Mbledhja e djeshme e Grupit Parlamentar socialist është shoqëruar me debate mes kryetarit Edi Rama dhe deputeteve Mimoza Hafizi e Arta Dade.
Pas largimit të ambasadorëve Lu dhe Vlahutin nga mbledhja e Grupit Parlamentar, deputetja Hafizi i ka kërkuar shpjegime ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, për shkarkimin e një mësueseje në Peshkopi vetëm pse ajo ka marrë pjesë në një takim me të dhe deputetin Ben Blushi.
“Në Peshkopi një mësuese u shkarkua me motivacion banal, vetëm pse kishte marrë pjesë në takimin që unë dhe kolegu ynë Blushi zhvilluam atje me një grup socialistësh. Kjo është shumë e rëndë dhe ne nuk e kërkuam votën në 2013 për të përndjekur dhe persekutuar njerëzit pse mendojnë ndryshe. Kërkoj një shpjegim nga ministrja e Arsimit meqë është këtu”, mësohet t’i jetë drejtuar Hafizi ministres së Arsimit Nikolla.
Nga ana e saj, ministrja e Arsimit ka shpjeguar se largimi i mësueses nuk ka qenë e lidhur me pjesëmarrjen e saj në atë takim, por sepse ka zhvilluar kurse private të cilat janë të ndaluara me urdhër të saj.
“Unë u interesova dhe u informova nga Drejtoria Rajonale në Peshkopi se largimi i mësueses është bërë për shkak se ajo i detyronte nxënësit të ndiqnin kurse private me të, në këmbim të një note më të lartë. Ajo ka qenë paralajmëruar ndërsa detyrimin që i bënte nxënësve për kurse private e kanë pohuar vetë nxënësit, në mënyrë anonime përmes një sondazhi. Por nuk janë arsyet e shkarkimit ato që pretendon ti. Është e padrejtë”, mësohet të jetë përgjigjur ministrja Nikolla.
Por deputetja Hafizi e ka kundërshtuar këtë shpjegim të saj, duke thënë se kjo është e gënjeshtër, gjë që ka nxitur kryetarin e PS-së Edi Rama t’i drejtohet Hafizit, duke kërkuar uljen e saj dhe të mos flasë me atë gjuhë.
“Ministrja gënjen, ose kështu ta kanë servirur. Unë i kam të vërtetuara këto që them, nuk kam asnjë interes që t’i paraqes gjërat kështu”, mësohet të ketë thënë deputetja Hafizi.
“Ç’është kjo gjuhë? Ulu aty ti… ulu! S’ke të drejtë të flasësh, mbylle gojën! Kush ta dha të drejtën ty? Ulu…! ulu…!”, ishte reagimi i Ramës ndaj Hafizit, reagim që ka nxitur një debat të fortë në Grupin e PS-së.
Deputetja Hafizi ka kërkuar të marrë fjalën që të sqarojë rastin, por Rama nuk e ka lejuar të vazhdojë me tej.
“Çfarë është kjo gjuhë? Po kërkoj ta sqaroj dhe të mos thuhen të paqena”, mësohet t’i jetë përgjigjur Hafizi Ramës, e cila më pas ka dalë nga mbledhja duke përplasur derën.
Deputetja është parë të lërë selinë e Partisë Socialiste e tronditur, ndërsa mësohet se ajo ka vendosur të mos marrë më pjesë në mbledhjet e Grupit Parlamentar socialist.
Por pas ikjes së Hafizit nga mbledhja e grupit, ka reaguar deputetja Arta Dade, e cila i është drejtuar kreut të PS-së me tone kritike për gjuhën e përdorur prej tij ndaj koleges së saj.
“Çfarë është kjo gjuhë që përdor ti kryetar?! A mund t’i drejtohesh një deputeteje, një zonje, një profesoreshe me këtë gjuhë?! Pse nuk i jepni të drejtën e fjalës?”, mësohet të jetë shprehur Dade, e cila nuk është ndalur aty, por ka kërkuar reagimin e deputeteve femra në grupin e PS-së, por dhe të kryetarit të Grupit, Gramoz Ruçi.
“Si ka mundësi që ky grup parlamentar është katandisur në këtë derexhe? Kryetari i partisë, i cili flet në media se mbështet gratë, madje kërkon të shtojë numrin e grave në Parlament, flet me këtë gjuhë me një profesoreshë, e cila ngriti një çështje parimore?! Unë çuditem edhe me gratë e tjera deputete që dëgjojnë këtë gjuhë dhe heshtin”, është shprehur Dade, ndërsa kreu i Grupit ka mbyllur mbledhjen.
DEBATI
Mimoza Hafizi: Dua të ngre këtu në Grupin Parlamentar një shqetësim që lidhet me demokracinë dhe lirinë e mendimit në parti, ku vijon lufta e shtrigave. Në Peshkopi një mësuese u shkarkua me motivacion banal, vetëm pse kishte marrë pjesë në takimin që unë dhe kolegu ynë Blushi zhvilluam atje me një grup socialistësh. Kjo është shumë e rëndë dhe ne nuk e kërkuam votën në 2013 për të përndjekur dhe persekutuar njerëzit pse mendojnë ndryshe. Kërkoj një shpjegim nga ministrja e Arsimit meqë është këtu.
Lindita Nikolla: E kam parë reagimin tënd në “Facebook” për këtë rast dhe më duket se nuk është etike që të publikosh në rrjete sociale një lajm të tillë të pavërtetë, ndërkohë që mund të komunikoje me mua dhe të të sqaroja. Unë u interesova dhe u informova nga Drejtoria Rajonale në Peshkopi se largimi i mësueses është bërë për shkak se ajo i detyronte nxënësit të ndiqnin kurse private me të, në këmbim të një note më të lartë. Ajo ka qenë paralajmëruar, ndërsa detyrimin që i bënte nxënësve për kurse private e kanë pohuar vetë nxënësit në mënyrë anonime përmes një sondazhi. Por nuk janë arsyet e shkarkimit ato që pretendon ti. Është e padrejtë.
Mimoza Hafizi: Ministrja gënjen, ose kështu ta kanë servirur. Unë i kam të vërtetuara këto që them, nuk kam asnjë interes që t’i paraqes gjërat kështu.
Edi Rama (Hafizit): Ç’është kjo gjuhë? Ulu aty ti… ulu! S’ke të drejtë të flasësh, mbylle gojën! Kush ta dha të drejtën ty? Ulu…! ulu…!
Mimoza Hafizi: Çfarë është kjo gjuhë? Po kërkoj ta sqaroj dhe të mos thuhen të paqena.
Edi Rama: Nuk është kjo gjuha që flitet në këtë grup!
Mimoza Hafizi del nga salla e mbledhjes duke përplasur derën.
Arta Dade i drejtohet Ramës: Çfarë është kjo gjuhë që përdor ti kryetar?! A mund t’i drejtohesh një deputeteje, një zonje, një profesoreshe me këtë gjuhë?! Pse nuk i jepni të drejtën e fjalës?
Edi Rama: Ajo nuk duhet të flasë me këtë gjuhë ndaj ministres. Çfarë janë këto, gënjen…?! Çështjen e ka konsumuar edhe mediatikisht përpara se ta diskutonte në grup ose me ministren. Pretendimet e saj janë të pabaza.
Arta Dade: Si ka mundësi që ky grup parlamentar është katandisur në këtë derexhe? Kryetari i partisë, i cili flet në media se mbështet gratë, madje kërkon të shtojë numrin e grave në parlament, flet me këtë gjuhë me një profesoreshë, e cila ngriti një çështje parimore?! Unë çuditem edhe me gratë e tjera deputete që dëgjojnë këtë gjuhë dhe heshtin. S’ka qenë kurrë PSja në këtë gjendje. Edhe ti Gramoz nuk duhet të tolerosh ofendime të deputetëve, sepse i lajmëron që të vijnë në mbledhje që të diskutojnë çështjet që i shqetësojnë. Nëse nuk flasim këtu, ku do të flasim?
Gramoz Ruçi: Mbledhja mbyllet.
Arta Dade-Ruçit: Po si mund ta mbyllësh në këtë mënyrë mbledhjen?! Nuk na jepet fjala të diskutojmë… Përse vijnë deputetët në mbledhje grupi, për të mbyllur gojën?!
Panorama/d.i.