Nga Fatos Çoçoli
As dhuna dhe shkatërrimet edhe në protestën e djeshme të quajtur “kombëtare”, nuk po arrijnë dot ta përkulin qeverisjen me votë. “Revolucioni” i huliganëve dhe vandalëve nuk i mobilizon qytetarët, por i largon ata nga dhuna. Ata e kanë të qartë se shkatërrimi i qendrës së kryeqytetit nuk është fitore e tyre dhe e gjoja revoltës së tyre. Ai nuk është as program politik. Maskimi nuk është identitet qytetar dhe vandalizmi nuk është protestë studentore. Prandaj dhe qytetarët e thjeshtë nuk i bashkohen demonstrimeve të dhunshme.
Në një shoqëri demokratike, qeveria sfidohet me argumente, me organizim qytetar, me protesta paqësore dhe me dalje si formacion i ri politik në zgjedhjet e rradhës. Nuk sfidohet as me molotovë, as me zjarr, gurë, maska dhe shkatërrim masiv të pronës publike e private.
Kur protesta humbet qëllimin dhe dhuna bëhet mesazhi
Protesta është një nga të drejtat themelore të demokracisë. Ajo u jep qytetarëve mundësinë të shprehin pakënaqësitë, të kërkojnë llogari nga pushteti dhe të ushtrojnë presion për ndryshime politike, ekonomike e shoqërore. Historia demokratike dëshmon se lëvizjet qytetare mund të ndryshojnë qeveri, të rrëzojnë padrejtësi dhe të hapin rrugën për reforma të thella.
Mirëpo ekziston një kufi thelbësor, një lumë i ndaluar, Rubikon, që ndan protestën demokratike nga dhuna dhe nuk duhet kaluar: e drejta për të protestuar nuk është e drejta për të shkatërruar!
Kur një tubim që paraqitet si protestë kombëtare, si i djeshmi, shoqërohet me hedhje molotovësh ndaj policisë, me djegje dyersh institucionesh qendrore publike, me sulme ndaj bizneseve, shkatërrim të pronës dhe përplasje me policinë, vëmendja e qytetarëve largohet nga kërkesat që pretendohet se e kanë nxitur protestën. Në vend të debatit për problemet e studentëve, qytetarët përballen me pamjet e shkatërrimit të qendrës dhe rrugëve kryesore të kryeqytetit të tyre.
Në këtë pikë, dhuna nuk është më një mjet për të përcjellë mesazhin politik. Ajo bëhet vetë mesazhi, duke e zbehur çdo kauzë që mund të ketë nisur si një kërkesë legjitime.
Kryeqyteti nuk është pronë e asnjë partie, grupimi politik apo turme të organizuar. Ai u përket të gjithë qytetarëve: studentëve që kërkojnë arsim më të mirë, punonjësve që shkojnë çdo ditë në punë, sipërmarrësve që mbajnë bizneset hapur, familjeve që jetojnë në lagjet e prekura dhe të gjithë atyre që kanë të drejtë të jetojnë në një qytet të sigurt.
“Revolucioni” i maskave nuk është ndryshim radikal qytetar
Një ndryshim radikal demokratik nuk matet me numrin e xhamave të thyer, me mjediset e institucioneve kryesore publike të djegura dhe dhunuara, me sasinë e gurëve të hedhur, apo me dëmin e shkaktuar qindra bizneseve të sulmuara e shkatërrura. Ai matet me fuqinë e ideve, me mbështetjen e qytetarëve, me aftësinë për të bashkuar shoqërinë rreth një qëllimi dhe me alternativën që ofron për të ardhmen.
Prandaj duhet bërë një dallim i qartë mes studentëve që kanë shqetësime dhe ankesa reale, me individët që përdorin një protestë për të ushtruar dhunë, për llogari të grupeve dhe partive politike opozitare që hedhin gurin dhe fshehin dorën. Këtë dallim një sërë televizionesh qëllimisht bëjnë sikur nuk e kuptojnë dhe shohin, duke i etiketuar vandalët që të gjithe si “studentë protestues”.
As veshja sportive, as kapuçi dhe as maska nuk provojnë vetvetiu se kush është student, kush është huligan apo kush vepron për interesa të tjera. Këtë e përcaktojnë faktet, identifikimi i personave dhe hetimi i ligjshëm i veprimeve konkrete të dhunës.
Megjithatë, kur individë të maskuar shfaqen në pamje filmike duke shkatërruar pronë, duke sulmuar njerëz ose duke goditur institucione, veprimet e tyre duhen gjykuar mbi bazën e provave dhe jo të justifikohen automatikisht si shprehje e pakënaqësisë politike.
Maska mund të fshehë fytyrën, por nuk e shndërron dot dhunën në ideal!
Asnjë kauzë nuk bëhet më e drejtë, vetëm sepse shoqërohet me dhunբ dhe përplasje. Asnjë kërkesë nuk fiton më shumë legjitimitet, kur transmetohet duke shkatërruar pronën e dikujt tjetër. Përkundrazi, e humb të plotë misionin dhe legjitimitetin. Dhe asnjë pretendim për ndryshim politik nuk e përjashton përgjegjësinë individuale për veprime të paligjshme.
Një lëvizje që kërkon mbështetjen e shoqërisë duhet të bindë qytetarët se ka një qëllim, një program dhe një rrugë demokratike për ta arritur atë. Në të kundërt, rrezikon të shndërrohet në një spektakël mjeran përplasjesh të dhunshme, ku flaka, shkatërrimet dhe gurët mbulojnë çdo argument.
Ata që mendojnë se shkatërrimi i rrugëve, godinave dhe bizneseve do të shkaktojë një mobilizim masiv kundër qeverisë e nënvlerësojnë reagimin e një shoqërie që kërkon së pari siguri publike për të vijuar jetën e qetë dhe për t’ia lënë lëvizjeve qytetare paqësore dhe politikës të bëjnë protagonizmin e tyre.
Qytetarët mund të jenë të pakënaqur me qeverinë. Mund të kritikojnë korrupsionin, administrimin e dobët, padrejtësitë, mungesën e transparencës, apo vendimet e gabuara. Por pakënaqësia ndaj qeverisjes nuk do të thotë se ata pranojnë çdo mënyrë, madje edhe dhunën, për ta kundërshtuar atë.
Në fakt, dhuna do të prodhojë gradualisht efektin e kundërt, nga ai që synojnë organizatorët e një tubimi të dhunshëm. Po pse?
Sepse, së pari, ajo largon qytetarët e moderuar. Njerëzit që do të mund të mbështesnin një protestë paqësore tërhiqen kur shohin sulme, kërcënime dhe shkatërrime.
Së dyti, dhuna zhvendos debatin publik. Në vend që të diskutohen kërkesat e studentëve, cilësia e arsimit, përgjegjësia e qeverisë apo nevoja për reforma, debati përqendrohet tek dhuna dhe përgjegjësia e autorëve të saj. Dhe nuk mund të pretendohet se po mbrohen interesat e shoqërisë, duke shkatërruar pasurinë e saj!
Së treti, ajo dëmton besimin tek vetë protesta qytetarë paqësore 135 ditore, që me të drejtë u quajt nga disa “Parlamenti i Rrugës”. Një protestë që nuk distancohet qartë nga aktet e dhunshme humbet gradualisht mbështetjen e qytetarëve të thjeshtë. Me dhunë ajo thjesht ka mobilizuar fort itharët e zjarrtë të grupeve ekstremiste dhe fondamentaliste tek ne. Si dhe ka eksituar partitë opozitare të demoralizuara ngaqë këtë qeveri nuk po e rrëzojnë dot me votë.
Tek njerëzit e thjeshtë, tek qindra mijëra qytetarët tanë, dhuna thjesht ka ngjallur neveri dhe distancim nga vandalët, krahas indinjatës tek të gjitha bizneset dhe frikës tek bizneset e vogla. Të gjithë qytetarët e thjeshtë presin të kalojë kjo valë e verbër dhune, për t’iu kthyer jetës normale.











