Bisedimet e administratës së Donald Trump me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë janë zgjeruar duke përfshirë një marrëveshje nafte prej disa miliardë dollarësh që mund t’u sjellë dobi drejtuesve të bizneseve të Lindjes së Mesme që kanë lidhje me negociatorët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, sipas New York Times.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Presidentit Trump, Jared Kushner, kanë qenë të angazhuar në negociata disamujore për t’i dhënë fund kësaj lufte katërvjeçare. Në shtator, të dy burrat udhëtuan në Ukrainë dhe Rusi për të rihapur bisedimet e paqes.
Disa persona me njohuri për këto negociata i thanë gazetës se Presidenti rus Vladimir Putin prezantoi një marrëveshje të konsiderueshme për një nga kompanitë më të mëdha të energjisë ruse, Lukoil, për të blerë fusha nafte, rafineri dhe stacione benzine në të gjithë botën gjatë takimit të tij të 5 shtatorit me negociatorët amerikanë.
Grupi që qëndron pas kësaj marrëveshjeje përfshin dy grupe të Lindjes së Mesme që kanë bërë biznes me Witkoff dhe Kushner, si dhe investitorin amerikan dhe donatorin e Trump, Todd Boehly.
Trump ka shprehur vazhdimisht shpresën se SHBA-ja dhe Rusia mund të rifillojnë tregtinë nëse arrihet një zgjidhje paqësore në luftën e Ukrainës.
Konflikti, i cili ka zgjatur tashmë katër vjet, është intensifikuar në muajt e fundit me sulmet ajrore ruse mbi infrastrukturën ukrainase.
Ushtria e Ukrainës është përgjigjur me sulme me raketa me rreze të gjatë veprimi ndaj impianteve ruse të magazinimit dhe rafinimit të naftës.











