• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, November 8, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Shqipëria, drejt një epoke të re të energjisë diellore?

by Fatos Çoçoli
08/11/2026 18:13
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Ankandi 300 MW me bateri, investim strategjik për sigurinë energjetike dhe ekonominë

Nga Fatos Çoçoli

Ministria e Energjitikës dhe Infrastrukturës po përgatitet për një tjetër hap të rëndësishëm në transformimin e sektorit energjetik të vendit. Së shpejti do të realizojë një ankand ndërkombëtar për ndërtimin e 300 MW kapacitete fotovoltaike, të kombinuara me sisteme të integruara të ruajtjes së energjisë elektrike në bateri. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po mbështet me ekspertizë në projektimin dhe zbatimin e këtij ankandi, duke ofruar asistencë teknike, ligjore dhe fonde.

Pse ankandi i ri prej 300 MW është një zhvillim strategjik?

Rëndësia e kësaj nisme shkon përtej shtimit të kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike. Ajo shënon një ndryshim cilësor në mënyrën se si Shqipëria do të prodhojë, ruajë dhe përdorë energjinë e rinovueshme. Për herë të parë, në një ankand të kësaj natyre, prodhimi fotovoltaik parashikohet të lidhet drejtpërdrejt me teknologjinë e baterive, duke krijuar mundësinë që energjia e prodhuar gjatë orëve me diell të mos humbasë apo të shitet me çmime të ulëta, por të ruhet dhe të përdoret në orët kur kërkesa dhe vlera e saj në treg janë më të larta.

Shtimi i kapaciteteve fotovoltaike krijon një burim alternativ prodhimi, i cili nuk varet nga niveli i ujit në hidrocentrale. Kombinimi i tij me bateritë e ruajtjes së energjisë e bën këtë burim edhe më të dobishëm për sistemin.

Kështu, vendi ynë po ndërton gradualisht një model energjetik, ku hidrocentralet, parqet diellore dhe sistemet e baterive plotësojnë njëri-tjetrin.

Ky është një ndryshim i rëndësishëm nga modeli tradicional, ku hidroenergjia ka mbajtur pothuajse e vetme barrën e sigurisë së furnizimit me energji.

Bateritë, revolucioni i ri në ekonominë e energjisë

Risia më e rëndësishme e ankandit është përfshirja e sistemeve BESS (Battery Energy Storage Systems-Bateri, Energji dhe Sisteme Ruatjeje).

Deri tani, një nga kufizimet kryesore të energjisë diellore ka qenë fakti se prodhimi përqendrohet gjatë orëve të ditës, veçanërisht rreth mesditës, ndërsa kërkesa për energji mund të jetë e lartë edhe në mbrëmje, kur panelet fotovoltaike nuk prodhojnë më energji.

Kjo krijon një mospërputhje ndërmjet kohës së prodhimit dhe kohës së konsumit.

Bateritë ofrojnë zgjidhjen teknologjike për këtë problem.

Tabela 1. Përfitimet nga bateritë

  • Ruajtja e energjisë së prodhuar gjatë orëve me rrezatim të lartë diellor
  • Furnizimi i rrjetit gjatë orëve të mbrëmjes dhe në periudhat kur kërkesa rritet
  • Ulja e nevojës për blerje energjie në orët me çmime të larta
  • Zvogëlimi i humbjeve ekonomike nga tepricat e prodhimit diellor
  • Përmirësimi i ekuilibrit ndërmjet prodhimit dhe konsumit
  • Ofrimi i shërbimeve të balancimit dhe të stabilitetit të sistemit elektrik.

 

Në këtë mënyrë, energjia diellore nuk do të jetë më thjesht energji që prodhohet kur ka diell, por një burim që mund të menaxhohet më mire, sipas nevojave të konsumatorëve dhe tregut. Për ekonominë tonë, kjo do të thotë një përdorim më efikas i burimeve natyrore dhe një sistem më pak i ekspozuar ndaj luhatjeve të prodhimit.

Çfarë përfiton ekonomia jonë nga kombinimi i diellit me bateritë?

Përfitimet ekonomike të këtij projekti mund të shfaqen në disa drejtime. Së pari, reduktimi i importeve të energjisë elektrike. Në periudhat kur prodhimi vendas nuk mbulon konsumin, Shqipëria është e detyruar të blejë energji në tregjet rajonale dhe evropiane. Nëse energjia diellore e prodhuar gjatë ditës ruhet në bateri dhe përdoret në orët e mbrëmjes, mund të zvogëlohet nevoja për importe në periudha të caktuara. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në vitet me reshje të pakta, kur prodhimi hidroenergjetik është i kufizuar.

Së dyti, ulja e ekspozimit ndaj çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare. Çmimet e energjisë elektrike nuk janë të njëjta gjatë gjithë ditës. Në periudhat e kërkesës së lartë, ato mund të rriten ndjeshëm. Ruajtja e energjisë diellore dhe përdorimi i saj në orët më të shtrenjta mund të krijojë kursime ekonomike për operatorët dhe sistemin.

Së treti, rritja e mundësive për eksport. Nëse Shqipëria arrin të menaxhojë më mirë prodhimin e saj dhe të ruajë një pjesë të energjisë së tepërt, do të ketë më shumë mundësi të shfrytëzojë në mënyrë ekonomike kapacitetet e interkonjeksionit me vendet fqinje.

Së katërti, krijimi i vendeve të reja të punës. Projektimi, ndërtimi dhe mirëmbajtja e parqeve fotovoltaike dhe sistemeve të baterive kërkojnë inxhinierë, teknikë elektrikë, specialistë të automatizimit, ekspertë të teknologjisë dhe punonjës të kualifikuar. Kjo mund të nxisë zhvillimin e profesioneve të reja dhe të krijojë kërkesë për fuqi punëtore me aftësi teknike më të avancuara.

Së pesti, tërheqja e investimeve të huaja. Përfshirja e BERZH-it në projektim dhe zbatim është një element i rëndësishëm për besueshmërinë e ankandit. Investitorët ndërkombëtarë kërkojnë procedura transparente, kuadër ligjor të qartë dhe siguri për të ardhurat e ardhshme.

Mbështetja e një institucioni financiar ndërkombëtar si BERZH ndihmon në krijimin e këtyre kushteve.

Çfarë do të thotë projekti për konsumatorët dhe biznesin?

Një nga pyetjet më të rëndësishme është nëse ky investim do të sjellë edhe energji më të lirë për familjet dhe bizneset shqiptare.

Përgjigjja duhet të jetë realiste: ulja e kostove të prodhimit dhe importit krijon kushtet për çmime më të lira, por nuk garanton automatikisht uljen e faturave të energjisë elektrike. Çmimi përfundimtar ndikohet nga shumë faktorë: kostot e prodhimit, tarifat e transmetimit dhe shpërndarjes, humbjet në rrjet, detyrimet financiare dhe mënyra se si funksionon tregu.

Megjithatë, një sistem me më shumë burime prodhimi dhe kapacitete ruajtjeje ka disa avantazhe të qarta për ekonominë tone, por edhe për qytetarët dhe bizneset.

Tabela 2. Përfitimet kryesore për familjet dhe bizneset

Familjet Furnizim më i qëndrueshëm dhe më pak ekspozim ndaj krizave energjetike
Biznesi i vogël Më shumë siguri për furnizimin dhe kostot e energjisë
Industria Mundësi për furnizim më të parashikueshëm dhe ulje të rrezikut nga çmimet e larta
Sektori energjetik Menaxhim më i mirë i prodhimit dhe balancimit
Shteti Më pak ekspozim ndaj importeve në periudhat me mungesa energjie

 

Për industrinë shqiptare, sidomos për sektorët që konsumojnë shumë energji elektrike, siguria e furnizimit është një faktor vendimtar për konkurrueshmërinë. Një sistem energjetik më fleksibël mund të ndihmojë në krijimin e kushteve më të favorshme për investime të reja industriale.

Shqipëria drejt një modeli të ri energjetik: nga hidrocentralet tek kombinimi i diellit, ujit dhe baterive

Projekti i ri prej 300 MW duhet parë në kuadrin e transformimit më të gjerë të sektorit energjetik shqiptar. Vendi ynë ka bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin e energjisë fotovoltaike, nëpërmjet ankandeve të mëparshme dhe investimeve private.

Njëkohësisht, po zhvillohen projekte të rëndësishme në energjinë diellore dhe atë të erës. Këto investime po ndryshojnë gradualisht strukturën e prodhimit vendas. Në qershor 2026, një e treta e prodhimit u siguruar nga fotovoltaikët.

Risia tani është se Shqipëria po kalon nga një fazë ku synimi kryesor ishte shtimi i megavatëve të rinj të prodhimit, në një fazë tjetër ku rëndësi po merr edhe mënyra se si kjo energji ruhet, menaxhohet dhe shpërndahet.

Ky është një ndryshim thelbësor. Në të ardhmen, suksesi i sektorit energjetik nuk do të matet vetëm me numrin e megavatëve të instaluar, por edhe me aftësinë për të prodhuar energji në kohën e duhur, për ta ruajtur atë dhe për ta ofruar me kosto konkurruese.

Për këtë arsye, ankandi i ri me BERZH-in shënon fillimin e një faze më moderne të zhvillimit të energjisë së rinovueshme në Shqipëri.

Tabela 3. Përfitimet nga projekti 300 MW me bateri

Fusha Ndikimi i pritshëm Përfitimi për ekonominë
Prodhimi diellor Shtimi i 300 MW kapaciteteve fotovoltaike Diversifikim i burimeve
Ruajtja e energjisë Instalimi i sistemeve BESS Furnizim më fleksibël
Importet Ulje e mundshme e importeve në orët kritike Kursim i valutës
Eksportet Menaxhim më i mirë i tepricave Të ardhura potenciale
Investimet Hyrja e kapitalit privat dhe të huaj Rritje ekonomike
Punësimi Kërkesë për teknikë dhe specialistë Vende të reja pune
Industria Furnizim më i parashikueshëm Konkurrueshmëri më e lartë
Mjedisi Më shumë energji nga burime të rinovueshme Ulje e emetimeve
Siguria energjetike Më pak varësi nga reshjet dhe tregjet e jashtme Qëndrueshmëri më e madhe

 

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Shqipëria, drejt një epoke të re të energjisë diellore?

Shqipëria, drejt një epoke të re të energjisë diellore?

November 8, 2026
Mélenchon prezanton programin presidencial në Francë, premton pagë minimale 1700 euro dhe pension në 60 vjeç

Mélenchon prezanton programin presidencial në Francë, premton pagë minimale 1700 euro dhe pension në 60 vjeç

November 8, 2026
Sulmet ndaj institucioneve bankare, Banka e Shqipërisë-qytetarëve: Kursimet tuaja janë të sigurta

Skema e kredive që rrezikoi t’u merrte shtëpitë qytetarëve, qeveria vendos kufij për interesat dhe gjobat

November 8, 2026
Përkeqësohet gjendja e këmbës së Erion Veliajt, mjekët rekomandojnë një tjetër ndërhyrje kirurgjikale

Veliaj: Puna nuk ndalet për Tiranën, 1800 kredi të buta për familjet dhe projekte të reja në kryeqytet

November 8, 2026
“Epsteini” ynë

Dy opozitat që kanë alibi për dështimin njëra-tjetrën

November 8, 2026
Kryeministri britanik: Kosova të respektojë mandatin e Gjykatës Speciale

Kryeministri britanik: Kosova të respektojë mandatin e Gjykatës Speciale

November 8, 2026
Rrjedhja e të dhënave nga Rosstat! Mbi 450 mijë rusë të vrarë në luftën në Ukrainë, zbardhen shifrat tronditëse

Rrjedhja e të dhënave nga Rosstat! Mbi 450 mijë rusë të vrarë në luftën në Ukrainë, zbardhen shifrat tronditëse

November 8, 2026
Eisenkot merr zyrtarisht mandatin për të formuar qeverinë e re në Izrael

Eisenkot merr zyrtarisht mandatin për të formuar qeverinë e re në Izrael

November 8, 2026
Iluzioni i rrëzimit të qeverive nga rruga

Iluzioni i rrëzimit të qeverive nga rruga

November 8, 2026
SHBA godet me avion ushtarak anijen e mallrave në Gjirin e Omanit, tentoi të thyente bllokadën detare

SHBA godet me avion ushtarak anijen e mallrave në Gjirin e Omanit, tentoi të thyente bllokadën detare

November 8, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In