Zhvillimet e fundit dhe protestat në vend kanë vënë në qendër të vëmendjes imazhin e Shqipërisë, ndërsa sektori i turizmit po jep sinjalet e para të ndikimit nga klima e tensionuar.
“Ky është në përgjithësi problem rajonal, ka një rënie me 10% të prenotimeve në periudhën nga 1 nëntori e në vazhdim. Turizmi është sektori i parë që i jep efekte. Problemet për ne do të jenë afatmesme dhe afatgjata. Pasi është periudha ku mbyllen kontratat për sezonin e ardhshëm në Berlin apo Londër. Rreth 5 deri në 10% e kapaciteteve akomoduese janë prekur në formë ngadalësimi”, tha kreu i shoqatës së Hoteleri-Turizmit, Zak Topuzi.
Sfidat e sigurisë dhe mungesa e një informimi më të strukturuar për vizitorët e huaj mbeten shqetësim, në një kohë kur qendrat urbane dhe sitet historike vijojnë të përballen me dinamika të papritura të protestave.
“Mendoj se politika duhet të ketë maturi, pasi është momenti i duhur për të dhënë një mesazh që përkthehet në qetësi për turistët e huaj. Duhet të mos e dëmtojmë më tej këtë sektor që mbështet ekonominë”, tha Topuzi.
Nga ana e tyre, strukturat e ndërmjetësimit turistik konfirmojnë se vizitorët po tregohen më të kujdesshëm në terren, por pa sjellë anulime totale të destinacionit shqiptar.
“Atëherë, anulime nuk kemi pasur… njerëz që kanë rezervuar i kanë shmangur vendet ku ka protesta dhe çdo gjë ka shkuar mirë. Situata nuk është shumë e këndshme kur dalin në qendër, por siguria mbetet një nga kushtet kryesore që kërkojnë turistët para se të rezervojnë”, tha operatorja turistike Fjorida Zani.
Pavarësisht fleksibilitetit të tregut, përfaqësuesit e sektorit turistik kërkojnë stabilitet politik dhe garanci për sigurinë.











