Autoriteti i Konkurrencës nuk është pyetur nga qeveria “Berisha” për koncesionin e markimit të karburanteve dhënë kompanisë “GFI Albania”. Në emisionin “45 minuta” në Report Tv, drejtuesja e këtij institucioni, Lindita Lati, deklaroi se qeveria në atë kohë e kishte detyrim ligjor për të marrë mendimin për koncesionin në fjalë.
Lati shtoi se i ka kërkuar bilancet pas transferimit të aksioneve të “GFI Albania” tek “Petrolium Consulting”, por ka marrë si përgjigje disa letra A4 jo serioze.
Gjithashtu ajo ka përsëritur shqetësimin se edhe për koncesionet e tjera të qeverisë aktuale nuk është marrë mendimi i autoritetit. Të vetmen që kanë marrë vlerësimin e autoritetit të konkurrencës janë: zgjatja me dy vjet e TIA-s dhe ai i hekurudhës.
Një kompani që të marrë një koncesion, duhet të marrë aprovimin e Autoritetit të Konkurrencës?
Së bashku me studimin e fizibilitetit, duhet t’i paraqitet Autoritetit të Konkurrencës, që është një garant publik, nëse kostot dhe fitimet janë të arsyeshme. Prandaj, ajo që kemi kërkuar në mënyrë të institucionalizuar, ky proces nuk është realizuar, ose është realizuar shumë pak, dhe kjo pas ndërhyrjes së Autoritetit në muajin Tetor, kur i kërkoi qeverisë zbatimin e ligjit. Gjatë muajit Tetor patëm 3 draft marrëveshje koncesionare.
Koncesionet në këto vite s’kanë marrë miratimin tuaj?
Po, për të gjitha koncesionet s’ka patur miratim. Në 2004-ën është marrëveshja e TIA-s. Por autoriteti ishte inekzistent atëherë. Por përsëri nuk është konsultuar me Autoritetin. Dhe deri në dhjetor të 2015-ës, koncesionet nuk kanë ardhur te Autoriteti i Konkurrencës. Nuk e kam të qartë sesa është numri i tyre. Të gjitha informacionet ne i marrim nga mediat. Pra, nga muaji dhjetor kemi patur 3 draft koncesionare nga Ministria e Transporteve që na kanë ardhur. Bëhet fjalë për marrëveshjen me TIA-n, ajo që lidhet me hekurudhën dhe draft marrëveshja që lidhet me pajisjen e makinave me çip, e cila nuk vazhdoi.
Cili ka qenë mendimi juaj në lidhje me TIA?
Duke marrë në konsideratë elementët e realizuar nga Ministria e Transporteve por dhe raportet e monitorimit, performancën financiare të koncesionarit, konkurrenca krijoi bindjen se e drejta për të operuar në aeroportin e Kukësit të realizohej pa dy vite shtesë në afatin e koncesionit. Palët kur ulen në një marrëveshje apo negociatë, varet nga të drejtat që kanë. Kjo ka qenë një marrëveshje e vështirë në kushte të pabarabarta. Pasi marrëveshja e 2004-ës kishte një mburojë të fortë juridike për koncesionarin. Por liberalizimi i tregut, është një vlerë e shtuar, krijohet një alternativë konkurruese për aeroportin e Tiranës.
Pse mendoni se shtyrja e koncesionet nuk është me interes?
Rekomandimet e dhëna nuk janë si rekomandimet e tjera që mbeten në vullnet, do apo s’do qeveria ta marrë në konsideratë. Kjo ishte rrjedhojë e një negociate të vështirë. Ne sollëm më në realitet koncesionarin për përfitimet që kishte.
Po për hekurudhën?
Një liberalizim i pjesshëm, një investitor n.q.s do të realizohet investimi siç parashikohet, gjë që marrëveshja e kishte shumë qartë financimin, realizimin e infrastrukturës dhe shërbimin, krijuam bindjen se ishin aty indikatorët që mund të mundësojnë zhvillimin e këtij segmenti tregu, që është inekzistent. Kemi dhënë vlerësim pozitiv, por me disa rekomandime për rolin mbikëqyrës së Ministrisë së Transporteve.
Për koncesionin e TVSH-së, partneritetin publik privat, është pjesë e kontrollit të Autoritetit?
Kjo është një e drejtë ekskluzive ku risku në menaxhimin e biznesit ndahet mes shtetit dhe privatit. Nga pikëpamja e strukturës së tregut, është e njëjtë me koncesionin, veçse këtu kemi ndarje të riskut.
Ka patur zhurmë sidomos nga opozita për disa koncensione si Hemodializa, Check up? keni patur vlerësime?
S’ka ardhur asnjë fije letër te autoriteti i Konkurrencës për këto koncesione. Nëse do të na kërkohet mendim, do të kërkojmë studim të tregut për këtë pjesë.
Siç duket vetëm Ministria e Transporteve ka tentuar të zbatojë ligjin për koncesionet?
Absolutisht po. Kemi patur një bashkëpunim real me Ministrinë e Transporteve.
Debati i ditës sot është marrëveshja koncesionare me kompaninë GFI, për markimin e karburanteve në vitin 2013-ë. Ju sapo thatë se nuk jeni pyetur për këtë pjesë…Ju i dinit këto detaje? Kishit informacion për këtë kompani?
Autoriteti i Konkurrencës bazuar në informacionin e mediave, u informua me ndryshimin e paktës së kontrollit me aksionerët. Autoriteti kur shqyrton një transaksion shitblerje aksionesh, synon të dijë a kemi të bëjmë me ndryshime të strukturave në treg. Ne donim të siguroheshim që aksionerët e rinj, të shikonim se kush ishte aktiviteti. Kur palët hyjnë në transaksion, palët kanë një xhiro vjetore të një niveli. Faktikisht këtu ka një problem i cili është evidentuar sikurse e evidentoi paketa e kontrollit te ARMO. Në përcaktimin e xhirove nuk marrim se kush është target, pra firma që posedohet, merren aksionerët dhe shikohet se kush janë aktivitetet e tyre, pra të aksionerëve dhe sa e ka xhiron. Vendimi i Autoritetit para pak javësh, ishte që të merrej informacion. S’dinim sa ishte xhiro dhe studio ligjore tha se kushtet e ligjit nuk plotësoheshin. Të njëjtin format e ndeshëm edhe kur ndryshoi struktura e pronësisë te ARMO. Në situatën e tanishme Autoriteti i Konkurrencës është në kushtet e kërkimit të informacionit. Por, ligji nuk na jep dot instrumente në këto situata. S’është për të parë volumin e aktiviteteve të pronarëve, pasi tregjet nuk janë të lidhura. Para dy javësh kemi patur workshop me studiot ligjore për shitblerjet e aksioneve, kemi shtruar disa pyetje për të cilat po bashkëpunojmë me partnerët tanë, lidhur me këtë situatë të re. Partnerët kur ulen dhe realizojnë shitblerjet e aksioneve, duan të përfitojnë sa më shumë, pra të rrisin efiçencën.
Pra, GFI kur ka shitur aksionet e “Petrolul Consulting”, ky proces duhet të ishte bërë në monitorimin e Ministrisë së Energjetikës dhe Autoritetit të Konkurrencës i lind e drejta e kontrollit në këtë transaksion?
Kompozimi i aksionerëve janë po ata. Këta kanë qenë së bashku edhe në momentin kur kanë marrë koncesioni, por kanë ndryshuar raportin mes tyre, pra përqindjen e aksioneve mes tyre. Pala që ka firmosur marrëveshjen koncesionare, duhet të merrte informacion mbi asetet dhe mundësitë e pronarit të ri.
Sa po ndikon “Petrolul Consulting” në konkurrencë?
Kjo kompani nuk operon në tregun shqiptar. Ka vetëm koncesionin e markimit, por s’ka aktivitet tjetër që ne të shikojmë efektet që ka në treg. Ne s’mund të shkojmë përtej asaj të drejte që na jep ligji. Ne shikojmë ndryshimin e strukturave të tregut dhe çojmë në efiçencë këto ndryshme.
Ministria e Energjisë, a duhet të kishte marrë një mendim nga ju në 2013-ën dhe në 2015-ën, duhet të kishte marrë një raport nga ju?
S’e kam fort të qartë se cila Ministri e ka këtë tagër, por nuk jemi pyetur. Ne kemi marrë një shqetësim nga shoqata e hidrokarbureve. Dhe kërkuam informacion te Ministria e Financave, por ky informacion nuk na erdhi.
Kjo kompani është off-shore dhe ka para të fshehura në Panama. A ju duket normale sesi funksionon shteti, ynë që i jepen para një kompanie që s’e dimë kush është? I kemi dhënë 150 milionë euro dhe s’dimë kush është pronari?
Instrumentet ligjore dhe institucionale mundësojnë shmangien e sjelljes oportune të institucioneve publike. Qëllimi mund të jetë kontrolli i cilësisë së karburanteve, por nxitimi mund të shkaktojë problematika në të ardhmen. Duke marrë opinionin e institucioneve që janë më të ftohta në vendimmarrjen e tyre, sjell diçka pozitive. Pasi anashkalimi i këtyre instrumenteve sjell gabim pas gabimi.
Pasqyra financiare e kompanive pse nuk ju është dhënë?
Ato nuk disponoheshin dhe i kërkuam me vendim të Komisionit. Dhe kërkuam bashkëpunimin e institucioneve që të na jepnin informacione për transaksionet, për ato që janë brenda vendit. Në këtë rast, kur vlerësojmë xhirot vjetore, marrim edhe transaksionet jashtë vendit.
Ku keni kërkuar bilancet financiare te GFI apo “Petroleum Consulting”?
Formati i bilancës nuk përmbushte kushtet minimale të përgjegjshmërisë se kujt i përkasin bilancet.
Ka ndonjë shifër aty, në atë letër A4?
S’mund të shprehem në këtë moment. Por dokumenti duhet të plotësojë standardet për të qenë dokument.
Keni marrë masa?
Kemi nxjerrë një vendim të komisionit duke i kërkuar kompanisë që të bëjnë transparente shifrat përkatëse?
Pas skandalit në mediat ndërkombëtare, do ta kërkoni?
Në rastin e ARMO-s dështuam në sigurimin e informacionit nga kompania. Ata nuk u përgjigjën dhe vendosëm gjobë ndaj aksionerit. Këto janë instrumente për të ushtruar kontrollit Autoriteti i Konkurrencës. Kompanitë nuk kanë patur aktivitete në tregjet e lidhura, apo përkatëse brenda vendit, për të rritur përqendrimin.
Për emrin e Ismail Mulletit, e dëgjuat këto ditë, apo gjatë procesit investigues? E njihnit?
Nuk njohim asnjë pronar. Na interesojnë firmat dhe aktiviteti i tyre në tregje, si dhe niveli i konkurrencës. Nuk na interesojnë pronarët.
Kemi një transferim të Bankers me një firmë kineze. Çfarë është bërë?
S’kemi asnjë informacion vetëm çfarë kemi dëgjuar në media. Autoriteti i Konkurrencës ndërhyn në transaksione që kanë ndodhur. Pra, duhet të ekzistojë draft-marrëveshja finale. Dhe përgjithësisht marrëveshje të tilla kanë një klauzolë në fund fare, që thotë se kjo marrëveshje hyn në fuqi pasi merr autorizimin e Autoritetit të Konkurrencës në vendet përkatëse.
Këtë klauzolë e ka patur marrëveshja mes GFI dhe Petrol?
S’e kam këtë informacion.
Po e drejta koncensionare nga TIA tek një tjetër firmë kineze?
Është i njëjti proces. S’ka draft-marrëveshje finale.
Autoriteti i Konkurrencës, a ka kapacitet e duhura për të kryer këtë punë? Si janë burimet njerëzore?
Ne kemi staf investigues 22 veta të cilët janë ekonomistë dhe juristë. Stafi i burimeve njerëzore dhe integrimit shkon në 27 veta. pra, jemi më pak se 30 veta si staf teknik dhe 5 veta janë anëtarët e komisionit të votuar nga Parlamenti, Bordi vendimmarrës. Në AK është investuar për të rritur kapacitet e tij dhe raporti i fundit i progres- raportit të KE, qartësisht e ka specifikuar, që AK ka një nivel të mirë ekspertizë. Por sado i madh të bëhet Autoriteti i Konkurrencës, nuk zgjidhen këto shqetësime nëse nuk punojnë të gjitha institucionet për të krijuar një ambient pro-konkurrues, që nga informacioni, standardet e cilësisë, evazioni fiskal. Prandaj, janë të gjithë instrumentet. Autoriteti është një pjesë e këtij sistemi.
A kemi tregje me këtë konkurrencë të pandershme?
Vjen si rezultat i fenomeneve që përmenda më përpara. Kemi ndeshur shkelje të konkurrencës që nga prodhuesit e bukës e me radhë. Ne s’mund të kemi tregje funksionale, nëse nuk fokusohemi te konkurrenca si një instrument i zhvillimit afatgjatë.
Po për monopolet, flitet shumë, ku janë, a ekzistojnë?
Ekonomia jonë është e vogël dhe numri i operatorëve që punojnë me efiçencë duhet të jetë relativisht i vogël. Ka monopole kryesisht në tregjet e rregulluara. Por, monopoli është një strukturë tregu. Duhet parë nëse janë rezultat i efiçencës, apo përfitimeve e përkrahjeve. Këtu roli i Autoritetit të Konkurrencës, është kryesor, por është një pjesë e sistemit. /shqiptarja.com