Nga Stephen Collinson
Nëse luftërat do të fitoheshin me fjalë, konflikti Trump-Iran do të kishte përfunduar me kohë. Por Presidenti Trump ende s’po gjen rrugëdalje nga një luftë që po mbyll javën e saj të 10-të, edhe pse ka folur shumë 10 javët e fundit…
Trump ka rënë në dy kurthe të ngritura nga vetë ai – njëri gjeopolitik dhe tjetri brenda vendit të tij. Ndikimi i Iranit mbi ngushticën e Hormuzit dhe refuzimi për t’u dorëzuar do të thotë se Trumpi nuk mund t’i japë fund luftës me një çmim të pranueshëm ushtarak.
Dhe teksa konflikti zvarritet, situata politike në SHBA i pakëson më tej opsionet e Trumpit. Me një kuotë në opinionin publik që vërtitet në intervalin 30%-40%, çmimet e benzinës mesatarisht mbi 4.5 dollarë për gallon, dhe me kundërshtimin publik ndaj luftës, ai nuk ka hapësirë politike për ta vazhduar atë.
Pra, Trump ka rënë në grackë – një realitet që shpjegon pretendimet e tij të pandërprera optimiste për përparim në bisedimet e paqes dhe tendencën për të shpallur ose ndryshuar strategjitë ushtarake pa pritur pa kujtuar.
Shpresa e fundit është një memo një-faqëshe që po negociohet mes dy vendeve, me ndërmjetësimin e palës së tretë Pakistan, ka raportuar CNN. Dokumenti do t’i jepte fund luftës dhe do të fillonte një periudhë 30-ditore për të zgjidhur pikat e vështira të konfliktit.
Kjo mund t’i përshtatet shijes së Trump për thjeshtësinë. Por një faqe, edhe nëse biet dakord, duket e pamjaftueshme për të zgjidhur përfundimisht një gjysëm shekulli të çështjeve SHBA-Iran – duke përfshirë negociatat e ndërlikuara bërthamore dhe programet e raketave, si dhe të mbështetjes së vasalëve terroristë të Iranit.
Pastaj janë kërkesat e Iranit për lehtësim të madh të sanksioneve për të ringjallur ekonominë e tij dhe dëshira e tij për të përfituar nga kalimi i cisternave të naftës dhe gazit përmes një ngushtice që është kthyer në një avantazh të madh strategjik.
Irani pritet t’ua dorëzojë ndërmjetësve pakistanezë përgjigjet e tij ndaj planit të SHBA-së. Disa burime thanë se negociatat aktuale janë më afër përfundimit të luftës. Duhet shpresuar se optimizmi është i justifikuar, pasi kostot njerëzore dhe ekonomike të konfliktit janë të tmerrshme dhe në rritje.
Por Trumpi ka pohuar disa herë javët e fundit se një “marrëveshje” ishte gati të arrihej dhe se Teherani kishte rënë dakord me të gjitha kërkesat e tij – vetëm se realiteti ka treguar që Irani nuk ka ndryshuar.
Në Uashington, duket se kjo luftë është e ngërthyer në një konfuzion strategjik – ndryshime të papritura dhe një mjegullim për mënyrën sesi mund të përfundojë. Dhe trendi po përkeqësohet.
Një shembull: Sekretari i Shtetit Marco Rubio përmendi të martën se lufta – “Operacioni Furia Epike” – kishte mbaruar. Ai më pas foli gati një orë, duke promovuar një operacion tjetër të krijuar disa orë më parë nga Trump, një përpjekje për të rihapur ngushticën e Hormuzit. Por brenda pak orësh, “Project Freedom” u ndal pasi ndihmoi vetëm disa anije të kalonin ngushticën. Trump tha se po përpiqej të nxiste bisedimet e paqes. Por miratimi dhe braktisja e shpejtë e qasjes së fundit të SHBA-së vështirë se dërgoi një mesazh të vendosmërisë së SHBA-së.
Projekti jetëshkurtër ” Project Freedom ” ishte vendimi i fundit i Trumpit rreth asaj që ekspertja iraniane Trita Parsi nga Instituti Quincy për Shtetin e Përgjegjshëm e quajti një strategji “plumbi argjendi” – një besim se një veprim vendimtar mund ta bëjë Iranin të përkulet.
Së pari, fushata e bombardimeve të SHBA-së dhe Izraelit vrau udhëheqësin suprem të Iranit Ayatollah Ali Khamenei. Më pas ishte një fushatë e frikshme bombardimesh kundër objektivave ushtarake; pastaj, një bllokadë e anijeve dhe porteve iraniane. Pastaj erdhi “Project Freedom” dhe – brenda pak orësh – u harrua.
Po asnjë nga këto lëvizje të papritura nuk arriti të trondisë regjimin e Iranit, pasi një grup i ri ekstremistësh zuri vendet e eprorëve të tyre të martirizuar. Nuk ka asnjë shenjë të një dobësimi të kontrollit të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike që mund të parashikojë kolapsin e regjimit. Në një luftë që sundimtarët brutalë të Iranit e shohin si ekzistenciale për revolucionin e tyre radikal islamik, mbijetesa është e barabartë me një lloj fitoreje.
Kushdo që shpreson për qartësi të mendimit nga komandanti i përgjithshëm i SHBA-së, ose prova të një përfundimi koherent të luftës, do të jetë zhgënjyer nga theniet e tij në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën për një grup nënash ushtarake.
Trump ishte i paqartë, duke minimizuar shkallën e një fushate komplekse ushtarake që përfshinte mijëra ushtarakë amerikanë, me një kosto miliarda dollarë.
“Ne jemi brenda – unë e quaj një përleshje sepse kjo është ajo që është, është një përleshje. Dhe ne po ecim jashtëzakonisht mirë, siç bëmë në Venezuelë, ku ishte e shpejtë, përfundoi në një ditë”, tha Trump. “Dhe ne po bëjmë pothuajse njësoj, do të thosha – më të mëdhenj, por po bëjmë shumë mirë në Iran. Po shkon shumë mirë dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë. Ata duan të bëjnë një marrëveshje, duan të negociojnë.”
Është e jashtëzakonshme që pas 70 ditësh lufte me Iranin, presidenti është kthyer në krahasimin me bastisjen e rrufeshëm disa orëshe që përfundoi me kapjen e diktatorit venezuelian Nicolás Maduro. Fleksibiliteti dhe improvizimi mund të jenë pika të forta të një presidenti. Por thëniet e Trumpit, në kufijtë e mohimit dhe turbullimit, nuk tingëllonin si ato të një udhëheqësi që di të dalë nga kjo luftë.
Si një operacion ushtarak nuk arriti të japë një sukses strategjik
Edhe para se të përfundojë, kjo luftë është e destinuar të jetë një mësim tjetër se si vendet më të vogla mund të sfidojnë superfuqitë me luftë asimetrike.
Ka të ngjarë që pretendimet e administratës amerikane se kanë shkatërruar forcat detare dhe ajrore të Iranit dhe se kanë shkaktuar humbje të rënda në kompleksin e tij ushtarak-industrial të jenë të vërteta. Por mosgatishmëria e Trump për të futur në luftë dhjetëra mijëra trupa tokësore – një akt i mençur vetëpërmbajtjeje duke pasur parasysh historinë e kohëve të fundit të Amerikës – do të thoshte se një fitore e qartë ushtarake ishte gjithmonë e paarritshme.
Kufizimet në operacionet amerikane, të kombinuara me zbulimin e Iranit të fuqisë së kontrollit të Ngushticës Hormuz – e cila ka shkaktuar dhimbje të forta në ekonominë globale, dhe presionin politik brenda vendit ndaj Trump – kanë turbulluar fushën e betejës.
“I gjithë evolucioni i konfliktit deri më tani nënvizon hendekun e madh mes kapacitetit të aftësisë operacionale të Amerikës, i cili është i konsiderueshëm, dhe vështirësisë për të sjellë një lloj rezultati strategjik në kushte që shumica e njerëzve do t’i gjykonin si sukses”, tha Ian Lesser, një bashkëpunëtor i shquar në Fondin Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara.
Kjo shkëputje shpjegon paaftësinë e Trump për të zbatuar një fitore strategjike të shpejtë dhe vendimtare të SHBA-së sipas kushteve të përmendura nga zyrtarët në fillim të luftës për t’u përshtatur me atë operacionale të arritur nga ushtria.
Nuk ka pasur kryengritje nga iranianët kundër sundimtarëve të tyre tiranikë. Irani ende nuk ka hequr dorë nga aspiratat e tij për të pasur një program bërthamor ose nuk ka rënë dakord të dorëzojë rezervat e tij të uraniumit të avancuar. Nuk ka garanci që IRGC nuk do të përpiqet të rindërtojë rrjetet e saj terroriste në Liban ose Gaza.
Siç tha Anja Manuel, drejtoreshë ekzekutive e Forumit të Sigurisë Aspen, për Jake Tapper të CNN të martën, “Ky konflikt nuk ka mbaruar”.
Manuel, një zyrtare e Departamentit të Shtetit në administratën e George W. Bush, shtoi: “Ju mund të ndryshoni emrin e operacionit, mund të shpallni armëpushimin, por ajo që mbetet është se ngushtica e Hormuzit është e mbyllur. Ne po bllokojmë cisternat iraniane, nafta është e shtrenjtë, kompanitë amerikane po vuajnë, dhe ky konflikt nuk është zgjidhur.”
Si është gërryer pozicioni negociues i SHBA-së
Dobësitë në pozicionin negociues të SHBA-së, ndërkohë, u zbuluan, ndoshta pa dashje, nga Rubio në Shtëpinë e Bardhë të martën, edhe pse ai përforcoi linjën e Trump se SHBA “mban të gjitha kartat” dhe këmbënguli se bllokimi detar i SHBA-së përfundimisht do ta gjunjëzonte Iranin. Sekretari i shtetit tha se “preferenca” e SHBA-së ishte që Ngushtica e Hormuzit të rihapej: “Çdokush mund ta përdorë atë. Nuk duhet të ketë mina detare. Askush nuk duhet të paguajë tarifa për kalim. Kjo është ajo ku ne duhet të kthehemi, dhe ky është qëllimi këtu.”
Por ngushtica ishte e hapur para se të fillonte lufta dhe Irani tani ka zbuluar se në fakt mund ta përdorë si një mjet kryesor parandalimi. Fakti që rruga ujore jetike tani është në qendër të negociatave midis SHBA-së dhe Iranit nënvizon se si ekuilibri strategjik i luftës është anuar në drejtim të Teheranit.
Për hir të personelit të shërbimit amerikan në rrezik, civilëve të pambrojtur të Iranit, amerikanëve të shqetësuar nga çmimet e larta të gazit dhe njerëzve në mbarë botën të dëmtuar ekonomikisht nga lufta e Trump, një zgjidhje e shpejtë është jetike. Por paqartësia e presidentit amerikan; dëshirat e tij të dukshme për përparime marramendëse diplomatike; dhe ideja se një memo me një faqe mund të mbajë çelësin e paqes ngre dyshime të reja për seriozitetin dhe kapacitetin e administratës.
https://www.cnn.com/2026/05/07/politics/trump-iran-war-exit-strategy-analysis











