Banka e Shqipërisë dhe Qeveria kanë finalizuar planin e ri të veprimit për uljen e kredive me probleme, i cili është shpërndarë këto ditë në banka dhe grupet e interesit për zbatim. Aksioni nis me miratimin e ligjit e ri të falimentit. Në tetor bankat dhe 35 korporatat që kanë 65% të kredisë së pakthyer do të vendosin për faliment ose ristrukturim. Ja plani i plotë që çon kredinë me probleme në 16% brenda dy viteve
Nga Blerina Hoxha
Përgjithësisht gushti njihet si muaji i relaksit në një vit të zakonshëm kalendarik, teksa përditshmëria i largohet rutinës, argëtimet, udhëtimet dhe aventurat lënë pas orët e gjata të punës. Por agjenda e zakonshme e gushtit nuk ka qenë e vlefshme për këtë vit të paktën për bizneset. Lajmi se, qeveria do të nisë një aksion kundër informalitetit dhe strategjia e re për uljen e kredive të këqija në banka, që do të nisë zbatimin në shtator ka mbajtur të mbërthyera bizneset mbi bilance dhe sportelet e QKR-së.
Pak ditë më parë të gjitha bankat kanë marrë një plan veprimi të hartuar nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria që i udhëzon ato, që jo më vonë se, tetori i këtij viti, të analizojnë bashkërisht bilancet e 35 grupeve të mëdha të biznesit që kanë 65% të totalit të kredive të këqija.
Ministria e Ekonomisë që është në rolin e koordinatorit për zbatimin e planit, në krye të 13 masave ka vënë miratimin në Kuvend të projektligjit të ri të falimentit, me anë te të cilit më pas do të nisë trajtimi i 35 korporatave.
Draftligji i ri aktualisht është për diskutim me grupet e interesit. Risia themelore është përfshirja e ristrukturimit për bizneset, që nuk kanë aftësi paguese, para se ato të çohen në faliment. Ligji i ri po hartohet për t’i dhënë zgjidhje pikërisht korporatave të mëdha, të cilat tashmë kanë shpallur pazotësinë për të paguar kreditë bankare, të cilat kapin vlerën e 600 milionë eurove.
Sipas planit, që ka siguruar Monitor, pasi drafti i falimentit të ketë kaluar Kuvendin, bankat tregtare në vend do të mblidhen së bashku ketë vjeshtë për të analizuar bilancet e kompanive dhe borxhet që ato kanë. Duke qenë se, disa prej kompanive kanë kredi të pakthyera jo në një, por në shumë banka, plani sugjeron ristrukturimin ndërmjet bankave dhe kredimarrëseve për të gjetur një zgjidhje, por duket se falimenti për 50% të këtyre korporatave është i pashmangshëm, pasi nga analiza e deritanishme kanë rezultuar raste pa asnjë shpresë.
Për kompanitë pjesërisht të shëndetshme, rekomandohet të gjejnë burime alternative jashtë bankave. Këtu mund të ndërhyjë qeveria për të blerë një pjesë të borxhit ose kolateralit të këtyre korporatave në mënyrë që atyre t’iu sigurohen likuiditetet e nevojshme për ristrukturimin.
Pak kohë më parë, Monitor mësoi nga burimet kofidenciale në Bankën e Shqipërisë se pjesa më e madhe e kredive të humbura ose në rrezik serioz arkëtimi nga bankat zotërohen nga rreth 80 kompani dhe korporata të mëdha, të cilat mbartin 80% të portofolit të kredive me probleme, ndërsa vetëm 35 grupe ndajnë 65% të portofolit të kredisë së pakthyeshme.
Kompanitë me moskthimin e kredive, që po mbajnë peng të gjithë zhvillimin e ekonomisë, janë pjesa më e vështirë e shtruar për zgjidhje.
Por duket se, me këtë pjesë po merret posaçërisht Banka Botërore, e cila, siç mësohet, ka marrë në skaner një nga një të debitorët e mëdhenj.
Në total, kredia me probleme është arriti në qershor 20% të totalit, apo gati 1 miliard euro, duke shënuar rënie në raport me fundin e 2014-s (shiko shkrimin në vijim).
Dokumenti që synon uljen e NPL në më pak se 16% brenda dy viteve parasheh angazhim edhe të institucioneve jashtë sistemit bankar. Një sërë nenesh duhet të ndryshojnë në Kodin e Procedurës Civile dhe gjithashtu një duzinë me procedura të reja duhet të aplikohen për regjistrimin e pasurive në gjykata.
Ulja e NLP-ve nis me ristrukturimin
Ligji i ri i Falimentit është porta kryesore, nga e cila do të kalojë zgjidhja e kredive të pakthyera në banka. Ligji, që pritet të hyjë në fuqi në fillim vjeshte, tashmë është përfshirë në një axhendë të shpejtë konsultash.
Por para se të shkohet në faliment të gjitha ata që kanë borxhe, por nuk mund t’i përgjigjen afateve për shlyerjen, kanë të drejtë të ristrukturojnë kohën e shlyerjes dhe shumat e kësteve, por edhe aktivitetin e biznesit.
Neni 171 i projektligjit thotë se, qëllimi i parandalimit të likuidimit është dhënia e mundësisë debitorit në gjendje vështirësie financiare për ta kapërcyer atë përmes propozimit ndaj kreditorëve të një plani riorganizimi ose marrëveshjeje jashtëgjyqësore për ristrukturimin e borxhit, të miratuar nga gjykata e falimentimit.
Më tej drafti sqaron se, parandalimi përmes ristrukturimit të borxhit synon mosfillimin e procedurës së falimentimit, ndërsa parandalimi përmes riorganizimit synon parandalimin e fazës për likuidimin e debitorit.
Përdorimi i mjeteve të parandalimit të likuidimit konsiderohet si një mundësi, por jo parakusht për të kaluar në fazën e likuidimit.
Neni 172 i draftit përcakton se, debitori në vështirësi financiare mund t’u propozojë kreditorëve një marrëveshje jashtëgjyqësore, e cila përfshin mënyrën e ristrukturimit të borxhit dhe pretendimet e kreditorëve, si dhe çdo mënyrë tjetër për reduktimin e borxhit, të parashikuara nga Kodi Civil, lidhur me shuarjen e detyrimeve.
Sipas projektit, debitori në vështirësi financiare, mund të kërkojë nga gjykata e falimentimit miratimin e marrëveshjes për ristrukturimin e borxhit. Kërkesa për miratimin e marrëveshjes për ristrukturimin e borxhit bëhet pasi është arritur marrëveshja jashtë gjyqit.
Kërkesa shoqërohet nga marrëveshja për ristrukturimin e borxhit, që përmban përshkrimin e metodave analitike dhe afatet e përmbushjes së detyrimeve. Gjithashtu duhet një raport i përditësuar mbi gjendjen financiare dhe ekonomike të debitorit; një analizë mbi vlerësimin e aseteve dhe listën emërore të kreditorëve, me pretendimet të tyre përkatëse, si dhe evidentimin e kreditorëve me të drejtë parablerjeje. Gjithashtu duhet edhe lista e mbajtësve të të drejtave mbi pronat e paluajtshme ose të luajtshme në pronësi ose në posedim të debitorit.
Pas ristrukturimit vjen falimenti
Pavarësisht se, në themel të ligjit të ri të falimentit ristrukturimi shihet si një element thelbësor për shpëtimin e bizneseve kjo masë nuk mjafton. Për disa biznese ristrukturimi nuk do të jetë shpëtim, ndaj falimenti është i pashmangshëm. Burimet në Bankën e Shqipërisë bëjnë me dije se, gjysma e grupeve të biznesit (17 prej tyre) që futen tek debitorët e mëdhenj do të duhet të falimentojnë me çdo kusht, pasi nuk kanë asnjë mundësi shpëtimi as me ristrukturim.
Procedura e falimentimit e rregulluar nga projektligji i ri i shtrin efektet e veta mbi çdo debitor qoftë ky individ, tregtar, familje bujqësore, person juridik privat ose publik, fitimprurës ose jofitimprurës që ndjek qëllime ekonomike, shoqëri e thjeshtë, ose njësi administrative vendore.
Me kërkesë të një pale pjesëmarrëse në procedurën e falimentimit, administratori i falimentimit, brenda një afati të arsyeshëm, u krijon mundësinë palëve të njihen me dokumentacionin e procedurës së falimentimit.
Procedura e falimentimit sipas projektligjit të ri realizohet nga Gjykata e Falimentimit. Vendimet dhe urdhrat e gjykatës janë të ekzekutueshme menjëherë. Ankimet ndaj vendimit nuk pezullojnë ekzekutimin e vendimit, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.
Gjykata e falimentimit shqyrton dhe vendos lidhur me kërkesën për hapjen e procedurës së falimentimit jo më vonë se 60 ditë nga dorëzimi i kërkesës në sekretarinë e gjykatës.
Mosparaqitja e palëve në gjykim nuk e pengon shqyrtimin e çështjes.
Vendimet e gjykatës së falimentimit ankimohen në gjykatën e apelit. Afati i ankimit është si rregull, brenda 15 ditëve nga shpallja e vendimit ose nga njoftimi i vendimit për palët që nuk kanë qenë të pranishme në shpallje
Kur ndodh falimenti
Në nenin 20 të projektligjit thuhet se, procedura e falimentimit mund të hapet ndaj debitorit nëse provohet se ky i fundit është në gjendje e paaftësisë paguese. Nëse hapja e procedurës së falimentimit kërkohet nga vetë debitori, përbën shkak për hapjen e procedurës së falimentimit.
Procedura e falimentimit hapet vetëm me kërkesë me shkrim. Kërkesa mund të paraqitet vetëm nga kreditorët dhe nga debitori. Në rastin e personave juridikë, procedura e falimentimit mund të hapet edhe me kërkesën e organeve tatimore, kur rezulton me paaftësi paguese për një periudhë 3-vjeçare.
Kërkesa e debitorit për hapjen e procedurës së falimentimit nëpërmjet riorganizimit ose ristrukturimit të borxhit konsiderohet kërkesë vullnetare për hapjen e procedurës së falimentimit. Kërkesa vullnetare nuk kërkon nga debitori të provojë shkakun e falimentimit.
Procedura për bizneset
Drafti i ri i falimentit përcakton se, nëse një subjekt juridik bëhet i paaftë për të paguar, ose është i mbingarkuar në borxhe, atëherë përfaqësuesit e tij ligjorë, duhet të paraqesin një kërkesë për hapjen e procedurës së falimentimit, jo më vonë sesa 21 ditë nga momenti që ka ndodhur kjo gjendje. Në rastin e një shoqërie të thjeshtë, ku asnjë nga ortakët nuk është person fizik, këtë detyrim e kanë përfaqësuesit ligjor të ortakëve, të autorizuar për të prezantuar përfaqësuar shoqërinë dhe likuidatorët.
Pak a shumë kjo procedurë është e vlefshme edhe për shoqëritë më të thjeshta. Ortakët ose aksionerët e shoqërive nëse kanë dijeni për paaftësinë paguese të shoqërisë, kanë të drejtën të paraqesin kërkesë për hapjen e procedurës së procedurës së falimentit.
Gjykata e falimentimit e pranon kërkesën e kreditorit nëse kreditori provon që debitori është në gjendje paaftësie paguese. Paaftësia paguese prezumohet nëse kreditori ka dështuar në ekzekutimin e detyrimit në një procedurë të ekzekutimit të detyrueshëm në periudhën e ekzekutimit vullnetar sipas Kodit të Procedurës Civile.
Derisa gjykata e falimentimit të marrë vendim për kërkesën për hapjen e procedurës së falimentimit, ajo vendos mbi pasuritë e debitorit çdo lloj mase që e gjykon të nevojshme për të shmangur përkeqësimin e gjendjes financiare të debitorit në dëm të kreditorëve.
Kur një kontratë, në kohën e fillimit të procedurës së falimentimit, nuk është zbatuar plotësisht, si nga debitori ashtu edhe nga pala tjetër, administratori i falimentimit mund ta zbatojë këtë kontratë.
Inventari i falimentit dhe shpërndarja
Projektligji i ri ngarkon administratorin e falimentimit të përgatisë një inventar të të gjithë pasurisë që përbën masën e falimentimit. Debitori merr pjesë në hartimin e këtij inventari nëse pjesëmarrja e tij nuk krijon vonesa të dëmshme për procedurën e falimentimit. Vlera e çdo sendi duhet të jetë e përcaktuar. Në rast se vlera e sendit varet nga fakti nëse veprimtaria e debitorit do të vazhdojë ose do të mbyllet, paraqiten të dyja vlerat alternative përkatëse. Për përcaktimin e vlerës së sendeve, vlerësimi i të cilave paraqet vështirësi, mund të caktohet një ekspert. Me kërkesë të arsyetuar të administratorit të falimentimit, gjykata e falimentimit ose komiteti i kreditorëve nëse është caktuar, mund të shtyjë kryerjen e inventarit.
Administratori i falimentimit harton listën e të gjithë kreditorëve të debitorit, të cilët janë bërë të njohur nga librat e dokumentet e punës së debitorit, nëpërmjet njoftimit prej debitorit, me kërkesën e tyre ose me ndonjë mënyrë tjetër.
Lista e kreditorëve, me të drejtë ripagimi të veçantë dhe e çdo kategorie të rangjeve më të ulëta të kreditorëve të falimentimit duhet të paraqitet e ndarë. Për çdo kreditor shënohet adresa, arsyeja dhe shuma e pretenduar. Gjithashtu lista duhet të tregojë gjendjen që mundëson kompensimin e ndërsjellë të pretendimeve dhe shumën e detyrimeve ndaj masës së falimentimit në rastin e një shitjeje të shpejtë të pasurisë së debitorit.
Ndryshon edhe Kodi i Procedurës Civile
Banka e Shqipërisë dhe qeveria kanë rënë dakord që të rishikojnë nene të Kodit të Procedurës Civile me qëllim për vënë një afat nga momenti i përfundimit të procesit të ekzekutimit dhe të drejtës së debitorit për paraqitjen e kërkesës për pavleshmëri. Gjithashtu është rënë dakord që të hiqet e drejta për të kërkuar pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv për rastin kur debitori pretendon se, detyrimi ekziston në një masë më të vogël, duke hequr nga paragrafi parë i nenit 609 “ose ekziston në një masë më të vogël”.
Ndërkohë strategjia synon t’i japë të drejtë debitorit që të kërkojë këtë të drejtë nëpërmjet padisë për shkaktim dëmi.
Aktualisht duke mos pasur një afat për të paraqitur një kërkesë pavlefshmërie për ekzekutimin nga debitori, kthimi i vlerave monetare në banka nga ekzekutimi i kolateraleve zgjatet pa fund.
Plani i ri kërkon rishikimin e nenit 511 i Kodit të Procedurës Civile. Në vendimin e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit duhet të përcaktohet se, nga data e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit deri në përmbushjen e detyrimit të parashikuar në të, kalkulohet interesi ligjor.
Gjithashtu kërkohet që të aplikohen kufizime në Kodin e Procedurës Civile në të drejtën e kundërshtimit gjyqësisht të çdo njoftimi apo veprimi përmbarimor, si psh të njoftimit vullnetar.
Çmime të reja referencë për shitjen e kolateraleve
Në ligjin e ri të falimentit, në ankandin që zhvillohet nga përmbaruesi gjyqësor, do të merren në konsideratë çmimet e referencës të caktuara nga organet shtetërore (si një çmim dysheme) dhe çmimin e vlerësuar të kolateralit në momentin e dhënies së kredisë si një çmim tavan, duke u hequr kështu të drejtën palëve për të ankimuar vendimin e përmbaruesit.
Aktualisht nëse në ankandin e parë nuk është paraqitur asnjë ofrues, atëherë brenda 10 ditëve nga përfundimi i tij përmbaruesi gjyqësor cakton çmimin e ri të sendit, i cili ulet në 50% të vlerës aktuale. Ankandi i dytë për shitjen e sendit zhvillohet jo më vonë se 15 ditë nga data e caktimit të çmimit të ri.
Gjithashtu plani i ri i veprimit kërkon që brenda tetorit të jenë realizuar ndryshimet në ligjin nr 33/2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” me qëllim bërjen detyruese e regjistrimit të kontratave të porosisë mbi ndërtimet e reja, për të rritur sigurinë ndaj palëve të treta që mund të jenë banka kredituese.
Plani i veprimit kërkon që të ndryshojë udhëzimi për “Përcaktimin e kritereve e të procedurave për regjistrimin e lejes së ndërtimit”, do të përcaktohet mundësia dhe detyrimi i subjektit për të regjistruar lejen e ndërtimit brenda një afati të përcaktuar.
Do të rishikohet çështja e regjistrimit të karabinave dhe statusi i mëtejshëm në këtë pasuri kur kalon në pronësi të një banke kreditore në përfundim të procedurave përmbarimore. Shqetësuese vlerësohet pamundësia e transaksioneve me këto pasuri të paluajtshme, çka përbën një ngërç ligjor për bankat kreditore, duke i penalizuar ato për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve nga shoqëritë ndërtuese.
Përmbaruesit, tani me tarifë suksesi
Plani i përbashkët i qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë,do të rishikojë tarifën e shpërblimit përmbaruesit në rastet e ekzekutimit të kolateraleve.
Aktualisht aplikohet një komision rreth 7 për qind ndaj përmbaruesve të vlerës së kolateralit të ekzekutuar, por sipas planit të ri stimuli do të jetë vetëm për rastet e suksesit dhe kjo të jetë një subjekt negocimi ndërmjet bankave dhe përmbaruesve.
Banka e Shqipërisë nga ana e saj vlerëson se, përvoja e deritanishme po tregon që përmirësimet ligjore dhe rregullative për ekzekutimin/administrimin e kolateralit, mënyrën e tatimit të bankave në rastin e fshirjes së kredive nga bilancet e tyre, ristrukturimin e kredive me probleme, kanë nevojë të interpretohen dhe të zbatohen me konsistencë.
Gjithashtu strategjia e re synon zhvendosjen e portofolit të kredive me probleme nga bankat drejt subjekteve financiare jobankare të specializuara dhe për të lehtësuar këtë proces janë parashikuar ndryshime në legjislacion për të bërë më të lehtë licencimin e subjekteve që do të blejnë borxhin e keq të bankave.
Bankat kredi sipas bilancit në tatime
Strategjia e re për reduktimin e NPL detyron bankat që në fillim të vitit 2018 të japin kredi vetëm bazuar në deklaratat tatimore, një element që është deklaruar tashmë dhe nga kryeministri Edi Rama. Më këtë kushtëzim Banka e Shqipërisë dhe qeveria synojnë që me një gur të vrasin dy zogj. Duke dhenë kredi sipas deklaratave tatimore, bizneset do të nxiten të bëjnë deklarime më reale në mënyrë që të mund të kreditohen nga bankat dhe këto të fundit ulin riskun e moskthimit të kredisë.
Për të parandaluar përkeqësimin e situatës në të ardhmen, Fondi Monetar i këshillon Bankës së Shqipërisë që të mund të nxisë një mjedis të shëndoshë dhe transparent të kontabilitetit dhe auditimit. BSH do të duhet të inkurajojë praktikat më të forta të raportimit financiar nga huamarrësit më të mëdha të korporatave. Në fakt kjo është pjesa më delikate që synon reforma e re në drejtim të uljen se kredive të këqija.
Disa nga korporatat e mëdha që janë kreditorë të këqinj do të duhet të falimentojë. Por ky do të duket një proces i vështirë për arsye që lidhen me mbështetjen politike që kanë kreditorët e këqinj.
Me zbatimin këtyre masave kredia me probleme pritet të ulet sipas ekspertizës së Bankës së Shqipërisë të paktën në nivelet 16-17 % në dy vitet e fundit.