Grupe mjedisore të ndryshme kanë akuzuar autoritetet rajonale për qarkun e sapondërtuar të Formula1 se po vendosin fitimin përpara mirëqenies së njerëzve, pasi testet për Çmimin e Madh inaugurues të Spanjës në këtë pistë, që do të zhvillohet më vonë këtë muaj, nxorën në pah nivele zhurme që ishin pothuajse dy herë më të larta se kufiri ligjor i decibelëve.
Qeveria rajonale e Madridit dhe këshilli bashkiak shpresojnë që qarku Madring, i gjatë 5.4 km i cili është ndërtuar në verilindje të kryeqytetit spanjoll me një kosto prej 83 milionë eurosh do të tërheqë vizitorë, do të nxisë ekonominë lokale dhe do ta vendosë qytetin në mënyrë të qëndrueshme në hartën e garave automobilistike. Madring paraqitet si “një qark i lidhur në mënyrë perfekte: vetëm 20 minuta nga qendra e qytetit”.
Por testet e fundit në pistë, ku u përdorën makina të Formula 3, kanë shqetësuar banorët vendas, të cilët po ndërmarrin veprime ligjore lidhur me ndërtimin e qarkut dhe zhurmën që pritet të shkaktojë. Platforma Stop F1 Madrid, e cila u krijua një vit më parë, tha se banorët kishin regjistruar nivele mesatare zhurme prej 102.7 decibelësh gjatë testeve, me kulme që varionin nga 107.7 deri në 109.1 decibelë. Niveli maksimal i zhurmës i lejuar në zonat e banuara është 55 decibelë.
“Çështja nuk ka të bëjë vetëm me pluhurin dhe zhurmën”, tha Antonio Ibanez, një zëdhënës i grupit. Ai tha se kishte pasur ankesa nga njerëz që argumentonin se ishte e pamundur për ta të punonin në distancë gjatë testeve, duke shtuar: “Kemi folur gjithashtu me njerëz që kanë fëmijë me autizëm dhe atyre iu desh t’i nxirrnin fëmijët nga zona për shkak të këtij shqetësimi”.
Një nga shqetësimet më të mëdha të grupit është numri i madh i njerëzve që pritet të dynden në zonë për vetë Çmimin e Madh, duke i shkaktuar një ngarkesë të jashtëzakonshme transportit publik dhe zonës lokale.
Autoritetet rajonale dhe bashkia janë përpjekur t’i sigurojnë banorët se situata do të menaxhohet dhe po përpiqen të theksojnë përfitimet ekonomike të pistës. Borja Carabante, këshilltari i bashkisë së Madridit për planifikimin urban, lëvizshmërinë dhe mjedisin, tha se do të vendoseshin masa, si panele akustike, për të minimizuar zhurmën gjatë Çmimit të Madh më 11–13 shtator.
Ai tha gjithashtu se makinat e Formula 3 të përdorura për të testuar pistën “bëjnë dhe lëshojnë më shumë zhurmë se makinat e Formula 1, kështu që më 13 shtator do të ketë më pak zhurmë sesa pati gjatë testeve”.
Carabante tha se këshilli bashkiak do të punonte për të siguruar që pengesat dhe ndërprerjet në trafik të mbaheshin në minimum. Por ai u bëri thirrje banorëve të Madridit të festonin ardhjen e Formula 1 në qytet:
“Duhet ta përgëzojmë veten që Madridi po pret një event kaq të rëndësishëm dhe domethënës, i cili do ta vendosë qytetin në epiqendrën e eventeve të mëdha sportive. Është një lajm i mrekullueshëm për të gjithë banorët e Madridit dhe po e vendos Madridin në hartë”.
Ministri rajonal për strehimin, transportin dhe infrastrukturën, Jorge Rodrigo, tha se eventi do të sillte përfitime të mëdha ekonomike për Madridin dhe se një fundjavë me ndërprerje ishte një kosto që ia vlente të përballohej.
“Ja vlen një sakrificë e vogël nga të gjithë ne duke pasur parasysh përfitimin ekonomik të këtij eventi për rajonin e Madridit dhe qytetin e Madridit dhe, mbi të gjitha, duke pasur parasysh mënyrën se si do ta pozicionojë Madridin ndërkombëtarisht”.
Një zëdhënës i Madring tha se po merrte “të gjitha masat që janë në mundësitë tona për të minimizuar shqetësimet e shkaktuara nga punimet e ndërtimit dhe eventi”, duke shtuar:
“Mbrotja e mirëqenies së banorëve lokalë dhe reduktimi i ndikimit në mjedis janë një prioritet për organizatorët dhe, për këtë arsye, ne po punojmë vazhdimisht me autoritetet përkatëse dhe aktorë të ndryshëm për të zbatuar masa zbutëse dhe përmirësuese”.
Por grupet mjedisore kanë vënë në pikëpyetje arsyeshmërinë e ndërtimit të një qarku për Çmimin e Madh në një qytet ku temperaturat e verës mund të kalojnë 40°C .
Sipas Stop F1 Madrid, më shumë se 700 pemë janë prerë ose zhvendosur për t’i hapur rrugë pistës, ndërsa María Angeles Nieto, një zëdhënëse e platformës ambientaliste të Madridit, tha se ishte shkatërruar një ligatinë sezonale, e cila ishte habitat i llojeve të ndryshme të amfibëve.
“Madridi është një qytet me rritje të konsiderueshme të temperaturave gjatë muajve të verës, i gjithë qyteti është një ishull nxehtësie. Ne kemi theksuar se kjo vetëm sa e përkeqëson efektin e ishullit të nxehtësisë. Njerëzit që janë në krye të qytetit po u japin përparësi interesave ekonomike të Formula 1 mbi mirëqenien e qytetarëve në një mënyrë kaq absurde dhe të panevojshme”, tha ajo.











