Nga Mero Baze
Tani dështimin e protestave e pranojnë të dyja opozitat, edhe PD-ja, edhe përfaqësuesit e flamingove. E vetmja gjë që nuk pranojnë është përgjegjësia për dështimin.
Përfaqësuesit e flamingove fajësojnë për dështimin Sali Berishën, që u ngatërrohet nëpër këmbë dhe tremb qytetarët. Në pamje të parë duket sikur kanë të drejtë. Që Sali Berisha është një rrufepritës i madh i qeverisë ndaj zemërimit popullor, kjo është e qartë. Që shqiptarët, nëse shikojnë se alternativë ndaj Edi Ramës kanë Sali Berishën, kthehen përsëri në shtëpi, edhe kjo është e qartë.
Por të gjitha këto nuk janë arsyet përse kanë dështuar flamingot. Këto janë arsyet përse dështon Sali Berisha.
Për hir të së vërtetës, Sali Berisha u dha kohë dhe mundësi flamingove të bënin opozitën e tyre. Prej qershorit deri në tetor, ata e kishin fushën të lirë pa Sali Berishën. Gjatë gjithë asaj kohe, u treguan shqiptarëve se janë ca Berisha të vegjël, që shajnë, linçojnë dhe përdhunojnë jetën e bizneseve, qytetarëve dhe njerëzve publikë. Të drejtuar nga njerëz të dështuar dhe të frustruar të shoqërisë shqiptare, disa të maskuar si gazetarë apo analistë banaqesh televizive dhe të tjerë si burokratë OJQ-sh, ata zbrazën para popullit shqiptar mllefet e dështakëve që duan të marrin hak ndaj shoqërisë për dështimet e tyre.
Si rrallëkund në këtë lëvizje pesëmujore, kam parë se si tribuna e protestës dhe vendet rreth saj u bënë vendstrehim për çdo dështak të shoqërisë shqiptare apo njeri me probleme mendore, që mendonte se kishte gjetur një vend për t’u hakmarrë ndaj kolegëve të tij apo njerëzve të suksesshëm në këtë vend përmes protestës.
Gazetarët e sponsorizuar nga OJQ-të merrnin hak ndaj gazetarëve që mbijetojnë në tregun e egër shqiptar me punën e tyre. Artistët e dështuar të skenave merrnin hak ndaj kolegëve që nuk u bashkoheshin protestave, duke bërë lista linçimi. Këngëtaret e tallavasë merrnin hak ndaj këngëtareve të suksesshme, duke ua ngjitur emrat nëpër trungjet e pemëve, si të dënuara me vdekje nga flamingot. Blogeret merrnin hak ndaj televizioneve që nuk u kishin përsëritur kontratat, apo ndaj djemve të Dubait që kanë frikë nga SPAK-u të vijnë për pushime në Palasë. Gjithfarë mediokrish filluan të flisnin në emër të popullit dhe të shpjegonin se dështimi i tyre kishte ardhur nga sistemi, pasi ata kishin qenë të talentuar. Madje, edhe të frustruarit seksualisht filluan të besonin se fajin për devijimet e tyre seksuale e kishin Rama dhe Berisha.
Ky llum i derdhur rrugëve për katër muaj, në fund i mbyti vetë ata.
Sali Berisha nuk ka asnjë faj për dështimin e tyre spektakolar. Vetëm ata, me ligësinë e tyre, me mllefet dhe frustrimet nga dështimet, mund ta mbanin larg popullin nga bulevardi, pasi kishte dalë në fillim të qershorit.
Alibia e tyre se protestat po dështojnë sepse me to u përzie Sali Berisha, është një alibi e dobët dhe pa shpresë për të ardhmen e tyre. Ne nuk mund të nxjerrim jashtë ligjit PD-në dhe partitë e vjetra opozitare për t’u hapur rrugë të rinjve, të cilët nuk duan të konkurrojnë, por ta pushtojnë skenën politike. Rrugët i kanë të hapura, por duhet të fitojnë besimin e qytetarëve. Dhe ata e humbën para syve të tre milionë shqiptarëve, brenda dhjetë ditësh, këtë besim.
E humbën sepse, si vlera, janë nën nivelin mesatar të shoqërisë.
Nga ana tjetër, edhe vetë Berisha nuk ka pse bën sikur po zhvillon betejë me flamingot, që sipas tij janë të Edi Ramës dhe nuk e lënë të bëjë protesta. Sali Berisha ka të drejtën e autorit për protestat në Shqipëri dhe nuk mund të marrë leje nga flamingot.
Ajo që Berisha nuk kupton është se ai ka mbaruar dhe populli shqiptar nuk shkon më pas tij në protesta. Për këtë nuk e kanë fajin flamingot. Ata thjesht zbuluan krizën e tij dhe e vunë në provë të tregonte muskujt. Ai provoi se nuk ka më muskuj dhe nuk bën dot beteja në rrugë. Thirrjet e tij patetike për përmbysje, dhunë dhe revolucion përfundojnë përjetësisht me Sali Lushën në krye të 200 “petritave” të mbetur në selinë e SHQUP-it.
Kaq do të mjaftonte të merrej si sinjal se ai duhet të ikë pa pritur zgjedhjet, nëse nuk do ta nxjerrë jashtë ligjit PD-në me duart e tij gjatë zgjedhjeve. Sali Berisha, as ky nuk ka asnjë mundësi ta justifikojë dështimin e vet me flamingot. Ata thjesht zbuluan kufomën e tij.
Për këtë arsye, nuk mund të justifikohen se i pengon një kufomë. I pengon fakti që nuk kanë popullin me vete, por kanë vetëm Saliun në mendje.









