Shoferët e taksive dhe operatorët e automjeteve me qira në Itali dolën në protestë përpara Ministrisë së Transportit në Romë, duke kundërshtuar rritjen e ndjeshme të çmimeve të karburanteve.
Protestuesit paralajmëruan se, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, protestat mund të përshkallëzohen deri në një grevë, raporton ANSA.
Protesta u organizua nga shoqatat e taksive It Taxi, Uritaxi dhe Unicoop, në bashkëpunim me përfaqësuesit e sektorit të automjeteve me qira nga Unitrav.
Deri në këto momente nuk janë regjistruar ndërprerje të shërbimeve të transportit, ndërsa sindikata të tjera kanë paralajmëruar një tubim të madh që pritet të zhvillohet të martën në Firence.
Një nga kërkesat kryesore të protestuesve është rritja e mbështetjes fiskale për sektorin, përfshirë rikthimin e kredive tatimore, të cilat janë reduktuar gradualisht.
Carlo di Alessandro, përfaqësues i Federtaxi Cisal, deklaroi se shpenzimet e operimit janë rritur me 25 deri në 30 për qind që prej nisjes së krizës. Ai theksoi se mundësia e organizimit të një greve është ende në shqyrtim.
Ndërkohë, ministri italian i Transportit, Matteo Salvini, dhe zëvendësministri Edoardo Rixi pritet të zhvillojnë të martën një takim me përfaqësuesit e transportit rrugor të mallrave. Diskutimet do të përqendrohen te vështirësitë strukturore të sektorit, pasi qeveria italiane ndau javën e kaluar 105 milionë euro për të ofruar mbështetje emergjente.
Përballë rritjes së kostove të energjisë dhe karburanteve, Italia ka bashkuar përpjekjet me Çekinë, Rumaninë dhe Sllovakinë për t’i kërkuar Bashkimit Evropian zgjatjen e skemës së përkohshme të ndihmës për bujqësinë.
Nisma synon që kjo mbështetje të përfshijë edhe shpenzimet më të larta të karburantit për fermerët.
Propozimi pritet të diskutohet të martën në mbledhjen e Këshillit të Bashkimit Evropian për Bujqësi dhe Peshkim.











