Përplasja për Aeroportin e Vlorës ka kaluar në arbitrazh ndërkombëtar, ndërsa palët japin interpretime të ndryshme për vendimin e fundi.
Më 16 shtator arbitri i emergjencës pranë ICC-së urdhëroi Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të përmbahet përkohësisht nga veprime që mund të përkeqësojnë mosmarrëveshjen gjatë procedurës së arbitrazhit. Investitori Behgjet Pacolli i bëri thirrje qeverisë të rikthehet në dialog.
“Arbitri i emergjencës e ICC-së, në kuadër të procedurës me seli në Londër, nxori një urdhër paraprak që i kërkon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të përmbahet, gjatë procedurës së emergjencës, nga çdo veprim lidhur me ndërprerjen e koncesionit që mund të përkeqësojë mosmarrëveshjen ose të cenojë këtë procedurë. Ky urdhër duhet respektuar. I bëj thirrje Qeverisë që të rishqyrtojë qëndrimin e saj dhe të krijojë kushtet për një dialog institucional dhe konstruktiv”.
Por ministria e Infrastrukturës e interpreton ndryshe vendimin. Sipas saj, arbitri ka rrëzuar dy nga tre kërkesat e VIA-s, përfshirë kërkesën për pezullimin e zgjidhjes së kontratës.
Ministria thotë se kontrata ka hyrë në fuqi dhe se masa e dhënë është vetëm e përkohshme.
“Vendimi përbën një fitore të rëndësishme për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Arbitri i Emergjencës rrëzoi tërësisht dy nga tri kërkesat e VIA-s. E vetmja masë e urdhëruar ishte ruajtja e kufizuar dhe e përkohshme e status quo-së, derisa të konstituohet tribunali i arbitrazhit dhe të jetë në gjendje ta shqyrtojë çështjen”.
Panorama aktuale është që Pacolli kërkon dialog dhe vazhdimin e punimeve, ndërsa qeveria këmbëngul se kontrata është zgjidhur. Nëse vazhdohet kështu, çështja pritet të shqyrtohet në themel nga tribunali i arbitrazhit.











