Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor Kardhiq–Delvinë, në vendin e quajtur “Skërficë”, ku një automjet ka marrë flakë gjatë ecjes, duke mbetur tërësisht i shkrumbuar.
Automjeti i llojit “Volkswagen Touran” drejtohej nga 37-vjeçari Maridon Dhuli, lindur dhe banues në fshatin Fterrë të Bashkisë Himarë. Gjatë lëvizjes, mjeti ka shpërthyer në flakë, duke i shkaktuar drejtuesit djegie të shkallës së tretë.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kalimtarëve të rastit. Një qytetar nga Saranda, Sokol Ahmetaj, i cili po udhëtonte nga Tirana, ka arritur të shuajë flakët në trupin e 37-vjeçarit duke përdorur xhupin e tij, si dhe ka njoftuar menjëherë spitalin dhe shërbimet e Policisë Rrugore.
Pas ndihmës së parë në urgjencën e Sarandës, i dëmtuari u transportua urgjentisht me autoambulancë drejt Tiranës për trajtim më të specializuar mjekësor. U deshi ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës për shuarjen e plotë të zjarrit në mjet, ndërsa Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij incidenti.











