Pse ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale duhet të parashikojnë një ankim kundër kontrollit, edhe kur nuk sekuestrohet asgjë
Nga Isuf Shehu – Avokat
Në doktrinën procedurale italiane përdoret një term që në Shqipëri pothuajse nuk artikulohet: “kontrolli negativ” (perquisizione negativa). Bëhet fjalë për kontrollet që kryhen në banesën, zyrën ose mbi trupin e një personi, por që nuk përfundojnë me sekuestrim. Në pamje të parë, ato mund të duken më pak problematike, pikërisht sepse nuk lënë pas ndonjë provë që mund të kundërshtohet. Por nga pikëpamja e garancive, problemi është më i madh: nuk mbetet asnjë gjurmë procedurale që ta çojë çështjen përpara gjykatës. Në sistemin tonë procedural, individi nuk ka një mjet të posaçëm ligjor për ta kundërshtuar vetë kontrollin përpara gjykatës.
Projektligji për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, i hartuar dhe propozuar nga Ministria e Drejtësisë dhe i prezantuar nga Kryeministri më 30 shtator 2026, ishte rasti për ta zgjidhur këtë problem. Ai ndërhyn në rreth një të pestën e Kodit të Procedurës Penale(KPP) dhe në fushën e kontrolleve bën disa hapa të nevojshëm, vecanërisht ndaj fenomenit të ashtuquajtur “peshkim për prova” (fishing expedition). Ndryshimi i nenit 202/a kërkon që vendimi i kontrollit të specifikojë sendet që kërkohen dhe lidhjen e tyre me faktin penal, ndërsa shkelja e kësaj kërkese sjell, me disa përjashtime, papërdorshmërinë e provave. Kontrollet që policia gjyqësore kryen me iniciativën e vet do t’i nënshtrohen vlerësimit të gjykatës, e cila do të verifikojë edhe nëse urgjenca që justifikonte ndërhyrjen ka ekzistuar realisht. Megjithatë, projektligji i përgjigjet vetëm njërës anë të problemit, mënyrës se si autorizohet kontrolli. Mbetet pa përgjigje ana tjetër, ajo që lidhet me mjetin përmes të cilit individi mund të kërkojë shqyrtimin gjyqësor të ligjshmerisë dhe bazueshmërisë së kontrollit pasi ai është kryer. Për këtë çështje, teksti i propozuar nuk ka asnjë parashikim.
Sistemi aktual funksionon në mënyrë të tërthortë. Ligji nuk parashikon një ankim të posaçëm kundër vetë vendimit për kontrollin. Kur kontrolli pasohet nga sekuestrimi i sendeve, personi mund ta kundërshtojë edhe ligjshmërinë e kontrollit përmes ankimit ndaj vendimit të sekuestrimit, sipas nenit 212 të Kodit të Procedurës Penale. Por, kur nuk sekuestrohet asgjë, Kodi dhe projektikigji nuk parashikon asnjë mjet ankimi, për pasojë individit i mbetet vetëm ankimi individual kushtetues. Në këtë mënyrë, mbrojtja gjyqësore e privatësisë përfundon duke u varur nga një rrethanë krejt konkrete, nëse gjatë kontrollit policia gjyqësore ka gjetur apo jo diçka për të sekuestruar.
Ky boshllëk nuk është zbulim i ri. Gjykata Kushtetuese e ka trajtuar në mënyrë të përsëritur. Në vendimet nr. 12/2021 dhe nr. 14/2022 të saj, pranoi se kur kontrolli nuk shoqërohet me sekuestrim, personi mund t’i drejtohet asaj drejtpërdrejt, dhe e ripohoi këtë qëndrim në vendimin nr. 42/2025. Në vendimin nr. 21, datë 22 prill 2025 (çështja Qyno), Gjykata shkoi më tej dhe i kërkoi ligjvënësit të vlerësojë nëse Kodi duhet plotësuar me një mjet efektiv para gjykatave të zakonshme për rastet kur kontrolli nuk ndiqet nga sekuestrimi. Në vendimin nr. 78, datë 29 qershor 2026 (çështja V.V), e përsëriti këtë kërkesë. Pesë vite jurisprudencë kushtetuese tregojnë të njëjtën problematikë: ankimi kushtetues po përdoret, në thelb, si zëvendësim për një mjet ankimi që Kodi nuk e parashikon. Por Gjykata Kushtetuese nuk është konceptuar për të shërbyer si gjykata e parë ku individi drejtohet për të kundërshtuar çdo kontroll.
Strasburgu e ka evidentuar të njëjtin problem në rastin shqiptar. Në vendimin “Çela kundër Shqipërisë” (kërkesa nr. 55672/22, janar 2026), në të cilin kërkuesi u përfaqësua nga zyra jonë, GJEDNJ-ja vuri në dukje se Kodi shqiptar nuk parashikon një mjet ankimi kur kontrolli nuk shoqërohet me sekuestrim (parag § 56 i vendimit). Gjykata ritheksoi, duke iu referuar edhe çështjes “Reznik kundër Ukrainës”, se një kontroll nuk mund të mbetet pa një mjet efektiv kundërshtimi, individi duhet të ketë mundësi të kundërshtojë si bazën faktike dhe ligjore të kontrollit, ashtu edhe të kërkojë riparimin e cenimit të të drejtave të tij.
Kërkesa u shpall e papranueshme, pasi për kontrollin e zyrës ekzistonte mjeti i parashikuar nga neni 212 i KPP dhe ky mjet nuk ishte shteruar, pavarsisht elementeve specifikë tëçështjes si ekzekutimi i letërporosisë nga jashtë dhe garancitë shtesë te avokatit nga kontrolli i zyrës dhe banesës. Kjo papranueshmëri nuk e zbehu problemin, përkundrazi, e nxorri atë më qartë në pah. Neni 212 bëhet i disponueshëm kur kontrolli shoqërohet me sekuestrim, në të kundërt mbetet e paqartë se përmes cilit mekanizëm individi mund ta kundërshtojë vetë ligjshmërinë e ndërhyrjes. Vetë vendimi sjell edhe dy elemente që dobësojnë argumentin se mjetet ekzistuese janë të mjaftueshme. Së pari, papërdorshmëria e provave nuk mund të zëvendësojë shqyrtimin e vetë kontrollit (§ 52). Së dyti, një padi civile për dëmshpërblim nuk ofron, në vetvete, një mjet efektiv kur suksesi i saj varet nga ekzistenca e një konstatimi paraprak të shkeljes nga gjykata (§§ 48–50). Në fund, problemi mbetet i thjeshtë, nëse nuk ka një gjyqtar që mund të shqyrtojë ligjshmërinë e kontrollit, nuk ka as një mjet real për të kërkuar riparimin e cenimit.
Vende të tjera evropiane e kanë adresuar këtë problem me zgjidhje të drejtpërdrejta procedurale. Në Itali, pas vendimit të Strasburgut në çështjen “Brazzi kundër Italisë” (2018), reforma Cartabia e vitit 2022 shtoi në Kodin e Procedurës Penale nenin 252-bis. Dispozita i jep të hetuarit, por edhe çdo personi ndaj të cilit është urdhëruar ose kryer kontrolli, të drejtën ta kundërshtojë atë përpara gjyqtarit të hetimeve paraprake, brenda dhjetë ditëve, pikërisht në rastet kur kontrolli nuk është pasuar nga sekuestrimi. Gjyqtari e pranon kundërshtimin kur konstaton se kontrolli është urdhëruar jashtë rasteve të parashikuara nga ligji.
Një zgjidhje të ngjashme ka zgjedhur edhe Franca. Me ligjin e 23 marsit 2019 u shtua neni 802-2, i cili i jep kujtdo që i është nënshtruar një kontrolli, dhe ndaj të cilit nuk është filluar një ndjekje penale, brenda gjashtë muajve, të drejtën t’i kërkojë gjyqtarit anulimin e kontrollit, brenda një viti nga momenti kur ka marrë dijeni për të. Të dyja këto modele tregojnë se ekzistenca e një mjeti efektiv nuk kërkon domosdoshmërisht njoftim paraprak ose pezullimin e kontrollit. Ajo që kërkohet është më e thjeshtë, t’i jepet individit një mundësi reale, pasi kontrolli ka përfunduar, për t’iu drejtuar gjykatës, për të kundërshtuar ligjshmërinë e tij.
Projektligji duhet të plotësohet në dy drejtime. Së pari, duhet të parashikohet një mjet i posaçëm ankimi kundër kontrollit, i vlefshëm si për të pandehurin, ashtu edhe për çdo person ndaj të cilit kontrolli është urdhëruar ose kryer, pavarësisht nëse kontrolli ka sjellë apo jo sekuestrim. Ky mjet duhet të shqyrtohet nga gjykata brenda afateve të përcaktuara, sipas modelit të nenit 212 të KPP, dhe duhet të shoqërohet me pasoja konkrete në rast konstatimi të shkeljes, deklarimin e paligjshmërisë së kontrollit, asgjësimin e të dhënave të marra. Së dyti, duhet kufizuar përmbajtja e nenit 205, pika 4, i cili sot lejon kontrollin e personave të pranishëm sa herë që organi procedues “çmon” se një kontroll i tillë është i nevojshëm. Arsyet konkrete dhe individuale që justifikojnë kontrollin duhet të pasqyrohen në procesverbal dhe vetë kontrolli duhet t’i nënshtrohet vleftësimit gjyqësor brenda 48 orëve, në të njëjtën mënyrë që projektligji parashikon tashmë për kontrollet e kryera në kushtet e urgjencës. Kjo është pikërisht garancia që Gjykata Kushtetuese ka kërkuar në çështjen “Vladimirov” dhe që Strasburgu e ka pranuar si një mekanizëm kompensues në rastet kur mungon autorizimi paraprak (“Brazzi”). Në këtë mënyrë, reforma nuk do të kufizohej vetëm në rregullimin e mënyrës se si autorizohet një kontroll, por do të krijonte edhe atë që sot mungon, një mjet të qartë dhe efektiv për ta kundërshtuar kontrollin pasi ai është kryer.
Fakti që projektligji vjen nga Ministria e Drejtësisë dhe jo nga gjyqtarët e prokurorët që do ta zbatojnë ka rëndësi. Sipas BIRN, procesi u zhvillua pa konsultim të gjerë dhe reagimet e gjyqtarëve e prokurorëve erdhën pas publikimit, kryesisht për shqetësimin se rregullat e reja mund të ngadalësojnë hetimet. Por jurisprudenca tregon një tjetër boshllëk, projektligji rregullon mënyrën e autorizimit të kontrollit, por jo mënyrën e kundërshtimit të tij pasi është kryer. Është një problem që zyra jonë e ka adresuar në çështjen “Çela kundër Shqipërisë” para GJEDNJ- së dhe në cështjen “Vladimirov” para Gjykatës Kushtetuese. Paradoksi është i qartë, ligji parashikon ankimin kur sekuestrohet telefoni, por jo një mjet të qartë për të kundërshtuar vetë kontrollin kur sekuestrimi nuk ndodh.
Efektiviteti i hetimit është një interes legjitim dhe asnjë nga këto ndryshime nuk e pengon atë. Ankimi bëhet pasi kontrolli ka përfunduar, nuk e pezullon hetimin dhe nuk kërkon njoftim paraprak. Ajo që ndryshon është diçka më themelore, pushteti për të kryer një kontroll nuk mbetet pa një gjyqtar që ta shqyrtojë më pas. Nenet 8 dhe 13 të Konventës kërkojnë pikërisht këtë, një mbrojtje efektive të privatësisë dhe një mundësi reale për të kundërshtuar cenimin e saj. Ligji duhet të garantojë jo vetëm që kontrolli të autorizohet sipas rregullave, por edhe që ai të mund të kundërshtohet dhe të shqyrtohet realisht nga një gjykatë. Gjykata Kushtetuese ia ka kërkuar këtë ligjvënësit dy herë. Kuvendi nuk ka pse të presë një herë të tretë.











