën një premisë të re—dhe krijon një shans të ri—për thellimin dhe përshpejtimin e një procesi të gjatë e të ndërlikuar transformimi nga një sistem i socializmit shtetëror, në një sistem të demokracisë parlamentare dhe të një ekonomie tregu të lirë. Se sa do të zgjasë kjo periudhë tranzicioni historik, këtë, sot për sot—dhe, ndoshta, për një periudhë relativisht të gjatë—askush nuk është në gjëndje ta thotë. Dëshirojmë që ajo të jetë sa më e shkurtër dhe që çmimi që duhet të paguajmë të jetë sa më pak i dhimbshëm.
Askush s’duhet të ushqejë ndonjë iluzion se me fitoren e opozitës gjendja e vendit do të ndryshojë shpejt. Momenti aktual në të cilin ndodhet Shqipëria fill pas zgjedhjeve përbën një gur prove për fatet e demokracisë se brishtë shqiptare. Por, ndryshimi i partive politike në krye të administratës shtetërore përbën vetëm një episod politik në procesin e gjatë e të vështirë të tranzicionit postkomunist, jo vetë thelbin e këtij procesi, dhe aq më pak rezultatin final të tij.
E ardhmja e këtij procesi mbetet e hapur në shumë drejtime. Do të ketë stabilitet apo rrëmujë e kaos? Paqe sociale apo konfrontim? Vizione optimiste për të ardhmen apo prognoza pesimiste? Mobilizim për të punuar apo eksode të tjera? Rend apo anarki? “Gjueti shtrigash” dhe larje hesapesh apo pajtim kombëtar? Zhvillim apo kthim prapa? Dalje nga kriza apo thellim të krizës dhe kriza të reja? Progres apo regres? Një klasë politike demokratike apo një elitë e korruptuar? Një rend të së drejtës apo padrejtësi të reja? Në fund të fundit, çështja shtrohet: Do të kemi një demokraci, apo do të shohim rikthimin në një diktaturë të një lloji tjetër?
Të gjitha këto mundësi janë reale. Teksa shkruaj këto radhë, më vijnë ndër mend fjalët që kam lexuar këto ditë nga Adam Michnik: “A do të jetë e ardhmja ajo e një shoqërie tolerante, të lirë dhe liberale? Apo bota përsëri do të ngrihet mbi gënjeshtra dhe do të prodhojë një diktaturë të një orthodoksie të re?”.
Fitorja në zgjedhjet parlametare të 22 marsit u jep forcave politike deri dje në opozitë, Partisë Demokratike në radhë të parë, një shans historik. Nga votat që i dhanë kësaj partie shumica e qytetarëve shqiptarë pritet shumë. Një mal me shpresa duhet justifikuar. Sigurisht, parlamenti dhe qeveria e re do të kenë një barrë shumë të rëndë mbi vete. Nuk gaboj nëse them se, për ne, shqiptarët, ka ardhur dita kur mund të themi: “O sot, o kurrë!”. Partitë le të luftojnë me njera-tjetrën, veç lufta mes tyre nuk duhet të jetë e shterpë e s’duhet të shndërrohet në një luftë mes shqiptarëve.
Lufta politike mes partive të ndryshme duhet zhvilluar mbi bazën e respektimit të rregullave të lojës në një shoqëri demokratike. Ajo nuk duhet t’i shërbejë përçarjes së shqiptarëve, por vëllazërimit mes tyre; nuk duhet t’i shërbejë anarkisë, por rregullit; nuk duhet t’i shërbejë shkatërrimit, por ndërtimit e përparimit të vendit. Në radhët e përfaqësuesve të zgjedhur prej popullit, nga çdo parti, ka mjaft intelektuale të shquar. Ata, me siguri, do të dinë të ndërtojnë ligjet e demokracisë së re shqiptare dhe, mbi bazën e tyre, të ripërtërijnë besimin, moralin dhe energjitë e njerëzve për të punuar e ndërtuar një Shqipëri me të vërtetë demokratike.
Uroj që shpresat e mëdha t’i shohim të realizuara në jetë. Është koha kur me fatet e vendit nuk mund të luhet më. Është koha kur me besimin, zemërgjerësinë dhe durimin e popullit nuk mund të luhet më. Është koha kur demokracinë nuk duhet ta tradhëtojmë më.
4 shkurt 1994
Kanë kaluar afro dy vite nga koha kur zgjedhjet e lira të 22 marsit [1992] sollën në pushtet të parën qeveri antikomuniste në Shqipërinë e pasluftës. Duke marrë parasysh entuziazmin dhe premtimet e shumta të Partisë Demokratike gjatë fushatës elektorale, kjo parti do të duhej të kishte arritur tashmë një bilanc pozitiv. Për fatin e saj të keq, por më shumë për fatin e keq të të gjitha atyre shtresave të popullsisë së shumëvuajtur që u besuan premtimeve të saj dhe votuan për të, PD ka treguar se nuk është në gjëndje të zgjidhë asnjë nga problemet kryesore me të cilat ndeshet vendi sot—të ndërtojë një kushtetutë dhe një legjislacion tërësisht demokratik, të projektojë e të zbatojë reformën ekonomike, me një fjalë, të qeverisë efektivisht vendin.
Studiues të ndryshëm në vende të Europës Lindore e jashtë saj, duke shprehur skepticizëm për ecurinë e reformave ekonomike e të proceseve demokratike në këtë rajon, venë në dukje se ajo çka pritet të ndodhë në Europën Lindore do të habisë shumë njerëz, por akoma më shumë do të zhgënjejë.
Nuk ka asnjë dyshim se institucionalizimi i zgjedhjeve të lira është një fitore e rëndësishme për demokracinë në Shqipëri dhe për të ardhmen e këtij vendi. Demokracia nuk mund të kuptohet pa zgjedhje të lira. Zgjedhjet e lira janë kushti i parë i demokracisë. Por jo i vetmi. Përkufizimi i demokracisë si një formë qeverisjeje që buron nga zgjedhjet e lira s’është veçse një përkufizim minimalist i saj. Një qeveri e zgjedhur në rrugë demokratike nuk do të thotë se është patjetër demokratike dhe gjithnjë legjitime. Nëse nuk vepron në mënyrë demokratike, ajo mund ta humbasë legjimitetin e saj.
Është tashmë një truizëm ai se kushti i parë për legjitimitetin e një qeverie është që ajo të ketë mandatin e zgjedhësve të lirë, por vetëm zgjedhjet nuk mjaftojnë për të justifikuar legjimitetin e saj. Një qeveri, edhe kur ajo është krijuar si rezultat i zgjedhjeve demokratike, mund ta humbasë legjimitetin e vet kur provon se nuk është në gjendje të qeverisë efektivisht, sidomos kur në politikën e saj të brendshme e të jashtme vepron në kundërshtim me programin elektoral që i mundësoi asaj ardhen në pushtet dhe besimin për të drejtuar punëve e shtetit.
Samuel Huntington ka shprehur pikëpamjen se demokracia mund të konsiderohet e vendosur kur një vend ka kaluar “provën e dy zgjedhjeve”, pra kur pushteti ka kaluar nga duart e njërës parti në duart e një partie tjetër, deri dje në opozitë, të paktën në dy raste përmes një gare elektorale paqësore. Huntington i referohet rastit të Gjermanisë për të nënvizuar faktin se, për të kaluar provën e demokracisë, një vend ka nevojë për një kohë të caktuar, shprehimisht dy dekada apo më shumë. Demokracia, sipas tij, nuk mund të arrihet as shpejt, as lehtë. Zgjedhjet e lira në Shqipëri janë, pa dyshim, një hap përpara drejt vendosjes së një rendi demokratik, por jo vetë ky rend demokratik. Aq më tepër kur dy zgjedhjet elektorale te ne janë bërë brenda harkut kohor të një viti.
Natyrisht, nuk mund të mohohet se, edhe në Shqipëri, si kudo në Europën Qendrore e Lindore, janë hedhur disa hapa përpara në drejtim të krijimit dhe konsolidimit të një shoqërie demokratike. Është përmbysur sistemi i vjetër, i cili sido që të ndodhë, nuk mund të restaurohet më. Janë formuar disa parti politike, të cilat janë në garë për pushtet. Ekziston, ndonëse akoma në letër, një legjislacion që mbron të drejtat dhe liritë e individit, legjislacion që më parë as në letër nuk ekzistonte. U është hapur rrugë (ndonëse me shumë pengesa nëpër këmbë) zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike të tregut.
Por ndërsa jemi larguar nga socializmi, ende nuk kemi shkuar në kapitalizëm. Jemi në rrugë e sipër, madje në fillim të rrugës.
Sistemi socialist është përmbysur në mënyrë të pakthyeshme, por një sistem i demokracisë liberale ende nuk është vendosur.
Jemi larguar nga Azia, por ende nuk kemi shkuar në Europë. Madje, me politikën pa bosht që ndjekim, rrezikojmë të kthehemi në Azi dhe të bëhemi një vend aziatik, ndërkohë që me fjalë kërkojmë të anëtarësohemi në Këshillin e Europës dhe në Komunitetin Europian.
Ekonomikisht. vendi duket se ka hyrë në një krizë edhe më të thellë. Ndonëse qeveritarët tanë propagandojnë se Shqipëria dallohet ndër vendet e Europës Lindore për ecurinë e reformës ekonomike, kjo mbetet një deklaratë e zbrazët përballë fakteve të shumtë që provojnë të kundërtën. Ndërsa ekonomitë e disa vendeve të Europës Lindore si, Hungaria, Polonia, Republika Çeke apo Sllovenia po stabilizohen shpejt, madje, gjatë vitit 1993, Polonia arriti të kishte ritmin më të lartë (4 për qind) të zhvillimit ekonomik në të gjithë Europën, Shqipëria vazhdon të mbetet atje ku e la regjimi i vjetër, madje pothuaj në të gjithë treguesit ka bërë hapa pas.
Parashikimet euforike të bëra nga shumë politikanë, ekonomistë dhe akademikë në Perëndim, pas “Dështimit të madh” (The Grand Failure)—siç e quan Zbigniew Brzezinski, në librin e tij me të njëjtin titull tij, dështimin e sistemit të socializmit shtetëror në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e Europën Lindore—se institucionet demokratike dhe ato të tregut të lirë do të mund të vendoseshin lehtë dhe shpejt—brenda 5 viteve—duke u eksportuar dhe transplatuar në vendet ish-socialiste, është provuar tashmë se nuk kanë qenë realiste sa duhet. Një ndër arësyet qëndron në faktin se transformimet ekonomike dhe politike në Europën Qendrore dhe Lindore u projektuan en block, pa marrë parasysh situatën specifike të çdo vendi, pa bërë dallim, të themi, mes Hungarisë dhe Rusisë, mes Polonisë dhe Shqipërisë, mes Çekosllovakisë dhe Azerbajxhanit. Ky është një gabim, nga i cili shumë politikanë dhe organizata ndërkombëtare—përfshirë edhe Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore—duket se akoma nuk kanë nxjerrë mësimet e duhura.
Probleme edhe më të vështira se sa ato ekonomik e ndeshen sot në sferën e politikës. Shumëkush bën pyetjen: “Ç’ka ndryshuar?” Sepse vërtet, shpesh herë, të duket sikur ende është i njëjti sistem i mëparshëm, veçse tashmë me një emër tjetër. Sistemi i ri nuk ka mundur dot, deri më sot, të evitojë riprodhimin e imazhit të regjimit të vjetër, sepse, ndonëse e zëvendësoi nomenklaturën e vjetër me një “nomenklaturë” të re, ka trashëguar dhe aplikon të njëjtat zakone e metoda si e para.
Sot, tre vite pas përmbysjes së socializmit shtetror, Shqipëria i ngjan një shtrati, të cilit edhe pse i janë ndërruar mbulesat e vjetra me të reja, ka mbetur po ai: shtrati i vjetër. Nuk mund të bëhet fjalë për të ndërtuar një rend të vërtetë demokratik në Shqipëri sa kohë që shoqëria civile është e dobët, sa kohë që shteti është i gjithëfuqishëm, sa kohë që jashtë vullnetit të partisë në pushtet nuk lejohet të diskutohet asnjë alternativë tjetër, sa kohë që shtypi i lirë kërcënohet nga makina shtetrore dhe gazetarët burgosen, sa kohë që njerëzve, të cilët kërcënohen nga pasiguria e jetesës, nuk u është zhdukur ende frika nga shteti dhe nga partia, sa kohë që njerëzit ndahen në “Ne” dhe “Ata”, sa kohë që liria e mendimit, e besimit, e fjalës dhe e aderimit në parti politike, ndonëse e sanksionuar në ligj, mbeten thjeshtë retorikë, ndërsa në praktikë njerëzve u privohen shumë të drejta për shkak të bindjeve të tyre politike dhe pjesmarrjes së tyre në partitë kundërshtare. Adam Michnik e ka denoncuar ashpër këtë politikë të dekomunizimit të njerëzve duke u mohuar atyre të drejtat themelore nëpërmjet përdorimit të të njëjtave metoda bolshevike.
Demokracitë e reja që po krijohen në vendet ish-socialiste kanë nevojë për më shumë se ligje dhe institucione të reja. Ato duhet të kenë koncepte të reja mbi shtetin kushtetues, mbi qytetarin, mbi ndarjen e pushteteve dhe pluralizmin. Në fakt, ajo për çfarë ka nevojë demokracia në Shqipëri nuk është thjesht një listë e gjatë ligjesh dhe një numër institucionesh të reja, por të gjithë ata elementë të shumtë e kompleksë që përmblidhen në idenë e shoqërisë civile.
Nuk duhet të harrojmë se një demokraci e dalë rishtaz nga një diktaturë e gjatë nuk është aspak e garantuar nga rënia në një diktaturë tjetër. Duke iu referuar eksperiencave të tjera historike, veçanërisht proceseve të tranzicionit në vende të ndryshëm të Amerikës Latine, studiues nga më të shquarit në kohën tonë kanë venë në dukje se rrethana të caktuara mund të shpien në rënien e demokracisë (Seymour Martin Lipset), se përmbysja e një sistemi diktatorial nuk garanton me domosdo lindjen e një sistemi demokratik dhe se ka më shumë të ngjarë që regjimet jodemokratikë të zëvendësohen me regjime të tjerë jodemokratikë se sa me regjime demokratikë (Samuel Huntington), apo se një pushtet despotik, kur përmbyset, mund të çojë në lindjen e një despotizmi të ri (Jon Elster). Është për këtë arësye që Karl Popper, duke venë në dukje vështirësitë që ekzistojnë për të ndërtuar një demokraci të kulluar, kriter themelor për të përcaktuar formën më të mirë të demokracisë konsideronte “shkallën e imunitetit të saj për të mos rënë në diktaturë”.