• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, October 29, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Pushtetin sot. Aftësitë nesër. Po faturën kush e paguan?

by Pëllumb Karameta
29/10/2026 09:42
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Pëllumb Karameta

Zonja Mirela Milori na e thjeshtoi punën. Sipas arsyetimit që parashtroi në një studio televizive, mëtuesve të pushtetit nuk duhet t’u kërkojmë ekspertizë shtetërore përpara se t’u besojmë drejtimin e vendit. Edhe Berisha e Nano vinin nga profesione të tjera dhe morën drejtimin e tij. Le t’u jepet mundësia edhe këtyre që kërkojnë sot qeverisjen; nëse nuk e bëjnë mirë, i largojmë me zgjedhje.

Ky arsyetim u vjen për shtat mëtuesve. Drejtimin na e besoni tani; aftësitë do t’i shihni më pas.

Mungesa e përvojës shtetërore nuk dëshmon paaftësi. Por as mundësia për t’ju larguar nesër nuk mjafton si arsye për t’ju besuar sot.

Zgjidhje me garanci. Ua besojmë drejtimin e shtetit, i shohim në punë dhe, nëse nuk bëjnë, i largojmë. Garancia mbulon ndërrimin e qeveritarëve. Për gjendjen në të cilën na kthehet shteti, nuk parashikon gjë.

Për ju që kërkoni të na qeverisni, oferta është bujare. Ne që do të qeverisemi kemi një pyetje: nëse prova juaj dështon, përse duhet ta paguajmë ne faturën?

Historia thirret si dëshmitare, por me kusht.

Berisha ishte kardiolog. Saktë. Por tani që dimë edhe çfarë ndodhi pasi u bë president, përse duhet ta ndërpresim biografinë e tij pikërisht te diploma? Përse na duhet profesioni që kishte përpara pushtetit dhe nuk na duhet bilanci që la pas tij?

Firmat piramidale dhe shembja e rendit më 1997 nuk mund të mungojnë kur shqyrtohet ai bilanc. As Gërdeci dhe 21 janari kur flitet për periudhën e tij si kryeministër. Përgjegjësitë duhen shqyrtuar një për një. Përjashtimi i pasojave nga biografia, megjithatë, është lehtësi që nuk na lejohet.

Edhe Nano përmendet për profesionin që kishte. Bilanci i qeverisjes së tij lihet për një bisedë tjetër. Kështu, nga të dyja biografitë marrim vetëm lajmin se erdhën në pushtet. Çfarë ndodhi më pas do ta ndërlikonte shembullin.

Për ju që kërkoni të qeverisni, shembulli është i volitshëm: ata e morën drejtimin e vendit, përse të mos e merrni edhe ju? Vetëm se ne po pyesim çfarë do të bëni me të.

E paguam shtrenjtë përvojën, pse të sillemi si fillestarë?

Në vitin 1992 kishim pasigurinë e fillimit. Shqiptarët po dilnin nga një sistem i mbyllur, me shpresën se ndryshimi do t’u sillte jetë më të mirë. Shumëçka duhej mësuar.

Sot kemi edhe çfarë kemi jetuar. Kemi parë se qeverisja e keqe nuk dëmton vetëm reputacionin e qeveritarit. Fatura nuk mbyllet ditën kur ai largohet. Megjithatë, na propozohet ta përsërisim provën me pafajësinë e herës së parë.

Kujtesa jonë, me sa duket, e ndërlikon procedurën.

Ju kërkoni t’ju shohim si fillim të ri. Ne nuk mund ta shqyrtojmë kërkesën tuaj me kujtesë të fshirë. Kemi paguar përvojën. Mos na kërkoni të heqim dorë edhe nga mësimi i saj.

Ata fitojnë përvojë në kurrizin tonë.

Askush nuk lind kryeministër. Dakord. Por midis lindjes dhe marrjes së detyrës ka kohë edhe për t’u përgatitur.

Me kë do të qeverisni? Çfarë zgjidhjesh propozoni? Me çfarë mjetesh do t’i realizoni?

Këto pyetje mund t’ju duken të parakohshme. Për ne do të ishte vonë ta zbulonim mungesën e përgatitjes suaj te pasojat e vendimeve tuaja.

Mund të keni plotësisht të drejtë për gabimet e qeverisë së sotme. Por duke renditur gabimet e saj, ende nuk na tregoni çfarë dini të bëni vetë. Aftësinë tuaj nuk mund ta dëshmojë paaftësia e tjetrit.

Për të na bindur, duhen përgjigjet tuaja. Përndryshe, kërkoni të përgatiteni duke qeverisur, me shpenzimet tona. Ju mësoni të qeverisni; ne mësojmë sa na kushton.

Pastaj largoheni me një rresht më shumë në jetëshkrim. Ne mbetemi me faturën e kualifikimit tuaj.

Herën tjetër mund të na kërkoni votën si njerëz me përvojë. Këtë herë do të keni të drejtë: përvojën jua kemi paguar ne.

Katër vjet kalojnë shpejt — sidomos në studio.

Në studio, nga dhënia e mundësisë te largimi me votë duhen pak sekonda. Në jetën tonë, ndërmjet tyre mund të ketë katër vjet qeverisje.

Gjatë tyre lidhen kontrata, shpenzohen para publike dhe merren vendime që hyjnë në jetën e njerëzve pa pritur fundin e mandatit. Për një fëmijë, ato janë vite shkollimi. Për një të sëmurë, koha kur duhej të merrte trajtimin. Për një familje, kursimet që mund të mos i mbledhë më.

Ju mund të kërkoni edhe një mandat tjetër për të ndrequr gabimet. Qytetari nuk mund të kërkojë edhe një herë të njëjtat vite të jetës.

Po sikur të dëmtojnë edhe mekanizmin e largimit?

“I heqim me votë” funksionon nëse zgjedhjet mbeten të lira dhe vota respektohet. Po nëse mëtuesit e sotëm, pasi marrin pushtetin, manipulojnë zgjedhjet dhe nënshtrojnë institucionet që duhet t’i kontrollojnë? Ndërsa ne presim zgjedhjet për t’i larguar, ata punojnë që zgjedhjet të mos i largojnë.

Zgjedhjet e vitit 1996 na kujtojnë se ky mekanizëm mund të cenohet nga vetë pushteti. Prandaj nuk mjafton të na thuhet se kemi të drejtën t’ju largojmë. Duhet të dimë si do ta respektoni kontrollin mbi ju gjatë gjithë kohës që do të qeverisni.

Për këtë rrezik, historia e Berishës ka çfarë të na tregojë. Por në arsyetimin e studios na u paraqit vetëm kardiologu. Presidenti që pasoi do ta ndërlikonte garancinë.

Garancia mbulon ndërrimin e qeveritarëve. Po dëmet?

Le ta pranojmë skenarin më të mirë: zgjedhjet funksionojnë, qytetarët votojnë dhe ju largoheni. Garancia u zbatua.

Tani kush e shlyen faturën?

Me votë mund të sjellim edhe ata që do të riparojnë dëmet. Por riparimi kërkon kohë, punë dhe para që do të mund të përdoreshin për të ecur përpara. Pasi paguam provën tuaj, do të paguajmë edhe riparimin.

Qytetarit që ka humbur kursimet nuk i kthehen paratë bashkë me shpalljen e rezultatit. Vitet nuk rikthehen kur dorëzohen zyrat. Të vdekurit nuk ngjallen kur ndryshojnë ministrat.

Disa humbje mbeten përgjithmonë. Për këto të fundit, oferta e mëtuesve hesht.

Drejt Europës, gjithmonë nga e para.

Ndërkohë, kërkoni të drejtoni një vend që synon të përmbushë standardet europiane. Kjo kërkon institucione që funksionojnë edhe kur ndërrohen qeveritarët, administratë që e njeh punën dhe drejtues që dinë çfarë përgjegjësish po marrin.

Në këtë rrugëtim, çdo qeveri duhet të ndërtojë mbi atë që është arritur. Nuk kemi në dispozicion një Shqipëri për çdo provë të pasuksesshme.

Vendit i kërkohet të jetë gati për Europën; për drejtuesit na thuhet se kemi kohë t’i shohim në punë. Nëse nuk bëjnë, i heqim me votë dhe e nisim përsëri.

Fundja, Europa aty është. Vetëm jeta jonë kalon.

Next Post
U largua në SHBA, Bolsonaro pretendon se është udhëheqësi i vërtetë i Brazilit

U largua në SHBA, Bolsonaro pretendon se është udhëheqësi i vërtetë i Brazilit

Comments 1

  1. Koço Ngjeqari says:
    5 hours ago

    Të lumtë profesor i profesorëve….fjalë kuvëndi burrash.
    Rrofsh.

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Kaloi me sukses ndërhyrjen në sy, Vishkulli: Kur Zoti vendos të bëjë një mrekulli, asgjë nuk është e pamundur

Kaloi me sukses ndërhyrjen në sy, Vishkulli: Kur Zoti vendos të bëjë një mrekulli, asgjë nuk është e pamundur

October 29, 2026
VIDEO / Xhubleta, frymëzim dhe krenari! Një etyd nga Tom Therçaj

VIDEO / Xhubleta, frymëzim dhe krenari! Një etyd nga Tom Therçaj

October 29, 2026
Veliaj në të njëjtin burg me vrasësin e katër grave, ndaj të cilit mbajti qendrim publik

Veliaj në të njëjtin burg me vrasësin e katër grave, ndaj të cilit mbajti qendrim publik

October 29, 2026
Armëpushimi në Oleshki hyn në ditën e tretë, shpresat për ndihmë humanitare ndeshen me frikën nga dëbimet

Armëpushimi në Oleshki hyn në ditën e tretë, shpresat për ndihmë humanitare ndeshen me frikën nga dëbimet

October 29, 2026
Seanca e Metës në GJKKO, 134 emra nga mbrojtja në pritje të vendimit për të dëshmuar

“Do e kishit mbushur me kamera këtu”, Meta me akuza të forta në sallën e gjyqit

October 29, 2026
Paradoksi i votës arabe/ Vendimtare për të mundur Netanyahun, por askush nuk i do në qeveri

Paradoksi i votës arabe/ Vendimtare për të mundur Netanyahun, por askush nuk i do në qeveri

October 29, 2026
Tragjedi në festën kombëtare të Turqisë, shembet masivi shkëmbor në Kapadokia! Viktima dhe të plagosur (VIDEO)

Tragjedi në festën kombëtare të Turqisë, shembet masivi shkëmbor në Kapadokia! Viktima dhe të plagosur (VIDEO)

October 29, 2026
Bordi i Transparencës cakton çmimet e reja të naftës dhe benzinës, ja sa do të shiten

Bordi i Transparencës cakton çmimet e reja të naftës dhe benzinës, ja sa do të shiten

October 29, 2026
Vatikani zbulon garazhin e shenjtë të papamobilave të përdorur që nga viti 1930

Vatikani zbulon garazhin e shenjtë të papamobilave të përdorur që nga viti 1930

October 29, 2026
Pas 46 bashkive, 7 rajone?

Korrelacioni mes vendlindjes së babait dhe mënyrës së votimit në Tiranën urbane

October 29, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In