Kur Myfid bej Libohova vdiq në moshën 51 vjeçare, kishte lënë përveç një nami jo të vogël për emrin e tij dhe shumë punë. Ndër të tjerat, Lekun shqiptar, një element që do i mjaftonte të kujtohej, madje edhe sikur të ishte… një i vetëm
Nga Ben Andoni
Arsllan Pashallinjtë, nga ku mëtohet se rrjedh Myfid bej Libohova, kishin qenë për breza me rradhë Vezirët e Janinës dhe po ashtu dhe sundimtarët e Sanxhakut të Gjirokastrës dhe të Delvinës. Nga kronikat e kohës, ata përmenden dhe si zotërues të shumë krahinave të tjera. Mbase, ishte kjo trashëgimi, që i bindi Libohovat e brezave të fundit të Perandorisë Osmane, që nuk ishin si të tjerët, por edhe se duhet të shkolloheshin. Ndaj në kohë të ndryshme, pinjollët e tyre, do të arsimoheshin në shkollat më të mira, që do të mundte pasuria e Familjes.
Në shtëpinë e Libohovës fliteshin shumë gjuhë dhe kjo falë edukimit që kishin relativisht të gjithë anëtarët e saj. Kishin kuptuar të gjithë diçka të vetme: Ajo, e cila mund të ndryshonte statusin e tyre dhe të mjedisit ku jetonin, do të ishte vetëm kultura. Nga ana tjetër, dituria u jepte një status tjetër, krahasuar edhe me njerëzit e tjerë të Perandorisë, ku familja e tyre ishte shumë elitare. Një nga këta ishte edhe Myfid bej Libohova, ai që do të linte gjurmë dhe shumë gjurmë në historinë shqiptare…
Për familjen e tij
Në fakt, kronika e familjes është e pasur. Malik Pasha, i gjyshi i Myfidit, nuk i pranoi në mënyrë publike detyrat zyrtare të Perandorisë Osmane. Sipas të afërmëve, pasuria e tij ishte e tillë, saqë Maliku konsiderohej nga bashkëkohësit, si një nga njerëzit më të pasur të kohës në Perandori. E gjitha kjo pasuri, që ishte mbledhur në shekuj të tërë, konfirmonte realisht, atë që familja Libohova e pretendonte: se datonte si një nga familjet më të vjetra të aristokracisë shqiptare. Pinjollët e fundit të Libohovave, e vizatojnë pemën e tyre gjenealogjike… deri në 700 vjet më parë. Ndoshta, kjo ishte arsyeja, që Shanishaja, motra e Ali Pashait, erdhi nuse në derën e tyre. Duke iu afruar më shumë familjes, Myfid Bej Libohova është i biri i Neki Pashës dhe lindi më 1876. Ndërsa, ky i fundit është i njohur për kohën kur shërbeu si guvernator i Gjirokastrës. Dhe, për shkak të statusit të tij, ishte edhe një nga pak deputetët e Shqipërisë në Parlamentin e parë të Perandorisë Osmane. Ky pozicion i madh i të jatit, bëri që më 1879, ai të bëhej një nga Këshilltarët kryesorë në Këshillin Perandorak të Shtetit. Në shekullin e XIX ishte fare e arsyeshme, që të kishe privilegje prej familjes. Me pak fjalë, Myfidi, do ta kishte rrugën e hapur për karrierën e tij. Ishte martuar herët dhe më 1898, bashkëshortja e tij e parë u bë Sheref Hanëm Giritli Zade . Kjo ishte vajza e Ibrahim Pashait dhe Mustafa Pashait, ky i fundit, 5 herë Sadrazem dhe kryeministër i perandorisë. Me Sheref Hanëmin i lindi djali i parë Malik Beu, i cili do të përfaqësonte vite më vonë Shqipërinë në Francë. Ndërsa, djali i dytë i tij, ishte Elmaz Beu, që lindi nga gruaja e dytë, danezja Olga Scheitzer.
Formimi
Si të gjithë shqiptarët e kulturuar, Myfidi, do të formohej në Liceun e Janinës “Zosimea”, ndërsa formimin e plotë do ta përfundonte në Liceun Perandorak të Stambollit në “Galata Saraj”, ku gjuha bazë e shkollës ishte frëngjishtja. Ishte e tillë kultura e familjes, saqë ajo mund të vlerësohej dhe me njohjen e gjuhëve që kishte mësuar Myfidi dhe vëllezërit e tij. Komunikonte lirisht në frëngjisht, turqisht, persisht, greqisht dhe me italishten e kohës. Arriti të diplomohej me sukses në degën e drejtësisë në Stamboll dhe pak më vonë për Shkencat Politike në Lozanë. Në këtë vend, pak vite më vonë, do të merrte edhe doktoraturën. Ishte i gjithë korpusi i diturive të tij, që e bëri atë, falë kuptohet dhe ndikimit të pozicionit të paraardhësve të tij, që të ishte që nga viti 1898 në Ambasadën perandorake në Bruksel. Në këtë vend arriti në pak vite, të gradohej deri në “Charge d’Affaires”. Ishte njeriu, që ndihmoi nacionalistët shqiptarë në atë qytet dhe patriotin Ismail Qemali, kushëririn e tij të afërt, që botonte në atë kohë “Le salut de l’Albanie”, organ që shtypej në tre gjuhë: shqip, turqisht dhe greqisht. Kjo veprimtari, që konsiderohej si subversive bëri që ai në vitin 1904 të transferohej i këshilluar për në Bernë. Të kësaj kohe janë dhe udhëtimet e tij, në një sërë kryeqytetesh në Evropë, si në Berlin, Vjenë, Paris, Londër, Romë dhe Shën Petërburg për çështjen shqiptare. Dy vjet më vonë, ai do t’i kërkojë ndërhyrje Abas Hilmi Pashës “Hidivit” në Egjipt për të ndikuar pozitivisht për çështjen shqiptare. Në atë kohë, “Çështja”- kishte marrë një hop të madh dhe po i afrohej finishit të zgjedhjes së saj. Po ashtu edhe Familja e Libohovave po përjetonte lulëzimin e saj. Dy vëllezërit e tij, po ashtu kishin arritur pika të larta në karrierën perandorake. Ekrem Beu ishte bërë oficer madhor në Akademinë e Kavalerisë Perandorake në Shtatmadhori; ndërsa i dyti ishte Ajet Beu, Këshilltar i Ambasadës Perandorake në Athinë. Më 1907 i vdes i jati dhe i bie barra, që të merret me administrimin e pasurisë, e cila është e stërmadhe. Një vit më vonë, ai do të jetë kryekonsull në Thesali, me vetë kërkesën e tij, në mënyrë që të ndiqte pasurinë e familjes.
Kuptohet se nuk qëndron shumë, sepse pavarësisht postit, fillojnë e marrin erë shumë problemet shqiptare. Pavarësia është më afër se kurrë dhe për të nuk pëshpëritet por flitet me forcë. Bashkë me dy vëllezërit, Ekremin dhe Ajetin, braktis Perandorinë për të filluar një jetë tjetër. E cila duhej të vihej në shërbim të një shteti, që ekzistonte vetëm në kokat e diplomatëve dhe në dëshirën e shqiptarëve…
Zyrtar i shtetit shqiptar
Shumë vite më vonë, emri i tij shihet gjerësisht në kronikat e kohës. Myfid Bej Libohova është një nga personazhet më të njohura të viteve ’20 në Shqipëri. Një nga kundërshtarët e tij më të thekur, Sejfi Vllamasi, në “Ballafaqimet politike në Shqipëri”, e cilëson atë si një nga elementët kundër Kongresit të Lushnjes. Kuptohet se nuk përputhet me variantin e Myfid bej Libohovës, i cili mbështetet dhe nga kujtimet e Jakomonit, të dërguarit italian në Shqipëri: Autoritetet italiane jo vetëm nuk e kufizuan Kongresin, por e mbështetën. Madje, shumë deputetë, nga vende të ndryshme të Shqipërisë erdhën falë transportit italian. Praktikisht, ishte koha që qeveria e Durrësit nuk duhej më dhe vendin e saj e zuri menjëherë qeveria, vendimi kryesor i të cilës ishte për të bërë Tiranën kryeqytet. Sulejman Delvina, në qeverinë që doli nga Lushnja, bëri Ahmet Zogun ministër të brëndshëm. Në këtë kohë, ky personazh i njohur filloi që të merrej më seriozisht me punët e tij, të cilat i kishte lënë pas dore. Ato nuk ishin më si më parë, pas udhëtimeve të parreshtura të tij në të gjithë Shqipërinë. Iu kthye pasionit rinor, si në të ritë e tij, kur studionte në histori dhe jurisprudencë dhe vazhdonte që të sistemonte bibliotekën shumë të madhe personale, ku ishin shkresa për historinë e familjes së tij, por dhe të Shqipërisë. Banorët e Libohovës flasin se ai kishte në shtëpi dhe shpatën e Sulltan Bajazitit…
Në vitin 1923, ai do të rikthehej përsëri deputet dhe në dy qeveri do të ishte ministër i Drejtësisë dhe i Financave. Përsëri edhe këtu e ndjek vlerësimi negative i Vllamasit, që shprehet ashpër dhe negativisht për figurën e tij.
Njeriu që krijoi monedhën Lek
Në qeverinë e Ahmet Zogut, që do të vijonte, ai do të ishte njëkohësisht ministër i Financave, Drejtësisë dhe Punëve të Jashtme. Nga veprimet më të matura të Zogut në atë kohë ishte krijimi i Bankës Kombëtare dhe nga ato më të njohurat është huaja e madhe, që ka marrë nga Italia për zhvillimin ekonomik të vendit. Një nga meritat më të mëdha të Libohovës ishte se ai ishte teknicieni, që realizoi të gjithë operacionin si edhe krijimin e “Lek”-ut, monedhës kombëtare. Falë huasë italiane, Shqipëria bëri korpusin e ministrive dhe shumë investime në fusha, që i interesonin. Si për ironi, këto ndërtesa janë ende tepër funksionale. Qeveria vazhdoi deri në vitin 1927, sepse kuptohet rraca e zyrtarëve siç ishte Myfid Beu… nuk mund të duronte, që të drejtohej nga pothuaj një i pashkollë si Ahmet Zogu. Në mënyrë të moderuar, ai i bëri të qartë se nuk pranonte uljen e potencës së Parlamentit dhe doli hapur kundër faljes së Shën Naumit -serbëve.
***
Por, ky intensitet e kishte rënduar dhe tashmë kishte ardhur koha e fundit e tij. Këtë kohë e shfrytëzoi, që të shkonte tek i biri, Maliku në Paris. I kishte lindur me gruan e parë turke dhe i biri ishte i Ngarkuari me Punë i Shqipërisë në Paris. Por, përfundimisht nuk kishte më kohë. Teksa kthehej në Sarandë do të vdiste në moshën 51 vjeçare në shkurt të vitit 1927. U varros në Libohovë pranë të gjyshes, motrës së Ali Pashë Tepelenës, Shanishasë dhe në një vend, që edhe sot duket si i përkorë. Ende, duket sikur i bëjnë hije… dy rrepet e mëdha në sheshin kryesor të qytetit, të mbjellë nga duart e tij. Kjo shenjë simbolike u kujton sot bashkëqytetarëve të tij, se ai do të jetë përgjithmonë pjesë e historisë së madhe të shqiptarëve…











