Hezbollahu po shfrytëzon periudhën e qetësisë relative që nga muaji qershor për të rindërtuar kapacitetet e tij ushtarake, ndërsa ka marrë dhjetëra miliona dollarë financim nga Irani, raportoi Reuters duke cituar burime libaneze të sigurisë.
Sipas burimeve të njohura me aktivitetet e grupit, gjatë tre muajve të fundit Hezbollahu ka punuar për t’u përgatitur për mundësinë e një përshkallëzimi të ri të konfliktit me Izraelin.
Financimet nga Teherani janë përdorur për forcimin e aftësive ushtarake, përfshirë sigurimin e eksplozivëve dhe prodhimin e dronëve që mund të përdoren kundër objektivave izraelite.
Hezbollahu, i themeluar nga Garda Revolucionare Iraniane në vitin 1982, ka pësuar humbje të konsiderueshme gjatë përballjeve me Izraelin në vitet e fundit. Mijëra luftëtarë janë vrarë, ndërsa një pjesë e madhe e arsenalit dhe strukturave drejtuese të organizatës janë dëmtuar ose shkatërruar.
Aktualisht, forcat izraelite vazhdojnë të mbajnë nën kontroll zona strategjike në Libanin jugor, ndërsa në Bejrut është shtuar presioni politik për çarmatosjen e grupit. Pavarësisht kësaj, burimet e sigurisë thonë se Hezbollahu mbetet i vendosur të ruajë kapacitetin për t’u përballur me Izraelin.
Sipas Reuters, grupi ka marrë dhjetëra miliona dollarë nga Irani për qëllime ushtarake, përveç rreth 200 milionë dollarëve të akorduara për mbështetjen e familjeve të zhvendosura në zonat ku ai gëzon ndikim.
Burime të tjera të sigurisë thanë se Hezbollahu po përpiqet gjithashtu të rindërtojë sistemet e komandës dhe kontrollit, të cilat u goditën rëndë gjatë luftimeve të fundit. Riorganizimi konsiderohet jetik për funksionimin e strukturës ushtarake të grupit në rast të një konflikti të ri.
Nga ana e saj, zyra mediatike e Hezbollahut deklaroi se prania e forcave izraelite në territorin libanez e bën “rezistencën një të drejtë legjitime”, por nuk pranoi të komentojë mbi pretendimet për rindërtimin e sistemeve të komandës apo nivelin e riarmatosjes.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë përpjekjet për të kufizuar financimin e Hezbollahut përmes sanksioneve dhe masave të tjera ekonomike. Zyrtarë amerikanë kanë deklaruar se rrjetet financiare dhe mekanizmat që Irani përdor për transferimin e fondeve po përballen me vështirësi në rritje.
Megjithatë, sipas burimeve të Reuters, Hezbollahu ende nuk ka arritur të rikthejë plotësisht rezervat e armëve dhe kapacitetet luftarake. Grupi ka pranuar së fundmi se eksplozivët e sekuestruar nga autoritetet libaneze i përkisnin atij dhe ishin planifikuar për përdorim në dronë shpërthyes kundër objektivave izraelite.
Zyrtarët e sigurisë vlerësojnë se organizata përballet ende me sfida të mëdha, veçanërisht pas humbjeve në zona të rëndësishme strategjike në jug të Libanit.
Ata theksojnë se teknologjitë e avancuara të Izraelit, përfshirë dronët dhe sistemet e operuara nga distanca, mbeten një pengesë serioze për grupin.
Ushtria izraelite, nga ana tjetër, deklaroi se po përdor sisteme të telekomanduara për të monitoruar Libanin jugor dhe për të reduktuar rrezikun ndaj forcave të saj në terren.











