Nga Bjorn Runa
Për këdo që i duhet të ndjekë rregullisht seancat e përjavshme parlamentare, është e pamundur që të mos ketë vënë re një dukuri paksa të pazakontë. Së fundi, shumica e fjalimeve të mbajtura në atë sallë tingëllojnë më të artikuluara dhe shumë më inteligjente se sa po të shkojmë, ndoshta jo më larg se sa një apo dy vite më parë. Kjo sigurisht do të përbënte lajm shumë pozitiv, sikur ky përmirësim i përgjithshëm i nivelit të retorikës së asaj salle të mos kishte ardhur kaq papritur dhe i shpërndarë në mënyrë kaq të barabartë mes thuajse të 140-të anëtarëve të saj.
E gjitha u bë edhe më e dukshme gjatë seancës plenare të kësaj jave ku, fjalime formalisht të ndryshme, nga deputetë të mazhorancës dhe opozitës, tingëllonin thuajse identikë për nga struktura, si të qenë shkruar nga e njëjta dorë.
Sigurisht, me mjetet ekzistuese është e pamundur të thuash me siguri të plotë nëse një fjalim a një tekst është gjeneruar me inteligjencë artificiale, përveç rasteve kur autori kapet me “presh në duar,” gjë që e kemi parë t’i ndodhë në sallën e Kuvendit deputetit demokrat Kleves Balliu. Patjetër që përsëritja e shpeshtë e disa formulave (“Nuk është ‘X’, është ‘Y’”; “Nuk është thjesht ‘X’, është shumë më tepër”; lista që rishfaqen disa herë edhe brenda të njëjtit paragraf), të bëjnë të dyshosh se, edhe nëse nuk është shkruar nga ChatGPT, teksti/fjalimi ka kaluar përmes filtrit të një modeli të tillë gjuhësor.
Por sado argëtuese të jetë ‘kapja në gabim’ e një deputeti, përdorimi prej tyre i inteligjencës artificiale nuk përbën ndonjë skandal në vetvete. Madje, në disa raste mund të jetë dhe ndihmesë, veçanërisht për shpjegime apo përmbledhje dokumentesh komplekse. Fjala vjen, mund të imagjinosh Balliun, Nokën, apo Zegjinenë t’i drejtohen ChatGPT-së me kërkesa të tipit: Ma shpjego reformën administrative sikur të isha pesë vjeç. Për këdo që kërkon realisht të kuptojë diçka komplekse, mjete si ChatGPT apo Claude mund të ndihmojnë.
Problemet fillojnë kur retorika politike i dorëzohet plotësisht modeleve gjuhësore të inteligjencës artificiale.
Rreziku i parë është se deputetët mund të na krijojnë të gjithëve iluzionin se po merren seriozisht me një politikë të caktuar, ndërsa ne s’kemi nga ta dimë nëse e besojnë vërtet atë që thonë, e aq më pak nëse e kuptojnë thelbin e politikës që janë duke mbrojtur.
Rreziku i dytë është siguria. Deputetët shpesh kanë në duar drafte politikash të rëndësishme, apo informacione institucionale, që natyrisht nuk i duhen dhënë si ushqim platformave të inteligjencës artificiale, që ajo më pas t’iu japë fjalimet që ata duan. Kjo, pasi nuk e dimë se ku shkojnë këto të dhëna. Siguria e të dhënave është një nga çështjet më delikate të ditës në të gjithë botën sot dhe ne nuk është se shquhemi për ruajtjen e tyre.
Rreziku i tretë është ajo që ekspertë të fushës i referohen si problemi i kutisë së zezë (Black Box Problem). Askush nuk e di realisht se si funksionojnë në “prapaskenë” shumica e sistemeve të inteligjencës artificiale. Nëse mund ta kuptojmë vendimin e një deputeti nisur nga sjellja dhe paragjykimet që ai/ajo ka shfaqur në të shkuarën, në rastin e këtyre sistemeve, kjo është e pamundur.
Tani, nuk do të qe ndonjë tragjedi sikur deputetët tanë thjesht të tingëllonin më të ditur seç janë në të vërtetë. Shqiptarët i kanë mbijetuar kohërave edhe më sfiduese se këto që po jetojnë. Por, fatkeqësisht, për ne dhe për ata, jetojmë në një demokraci përfaqësuese dhe deputetët nuk zgjidhen në bazë të aftësive intelektuale. Mjafton të marrin frymë dhe të kenë mbështetje popullore dhe për këtë të fundit, njerëzit kanë nevojë të dinë nëse ka ende fije që i lidhin me përfaqësuesit e tyre në parlament. Lidhje që mund të këputen kur deputetët nisin të tingëllojnë si njerëz të cilët nuk i njohin më. Ç’mund të bëjë votuesi kur dëgjon fjalime inteligjente, që nuk i thonë gjë për bindjet dhe sinqeritetin e atij që flet?
Ndoshta po hyjmë në një komedi të çuditshme politike, të ngjashme me anekdotën e famshme të Zizek-ut, për lodrat elektrike të seksit që performojnë me njëra tjetrën, ndërkohë që çifti rri e i sheh, të çliruar nga ankthi i performancës. Në variantin tonë, deputetëve nuk do iu duhet më të debatojnë. Fjalimet e shkruara nga inteligjenca artificiale do të përballen me njëra-tjetrën në sallën e parlamentit, ndërsa përfaqësuesit e zgjedhur rrinë e i dëgjojnë, të çliruar nga barra e rëndë e të menduarit për popullin.











