Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të shitjes me shumicë dhe pakicë për karburantet në vend. Vendimi u mor në mbledhjen e zhvilluar më 29 tetor 2026, në kuadër të masave për situatën e veçantë në tregun e hidrokarbureve.
Sipas vendimit të Bordit, çmimi i shitjes me pakicë për naftën (gazoil), do të jetë jo më shumë se 212 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë nuk do të kalojë 200 lekë për litër.
Për benzinën, çmimi i shitjes me pakicë do të jetë jo më shumë se 181 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë do të jetë maksimumi 169 lekë për litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, më 29 tetor, në orën 15:00 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, kur do të shqyrtohen ndryshimet e mundshme në treg.
Bordi i Transparencës u ka tërhequr vëmendjen të gjithë operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës për detyrimin e zbatimit të vendimit. Në njoftim theksohet se për operatorët që shkelin çmimet e përcaktuara do të vendoset pezullimi i aktivitetit.











