Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë ka prekur edhe ata që sot janë në krye të detyrës për të ruajtur rendin në Prishtinë.
Gjatë protestës para zyrave të EULEX-it, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është parë me lot në sy, teksa vazhdonte detyrën e tij për të siguruar rendin dhe qetësinë.
Protestuesit i vendosën atij një flamur kombëtar dhe një flamur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjesti e emocionoi policin, i cili u pa duke fshirë lotët, ndërsa qëndronte në rresht përballë protestuesve.
Në Prishtinë, protestuesit kanë shprehur pakënaqësinë ndaj vendimit të Gjykatës Speciale, ndërsa tensionet janë rritur gjatë protestës para zyrave të EULEX-it dhe më pas para ndërtesës së Qeverisë.
Protestuesit janë shprehur se vendimi i Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së është i padrejtë dhe lidhet drejtpërdrejt me historinë e luftës për çlirimin e Kosovës.











