Nga Eduard Zaloshnja
Më 12 janar, PS-ja kapi kuotën më të ulët në sondazhin javor ‘Zëri i Shqiptarëve’, që zhvilloj për ABC NEWS – vetëm 43.9% e gjithë atyreve që morën pjesë në zgjedhjet e majit 2025 brenda vendit ishin gati të votonin për të. Ndërkohë, më 11 maj votuan për PS-në plot 52.2% e pjesëmarrësve të këtushëm. Pra vetëm 5/6 e atyre që votuan për PS-në në maj ishin gati të votonin përsëri për të më 12 janar.
Nga ana tjetër, për PD-ASHM ishin gati të votonin më 12 janar vetëm 25.6% e gjithë atyreve që morën pjesë në zgjedhjet e majit 2025 brenda vendit. Pra vetëm 3/4 e atyre që votuan për PD-ASHM në maj ishin gati të votonin përsëri për të.
Por me fillimin e hedhjes së molotovëve nga protestuesit berishistë dhe me ashpërsimin e gjuhës së Berishës në prononcimet e tija të përditshme, situata elektorale ka ndryshuar.
Kështu në sondazhin e djeshëm, rezultoi se plot 47.5% e gjithë atyreve që morën pjesë në zgjedhjet e majit 2025 brenda vendit ishin gati të votonin për PS-në. Pra mbi 9/10 e atyre që votuan për PS-në në maj ishin gati të votonin përsëri për të më 16 shkurt. Që do të thotë se një pjesë e të zhgënjyerve socialistë të 12 janarit janë rikthyer në sinorin e tyre tradicional pas breshërive të molotovëve berishistë…
Nga ana tjetër, kuota elektorale e PD-ASHM është sot e njëjtë me atë të 12 janarit. Pra vetëm 3/4 e atyre që votuan për PD-ASHM në maj ishin gati të votonin përsëri për të më 16 shkurt…











