• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, August 17, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Kryeministër i kujt je?

by A. Q
17/08/2026 16:23
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Albatros Rexhaj

Në fund të javës Rama i mbledh ministrat në retreatin e Pogradecit, i armatosur me dy dokumente strategjike për hendekun mes pushtetit dhe qytetarëve.

Në asnjërin prej tyre nuk shfaqet vetë Rama. Ky shkrim e mbush atë mungesë, me një kujtesë të thjeshtë: legjitimiteti i tij lindi te shqiptarët dhe vetëm aty mund të humbasë.

Ku është burimi i legjitimitetit: te populli shqiptar që voton, apo te të huajt? Politikanët në Shqipëri jo pak herë lajthiten në mendimin se raporti i tyre me të huajt, mënyra si shihen nga jashtë Shqipërisë, është përcaktues për fatin e tyre politik në vend.

Në realitet, kjo është formula me të cilën operojnë njerëzit që e ndiejnë se diçka nuk shkon me raportin që kanë me bazën, dhe boshllëkun tentojnë ta kompensojnë me faktorin e jashtëm. Kështu bëri edhe Sali Berisha gjatë qeverisjes së tij. Vizita e Presidentit Bush, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, heqja e vizave për në BE e ca gjëra të tjera ishin arritje historike për Shqipërinë, por asnjëra prej tyre nuk mjaftoi që të përmirësonte raportin e Saliut me popullin shqiptar, prandaj rënia e tij nga pushteti ishte e pashmangshme.

Në fund të kësaj jave, Rama do t’i mbledhë ministrat e tij për një retreat (tubim pune dyersh të mbyllura) në Pogradec, për diskutim sektor për sektor. Shumë mirë. Por Rama duhet ta bëjë edhe një diskutim me veten. Nëse vërtet kemi mësuar, apo duam të mësojmë, diçka nga lëvizja e flamingove, atëherë reflektimi nuk guxon të përfundojë vetëm te premisa se pakënaqësia u bë protestë sepse partia mungoi, se “ne kishim ikur nga rruga, lagja, biseda” dhe hendekun e pranisë e mbushën të tjerët. Pra te ideja se problemi zgjidhet disi vetëm duke u fokusuar te prania më e afërt, sektor pas sektori. I kam analizuar me kujdes dokumentet strategjike të Ramës, BESËN dhe aneksin e saj, si dhe intervistat e deklarimet e tij publike.

Gjërat që ai identifikon si thelbin e problemit, rritja e pritshmërive, boshllëku si pasojë e largimit nga baza dhe algoritmet, qëndrojnë që të gjitha; vetë dokumentet e tij e thonë madje më mirë se mbrojtësit e tij, se “mosmirënjohja është emri më i gabuar i mundshëm për reagimet qytetare” dhe se protesta e pritshmërive “nuk mund dhe nuk duhet luftuar”. Por kjo nuk është e tëra. Në reflektimin që Rama po prezanton mungon vetë Rama, pra përgjegjësia e tij. Disidenca ime ndaj revolucionit flamingo do të ishte e pasinqertë nëse tani do të heshtja para kësaj përpjekjeje për lavazh të përgjegjësisë së tij.

Tani që shtresa e mesme, pra votuesit e Ramës, janë tërhequr nga protesta, servilët vërshojnë me narrativën që mëkati i Ramës qenka se ai u beson njerëzve të gabuar; pra Rama qenka i gjithi i mirë, po të këqijtë qenkan ata poshtë tij, rrjedhimisht problemi do të zgjidhej me disa ndryshime në kabinet në njëvjetorin e qeverisë. A duhen bërë ndryshime në kabinet? Po, patjetër, sepse disa ministra dhe zëvendësministra kanë dështuar dhe duhet të shkojnë. A duhet refuzuar rikandidimi i disa kryetarëve të bashkive, disa madje pijanecë që rrinë mbyllur në zyrë dhe bashkitë i trajtojnë si çifligje? Patjetër që po. Por a mjafton kjo? Jo. Sepse pjesë e problemit është edhe perceptimi publik për vetë Ramën.

Nëse kryetarët e bashkive dhe disa anëtarë qeverie janë shëmbëlltyra më e keqe e arrogancës, kjo ndodh sepse në mendjen e tyre ata po e imitojnë vetë Ramën. Të mos keqkuptohemi: ata nuk janë kopje e Ramës, por nuk do të thosha që janë edhe shtrembërim. Janë diçka në mes, një hibrid i rrezikshëm.

Pra asgjë nuk do të ndryshojë nëse Rama vetë nuk bën diçka për të ndryshuar perceptimin mbi të. Dhe kjo na çon te një pikë shumë e rëndësishme e analizës. Nëse Rama synon vetëm ta vazhdojë qeverisjen e vet, pra ta përfundojë mandatin e katërt e me shumë gjasë ta sigurojë edhe të pestin, fare lehtë mund ta përjashtojë veten si pjesë të problemit.

Nëse në qershor Rama ishte i dobët, dhe kjo nuhatej edhe nga fakti që realisht ai u braktis nga të gjithë, meqenëse të gjithë heshtnin e donin të shihnin se çfarë do të bëhej para se të deklaroheshin, sot Rama është i fortë. Nuk ka forcë që mund ta ndalojë të spastrojë të gjithë disidencën e brendshme në PS dhe të vazhdojë projektin e tij për t’i defaktorizuar partitë e tjera politike. Në fund, pushteti përcaktohet nga vota, dhe Rama ato do t’i marrë, sepse nuk ka kush t’i marrë tjetër.

Por Rama sot nuk do të duhej të mendonte vetëm si ta vazhdojë qeverisjen, sepse këtë e ka të sigurt; duhet të mendojë edhe për atë se si do të mbahet mend e si do të kujtohet nga brezi i ri i shqiptarëve. Realiteti është që, nëse reflektimi është i pasinqertë, Rama nuk do të mbahet mend si një personazh pozitiv. Përkundër punëve të mëdha që janë bërë, ka ndodhur diçka dhe imazhi i Ramës është lënduar. Personalisht mendoj se perceptimi mbi Ramën është i gabuar, por as nuk mund ta shfajësoj Ramën pse ky perceptim, i një personazhi herë gri e herë negativ, u ngjiz mbi të.

Problemi i Ramës nuk është diçka që zgjidhet vetëm me ndryshime kadrovike, rikthim në bazë dhe me një PR (imazh publik) më të mirë. Ka edhe një problem që Rama e ka me vetë Ramën, dhe mënyra si Rama e zgjidh atë do të përcaktojë mënyrën si Rama do të mbahet mend pas largimit nga pushteti. A do të shkojë në histori si një autokrat, si një arrogant e snob, pra një lider premtues që në fund i zhgënjeu shqiptarët, apo si një personazh pozitiv që e transformoi Shqipërinë?

Njerëzit e Ramës, ata që realisht duan ta ndihmojnë, që janë pak, si dhe ata që presin rastin t’ia marrin partinë, e që janë shumë, thonë që Rama nuk frymëzon më. Lëvizja flamingo është tregues se ka një të vërtetë në këtë mes, por kjo nuk është e gjithë e vërteta.

E vërteta e plotë është që Rama e ka transformuar Shqipërinë, por, njësoj si Mojsiu që punoi tërë jetën për ta çuar popullin e tij te Toka e Premtuar vetëm që në fund vetë të mos e shihte atë kurrë, edhe Rama rrezikon që në fund dikush tjetër t’ia marrë stafetën nga dora dhe ta përfundojë punën e tij. Dallimi është që Mojsiu në histori u fut si personazh pozitiv, ndërkaq kjo Ramës mund t’i mohohet. Dhe tani vlen pyetja: t’i mohohet nga kush? Dhe kjo pyetje nuk ka një përgjigje të thjeshtë.

Këtë shkrim mbase edhe nuk do ta bëja, sikur të mos ishte shkrimi i Ramës në X për mikun e tij Zelenski. Reagimin e tij Rama e kishte shkruar në anglisht; pra audienca e paramenduar nuk ishte shqiptare.

Të kujtojmë se çfarë e nxori atë tekst. Më 8 gusht, në Beograd, një gazetare e RTS e pyeti presidentin e Ukrainës nëse Serbia mund të llogarisë edhe më tej në përkrahjen e Ukrainës. Vëreni fjalën e pyetjes: përkrahje. Gazetarja nuk pyeti thjesht a mbetet qëndrimi i njohur; ajo kërkoi një premtim përkrahjeje për Serbinë.

Dhe Zelenski iu përgjigj brenda asaj kornize, me konfirmimin se qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës “mbetet i pandryshuar”. Vetë qëndrimi dihej që nga dita e parë dhe askush nuk u befasua prej tij; po një gjë është ta kesh një qëndrim, krejt tjetër është t’i premtosh Serbisë, në kryeqytetin e saj e para kamerave të saj, se mund të llogarisë në përkrahjen tënde. Presidenti i një vendi në luftë e kishte fare të lehtë ta eskivonte pyetjen, se një vend në luftë gjithmonë mund të thotë që këto janë tema për pas luftës.

Ai zgjodhi ta sulmojë të drejtën e Kosovës për të ekzistuar në emër të së drejtës së Ukrainës për të ekzistuar, dhe për këtë zgjodhi t’i dalë në krah Serbisë, aleates së Rusisë. Po atë ditë që Rama doli në mbrojtje të tij, unë iu përgjigja publikisht: ne nuk i kemi borxh asgjë Ukrainës dhe Zelenskit, sepse solidariteti ynë nuk u dha si hua që pret kthim; prandaj pak kujdes dhe respekt ndaj Kosovës dhe shqiptarëve u bën nder atyre dhe jo neve.

Me pak fjalë, gjithçka në tekstin e Ramës flet se dikush prej ndërkombëtarëve është ndier i shqetësuar pse shqiptarët janë rebeluar dhe lirshëm e kanë shprehur indinjatën e tyre me Zelenskin.

Pra, atyre nuk u paska mjaftuar që ministri i jashtëm i Kosovës Glauk Konjufca dhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë, e drejtuar nga Ferit Hoxha, që të nesërmen, më 9 gusht, përkundër zhgënjimit me Zelenskin, e rikonfirmuan vijimësinë e përkrahjes parimore për Ukrainën, por i janë ankuar Ramës dhe kanë kërkuar prej tij që t’i disiplinojë shqiptarët, sepse ajo çfarë paskan thënë shqiptarët në komente e në shkrime qenka e rrezikshme.

Për mua reagimi i Ramës nuk është ndonjë mister; është refleks i prirjes servile që ka politika shqiptare të thotë YES SIR (si urdhëron, zotëri) për çdo broçkull që plasojnë të huajt. Dhe kjo mua më tregon se Rama ka nevojë për një autoreflektim me vetë Ramën.

Dhe pyetjet që Rama duhet t’ia bëjë Ramës janë këto:

Kryeministër i kujt je? I shqiptarëve, apo i të huajve që Shqipërinë akoma e shohin si një safari?

Ku është burimi i legjitimitetit? Te pëlqimi i shqiptarëve, apo te pëlqimi i burokratëve të huaj?

Kur u drejtohesh shqiptarëve, a duhet të flasësh si një moralizues mendjemadh, apo si kryeshërbëtori i tyre publik?

Po e nis nga kjo e fundit. Brenda dy ditësh, dy herë i ke etiketuar kritikët shqiptarë me të njëjtin fjalor: më 12 gusht, pas reagimeve për deklaratën tënde se “Serbia e humbi Kosovën”, shkrove për “ushtrinë e trollave të turbofolkut nacionalist të Prishtinës” dhe për turbofolkun nacionalist në Tiranë e në Prishtinë; më 13 gusht, në anglisht, për “folk nationalists” në Tiranë e në Prishtinë. Fjala nacionalist asociohet me prirjen shoviniste, dhe në kuptimin e tillë nuk ekziston diçka që mund të cilësohet nacionalizëm shqiptar.

Për dallim nga fqinjët tanë grekë dhe sllavë, asnjëherë nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston ndonjë projekt shqiptar me prirje shoviniste ndaj popujve të tjerë. Fatkeqësia jonë si popull është që çdo përpjekje e jona për të ruajtur ekzistencën fizike është sulmuar si nacionaliste. Pra, grekët dhe sllavët ekzistencën tonë fizike e kanë parë dhe vazhdojnë ta shohin si kërcënim, dhe me këtë i justifikojnë politikat e tyre shoviniste ndaj shqiptarëve.

Edi Rama ka shumë të drejtë kur thotë që shqiptarët sot nuk janë më shqiptarët e vitit 2013, por analiza e tij nuk e përfshin edhe faktin kritik që shqiptarët sot janë shumë më patriotë se në vitin 2013. Nëse brezi mbi 45 vazhdon të ketë komplekse inferioriteti, brezi i ri i shqiptarëve nuk i ka ato. Dhe ky transformim pozitiv i rritjes së ndjenjës së atdhedashurisë dhe i gatishmërisë për t’i dalë zot atdheut nuk ka pikur nga qielli.

Gjenezën e ka te qëndrimi dinjitoz i Ramës në Beograd në vitin 2014, te qëndrimi dinjitoz e pa komplekse i Ramës përballë grekëve, te transformimi i Shqipërisë nga një vrimë e zezë e Ballkanit në një destinacion global, dhe te shumë gjëra të mira që kanë ndodhur gjatë dekadës së fundit. Nuk e kuptoj pse Edi Rama tani ngrihet dhe distancohet nga vetë krijesa e tij.

Dhe për çfarë? Për të mbledhur pikë te disa burokratë në Bruksel dhe politikanë liberalë evropianë që me utopitë e tyre po e shkatërrojnë vetë Evropën? Po mirë, ku ishin këta gjatë shpërthimit të lëvizjes flamingo? Apo mos ndoshta ishin kundër Ramës, disa madje me të dyja duart e këmbët në mbështetje të protestave? Çfarë është kjo prirje për ta thelluar hendekun me popullin tënd?

Rama bën mirë të shikojë se kush prononcohet pro kësaj qasjeje servile, dhe do ta kuptojë se pjesa dërrmuese janë të brezit mbi 50. Pra janë brezi që në vitet ’90 është zhgënjyer me atdheun. Brezi i ri, brezi që është rritur duke e krijuar frymën që solli Rilindjen e vitit 2013 dhe që më pas u rrit kombëtarisht në dekadën e saj, ndihet i irrituar prej saj. Ata zhgënjimin e tyre nuk e fokusojnë te Shqipëria, po te ata që e udhëheqin atë, dhe kjo është e gjithë diferenca. Këta janë krijesa jote, Edi; nuk janë produkt algoritmesh.

Pra, legjitimiteti yt lindi nga ky brez dhe nuk ishte sajesë e ndërkombëtarëve, dhe ti nuk guxon që këtë tani ta këmbesh me një servilizëm absurd ndaj të huajve. Ti je kryeministër i shqiptarëve dhe jo një regjent i emëruar nga Brukseli. Shqiptarët e duan integrimin në BE, por nuk duan të humbin sovranitetin e tyre; duan diçka në mes, diçka dinjitoze.

Dhe nëse vendos të bësh atë që rëndom bëjnë politikanët shqiptarë, pra të ngulmosh në kokëfortësinë tënde, atëherë bën mirë të kujtosh se çfarë qëndrimi kanë këta burokratë të Brukselit dhe politikanë liberalë evropianë për Shqipërinë dhe për ty. Për ta, Shqipëria është një çerdhe e krimit dhe e korrupsionit, ku kryekrimineli dhe kryehajduti je ti. Pra, kur u duhesh për diçka, si kjo hileja me Zelenskin, ti je idioti i tyre i dobishëm, ndërkaq në rastet e tjera je kryekriminel dhe kryehajdut.

Unë mendoj që nuk je asnjëra, pra nuk je as idiot, as kriminel dhe as hajdut, siç nuk mendoj se Shqipëria është ashtu si e përshkruajnë ata. Por në mënyrën si ti vazhdon t’i bësh gjërat, nuk ka rëndësi çfarë mendoj unë; rëndësi ka çfarë mendojnë të huajt.

Të shohim pak disa nga eksperimentet që bëjnë ata, me SPAK-un si kryesorin prej tyre. Servilizmi yt, dhe nuk dua t’i zgjedh fjalët, është faktori kryesor në krijimin e një strukture që të ngjashme i ka vetëm Dhomat e Specializuara të Kosovës. Pra, një monstër juridike që ti, njësoj si Hashim Thaçi në Kosovë, e ke futur në kushtetutë, duke krijuar një strukturë ku vija ndarëse mes prokurorit dhe gjykatësit hollohet deri në padukshmëri dhe ku prokurori, si Sigurimi i Shtetit dikur, ka tagër ta survejojë këdo me autorizimin e vet.

Dhe kjo nuk është më hipotezë. Në shkurt 2025, me urdhër të një prokurori special dhe me miratimin e drejtuesit të SPAK, një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese u vëzhgua, u fotografua e u përgjua ambientalisht për pesëmbëdhjetë ditë, pa asnjë vendim gjykate, sepse nenet 221 e 222 të Kodit të Procedurës Penale ia lejojnë prokurorit ta autorizojë vetë survejimin e fshehtë në vende publike.

Dhe kur kryetarja e Gjykatës Kushtetuese pyeti me shkresë zyrtare nëse ndonjë gjyqtar është nën hetim, përgjigjja e kreut të SPAK, e datës 26 shkurt, ishte se asnjë gjyqtar kushtetues nuk është person nën hetim dhe për asnjërin nuk ka kallëzim penal; survejimi i miratuar prej tij kishte përfunduar një ditë më parë. Pra, si rrjedhojë, jetojmë në një realitet ku prokurorët e SPAK mund t’i survejojnë gjykatësit e GJKKO-së dhe të Gjykatës Kushtetuese; shantazhi, shpresojmë, mbetet i pandodhur, po mundësia e tij tashmë është e provuar në praktikë.

Dhe ku është rezultati i kësaj reforme? A është zvogëluar korrupsioni në perceptimin e shqiptarëve? Jo, dhe kjo nuk është lajm, sepse kështu ka ndodhur në Rumani, në Itali e gjetiu. Qytetari nuk ka kontakt me korrupsionin e nivelit të lartë dhe, besa, as nuk i intereson ajo punë. Qytetari vuan nga korrupsioni në nivelin e mesëm dhe të ulët, dhe aty nuk ka ndryshuar asgjë. SPAK nuk ka dhënë asnjë rezultat në luftimin e këtij korrupsioni, dhe as që lodhet për atë punë. Dhe a e di pse?

Sepse patronët e tyre në Bruksel e gjetiu misionin e kanë të të fusin ty në burg; sepse, nëse ti dhe të tjerët afër teje përfundoni në burg, kjo qenka dëshmi se reforma ka sukses. Dhe aq larg shkojnë në këtë marrëzi, saqë dyshimet e një prokurori të SPAK trajtohen si Bibël dhe Kuran; pra prokurori nuk ka nevojë të ketë dëshmi që dikush është fajtor, mjafton të ketë dyshime. Nëse një prokuror i SPAK ka dyshime për dikë, ky person nuk është i pafajshëm derisa të provohet fajësia, por është fajtor derisa të provohet pafajësia.

Ky është terrori që të huajt, me ndihmën tënde, kanë instaluar. Ata nuk duan reformë në drejtësi; ata duan SPAK-un si pushtet mbi të gjitha pushtetet. Nëse Brukselit dhe patronëve të tjerë të SPAK nuk u pëlqen ministri X, mjafton që SPAK të lëshojë një njoftim se ka nisur hetimet, dhe më pas ky ministër duhet të japë dorëheqjen ose ta shkarkosh ti. Dhe më e dhimbshmja në këtë histori është që brezi që ti e ke rritur vetë është zhgënjyer aq shumë, saqë është i gatshëm ta pranojë si normale një diktaturë të prokurorëve.

Dhe kush kërkon specimenin konkret të kësaj diktature, e ka para syve, në qelinë e kryebashkiakut të Tiranës. Pa hyrë fare te faji apo pafajësia e Erion Veliajt, se atë e thotë vetëm gjykata me vendim të formës së prerë, mjaftojnë faktet procedurale: i pandehur për trembëdhjetë vepra penale, në paraburgim që nga 10 shkurti 2025, pra tetëmbëdhjetë muaj e në vazhdim; dosjen e plotë e mori për ta lexuar në qeli një vit pas arrestimit; gjyqi në themel është rihapur nga e para; dhe afatet e paraburgimit i janë pezulluar herë pas here edhe kur seancat dështonin për mungesat e avokatëve të të pandehurve të tjerë, madje edhe kur bashkëshortja e tij nuk paraqitej dot sepse sapo kishte lindur, lindje për të cilën vetë SPAK i kishte dhënë Veliajt lejen e parë të daljes nga qelia në gjashtëmbëdhjetë muaj, 48 orë. Paraburgimi, që ligji e ka masë të jashtëzakonshme sigurie, është kthyer në dënim paraprak; dhe kur dënimi jepet para gjykimit, prezumimi i pafajësisë është shfuqizuar në praktikë, ashtu siç e përshkrova më lart. Njeriun që një vend i tërë e dinte si pasardhësin tënd sot nuk e mban peng një vendim gjykate, po mungesa e një vendimi gjykate.

Dhe në gjithë këtë histori ka edhe një absurd që meriton kapitull më vete: opozita shqiptare, e cila pushtetin shpreson ta marrë pikërisht përmes SPAK-ut. E bën këtë pa e llogaritur fare që nesër edhe ajo do ta ketë SPAK-un si pushtet mbi veten; pra, në emër të ardhjes në pushtet, po punon që republika parlamentare të zhbëhet në favor të një republike prokurorësh.

Dhe aq larg shkon marrëzia, saqë SPAK tani po kërkon edhe krahun e vet të armatosur, grupin special operacional që kreu i tij e shpalli publikisht në fund të korrikut, pra full JUDGE DREDD mode (hetues, prokuror dhe forcë e armatosur në një trup të vetëm). Dhe opozita, në vend që të pyesë se ç’republikë mbetet pas gjithë kësaj, mezi pret që ai trup t’ia hapë rrugën drejt pushtetit.

Dhe këtu duhet ta them edhe atë që nuk e thonë dot as servilët, as urryesit e tij: unë besoj se Edi Rama mund të jetë përsëri frymëzues. E besoj sepse e ka bërë një herë, dhe prova ecën çdo ditë nëpër rrugët tona. Brezi pa komplekse që sot i del zot atdheut dhe nuk pranon të merret i mirëqenë është vepra e tij më e madhe, më e madhe se çdo rrugë e çdo aeroport. Dhe kush shikon mirë se kur ka frymëzuar Rama, vëren një rregullsi që sot i duhet më shumë se kurrë: Rama ka frymëzuar pikërisht në ato çaste kur më së paku e ka vrarë mendjen se çfarë mendonin të huajt. Në Beograd më 2014 nuk foli për t’u pëlqyer kancelarive; foli se ashtu i thoshte dinjiteti, dhe atë ditë fitoi diçka që nuk matet me sondazhe. Burimi i frymëzimit të tij ka qenë gjithmonë një i vetëm, dinjiteti pa komplekse, dhe ai burim ende rrjedh; Rama thjesht ka pushuar së piri prej tij.

Prandaj edhe rruga e kthimit nuk kërkon ndonjë zbulim; kërkon vetëm që Rama t’i rikthehet vetes së vet më të mirë. T’u flasë shqiptarëve shqip, me shpjegime e jo me nota sjelljeje. Ta nisë reflektimin nga vetja dhe ta thotë me zë pjesën e vet të përgjegjësisë; vetë dokumenti i tij e shkruan se besimi nuk forcohet duke iu bërë bisht gabimeve, po duke u përballur me to, dhe një lider që e pranon pjesën e vet nuk zvogëlohet, rritet. Të rreshtohet me krijesën e vet, pra të jetë zëdhënësi i shqiptarëve para të huajve dhe jo zëdhënësi i të huajve para shqiptarëve. Dhe ta mbajë integrimin evropian ashtu siç e duan shqiptarët, me dinjitet e pa gjunjëzim. Askush tjetër në skenën politike nuk e bën dot këtë sot. Pikërisht prandaj ia kërkojmë atij.

Dhe të takon ty, Edi, ta zgjidhësh problemin që shqiptarët e kanë përditë me korrupsionin e nivelit të mesëm e të ulët, sepse SPAK-u as e ka për detyrë, as e ka për zemër, kurse qytetari pikërisht aty e prek shtetin me dorë: te sporteli, te inspektori, te leja, te radha e spitalit, te tenderi i bashkisë. Kjo luftë nuk kërkon asnjë strukturë të re me kushtetutë; kërkon vullnet dhe imagjinatë qeverisëse. Jepu prokurorive të zakonshme dhe inspektorateve atë përkushtim që ua dhe reformave të mëdha, se ato janë instrumenti i harruar i drejtësisë së përditshme. Hiqja terrenin diskrecionit: aty ku shërbimi s’bëhet dot online, botoji radhën e pritjes, kriterin e përzgjedhjes dhe vendimin bashkë me arsyen e tij, se korrupsioni i vogël jeton vetëm në errësirën e sirtarit.

Fut testimin e integritetit në sportele e inspektorate, me rezultate publike, dhe bëj që llogaridhënia të shihet edhe në nivelin ku vuan qytetari, jo vetëm në ekran me emra ministrash. Dhe një ide e fundit, që e ke vetë në shtëpi: dokumenti yt “Prania Besnike” i premton qytetarit përgjigje brenda 48 orësh nga partia. Ktheje atë premtim aty ku i takon, bëje detyrim ligjor të administratës, që dera e shtetit t’i hapet qytetarit pa pasur nevojë për ndërmjetësin e partisë.

Kryeministër i kujt je, Edi? Mendoje mirë këtë gjë dhe retreatin në Pogradec nise nga vetja. Të takon ty ta mbushësh hendekun me shqiptarët. Të takon ty t’i bindësh shqiptarët se vërtet je their humble servant (shërbëtori i tyre i përulur).

Normal, e gjithë kjo nëse realisht e vret mendjen për atë si do të mbahesh mend. Nëse jo, jepi e vazhdo. Meqenëse nuk kemi asnjë më të mirë, do të vazhdojmë të të përkrahim. Por kjo nuk do të thotë që do të të duam, e as që nesër do të flasim mirë për ty.

Se zgjedhja, në fund, është vetëm një dhe është e jotja: ose je lideri që premtove se do të ishe, ose bëhesh vegla e nënshtruar e të huajve, të cilin, ditën që nuk u duhet më, do ta hedhin anash si leckë.

Next Post
“Nuk do ta fitojmë luftën e rraskapitjes me Ukrainën”- Banka ruse shkarkon ekonomistin e lartë që kritikoi Kremlinin

"Nuk do ta fitojmë luftën e rraskapitjes me Ukrainën"- Banka ruse shkarkon ekonomistin e lartë që kritikoi Kremlinin

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Gjykata Supreme hedh poshtë kërkesën e Trump për të mos i paguar 5.6 milionë dollarë gazetares Jean Carroll, e ngacmoi s*ksualisht!

Gjykata Supreme hedh poshtë kërkesën e Trump për të mos i paguar 5.6 milionë dollarë gazetares Jean Carroll, e ngacmoi s*ksualisht!

August 17, 2026
U arrestua për ndërtimet pa leje në bregdet, Apeli liron ish-shefin e Komisariatit të Sarandës!

U arrestua për ndërtimet pa leje në bregdet, Apeli liron ish-shefin e Komisariatit të Sarandës!

August 17, 2026
“Faleminderit nga zemra Berat”- Atalanta dedikim special kapitenit kuqezi: Gjimshiti, impenjim dhe lidhje me fanellën!

“Faleminderit nga zemra Berat”- Atalanta dedikim special kapitenit kuqezi: Gjimshiti, impenjim dhe lidhje me fanellën!

August 17, 2026
Eksportet kanë pësuar rënie në katër muajt e parë të 2019

“U rritën me 34 mld lekë në korrik”- Eksportet e mallrave “Made in Albania”, INSTAT: Tregtia me vendet e BE mban peshën kryesore

August 17, 2026
“Po çojnë ujë te mulliri i Ramës”- Përçarja e “revolucionit të flamingove”, Leka: Protesta ka degraduar, u kthye në përplasje mes klaneve! Tani politike, të mbyllet

“Po çojnë ujë te mulliri i Ramës”- Përçarja e “revolucionit të flamingove”, Leka: Protesta ka degraduar, u kthye në përplasje mes klaneve! Tani politike, të mbyllet

August 17, 2026
Zjarr i madh në Fushë-Bulqizë, era favorizon flakët, forcat operacionale nuk depërtojnë dot për shkak të terrenit

Zjarr i madh në Fushë-Bulqizë, era favorizon flakët, forcat operacionale nuk depërtojnë dot për shkak të terrenit

August 17, 2026
Sulmi terrorist në konsullatën izraelite, Erdogan: Akt frikacak!

Pas katër dekadash diplomaci, Erdogan: BE nuk është më prioritet për Turqinë, humbet Evropa!

August 17, 2026
FOTO/ Doli për shëtitje në pyll, por gjeti një thesar 900-vjeçar! Mbi 2150 monedha argjendi të fshehura në një qyp

FOTO/ Doli për shëtitje në pyll, por gjeti një thesar 900-vjeçar! Mbi 2150 monedha argjendi të fshehura në një qyp

August 17, 2026
Trump kërcënon Omanin: Nëse na pengon për Iranin, do e bombardojmë pa mëshirë e do ta kthejmë në hi! S’e kam me nxitim fundin e luftës

Trump kërcënon Omanin: Nëse na pengon për Iranin, do e bombardojmë pa mëshirë e do ta kthejmë në hi! S’e kam me nxitim fundin e luftës

August 17, 2026
Rruga e transportit detar Arktik Kinë-Evropë fillon operacionet e rregullta javore

Rruga e transportit detar Arktik Kinë-Evropë fillon operacionet e rregullta javore

August 17, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com