Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian mblidhen sot në Miloçer, pranë Budvës, në Mal të Zi, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit. Takimi zhvillohet në një moment të rëndësishëm për perspektivën europiane të rajonit, me fokus bashkëpunimin mes vendeve dhe reformat që nevojiten për avancimin drejt anëtarësimit në BE.
Në këtë samit do të marrë pjesë kryeministri shqiptar Edi Rama, së bashku me kancelarin gjerman Friedrich Merz. Pjesë e takimit do të jenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, kancelari austriak Christian Stocker dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Në qendër të diskutimeve do të jetë e ardhmja europiane e rajonit, forcimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve dhe përmbushja e reformave të kërkuara në kuadër të procesit të integrimit. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe rrugës së Malit të Zi drejt Bashkimit Europian.
Në samit do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Bankës Botërore, Bankës Europiane të Investimeve dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, institucione që luajnë rol në mbështetjen e projekteve të zhvillimit dhe bashkëpunimit ekonomik në rajon.
Sipas programit zyrtar, mbërritja e krerëve të delegacioneve dhe deklaratat për mediat do të zhvillohen nga ora 09:30 deri në 10:15. Seanca hapëse është planifikuar për orën 10:20, ndërsa konferenca për shtyp do të mbahet në orën 13:00. Aktiviteti do të vijojë me fotografinë e përbashkët të pjesëmarrësve në orën 13:30.
Procesi i Berlinit është një nismë që synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të mbështesë afrimin e tyre me Bashkimin Europian, përmes bashkëpunimit rajonal dhe përparimit në reformat e nevojshme.











